Demagogjia dhe marëdhëniet me publikun

Opinione

Demagogjia dhe marëdhëniet me publikun

Nga: Fahri Dahri Më: 26 maj 2019 Në ora: 12:36
Fahri Dahri

I.- Nga e shkuara

Është e pashmangshme të mos mbështetesh tek e shkuara, për të gjykuar të sotmen, ata që kanë mendje të ndritura dhe përgjegjshmëri, të nxjerin mësime dhe të hedhin ide për të ardhmen. Kjo dihet nga të gjithë!. Unë do të ndalem tek e mesmja, gjykimin e të sotmes, e cila, siç do ta shohim nuk ka ndryshim nga qendrimet e të shkuarës, sigurisht për të pjesëshëm e të sotmes dhe sipas këndvështrimit tim.

Dihet se degët kryesore të studimit filozofik janë disa, ndërmjet tyre veçojmë për tu ndalur “Filozofinë politike, e cila ka objektiv studimin e qeverisjeve, marrëdhëniet mes individëve dhe komuniteteve me shtetin. Kjo filozofi përfshin mes të tjerash pyetjet mbi drejtësinë, pronën, të drejtat dhe obligimet qytetare”. Por të njihesh me këtë filozofi, nuk mund të mos përmenden dijetarët që kanë hedhur themelet, ndaj të cilave nuk shmangemi dot.

Kështu mbas Herodotit, babait të historisë (rreth vitit 484-425 p.e.r.), pason Thukididi (rreth vitit 460-400 p.e.s.), siç thuhet ishte historian i parë i vërtetë, si i tillë, ngjarjet nuk i përshkruan në bazë të perëndive e mrekullirave, siç e bënin paraardhësit e tij, por në bazë të një kriteri shkencor, i cili konsistonte në trajtimin e ngjarjeve duke vendosur personat e vërtetë që kishin vepruar; bëri shkëputjen nga fantazia dhe pruri realen, të besueshmen, ai arriti të krijonte konceptin shkencor në qëndrimet ndaj ngjarjeve.

Dymijë e pesëqind apo tremijë vjet më përpara, në mënyra dhe forma të shumta, gjejmë mënçuritë, dijet, përvojat, të cilat i kanë shërbyer dhe i shërbejnë shoqërive njerëzore për të vazhduar ecjen drejt përparimeve dhe krijimeve të reja në përputhje me kohën. Por që të sigurohet kjo domosdoshmëri, kërkohet jo vetëm të njihen të shkuarat, por më e pakta të zbatohen në ato parametra pa u trembur se do quhemi të pa aftë dhe pengues të procesit dialektik të kalimit të plotë nga një gjëndje cilësore në një gjendje tjetër cilësore, apo nga më e vjetra tek më e reja.

Aktualisht, kemi dy mënyra veprimi në përdorim me efikacitet nga partitë politike, që për fat të keq kanë mbërthyer shoqërinë tone.

1.- Demagogjia

Demagogjia është praktikë politike që, realisht konsiderohet si gjenerim i demokracisë. Partitë politike krahas fushatave, demagogjinë e përdorin në vazhdimësi si mjet efektiv për të siguruar besimin e elektoratit me anë të joshjes së dëshirave, përmbushjes së synimeve të tyre me premtime, pavarësisht se as realizohen, as ndëshkohen megjithëse mbeten të pa përmbushura.

Një përkufizim të pranuar të demagogjisë, e gjejmë tek shkrimtari çek Milan Kundera (lindur më 01.04.1929), i cili e ka përkufizuar: “Ata që konsiderojnë djallin një ithtar të së keqes dhe ëngjëjt luftëtar për të mirën, pranojnë demagogjinë e ëngjëjve. Gjërat janë qartësisht më të ndërlikuara” “Demagogjija” përbëhet nga dy fjalë: demos=popull dhe ago=udhëheq, pra nënkuptohet se udhëheq populli.

Në pamje të parë krijohet përshtypje pozitive, mbasi thuhet që udhëheq populli. Por të vërtetën e demagogjisë e ka sqaruar historiani Thukididi, nisur nga demagogët athinas që zëvëndësuan “udhëheqjen e popullit”. Ata me gënjeshtra mashtruan asamblenë athinase përms premtimeve të rreme, të pasinqerta dhe spekullimeve ndaj kundërshtarëve politik. Platoni, mbas disa vitesh, demagogjinë e përkufizon si formë të korruptuar të qeverisjes që rrjedh direkt nga demokracia.

Megjithatë në dallim nga qeverisjet e tjera të korruptuara si tirania dhe oligarkia, ai preferonte demagogjinë, mbasi kjo, të paktën nuk e shmang lirinë.

Le të sjellim në analizë veprimet e partive tona politike gjatë këtyre 28 viteve. Sigurisht, nuk do ti numurojmë ato, jo se nuk dihen, por sepse janë të përsëritura dhe ngjajnë 100% me premtimet e bëra që nga 1992 e në vazhdim, për të qenë më të saktë, premtimet demagogjike jo vetëm gjatë fushatave, por vazhdimisht, sidomos në këto vitet e fundit janë bërë më të sofistikuara për të qenë plotësisht të besuara. Po spekullohet shumë duke përdorur terminologji me parimet demokratike. Nuk gjej përshtatje më të mirë për tu kuptuar demagogjia e sotme tek ne se sa përcaktimi që i ka bërë politikani Abraham Lincoln (1809-1865): “Aftësia për t’u veshur ideve të vogla fjalë të mëdha”.

Një plagjiaturë e përsëritur dhe e ripërsëritur në çdo dalje publike, me të njëjtat fraza, shprehje, thirrje të tensionuara, por dhe të frikshme, dëgjojnë veshët tanë për 28 vjet rrjesht. Mendjet e njerëzve çoroditen, lodhen dhe humbasin disi edhe shpresat kur në fjalitë e të djathtëve dhe të të majtëve deklarohen me zell dhe pasion si të vërteta të pavërtetat. Përkrahësit adhurojnë mashtrimet; kundërshtarët përçmojnë dhe shtojnë argumentet kundër; të paanshmit rrudhin vetullat dhe shtrëmbërojnë buzët. Demagogjia në çdo rast vazhdon e funksionon!.

Ligjërata të tëra duke na premtuar për të vendosur demokracinë, vlerat e çmuara europiane, bashkëqeverisjen me popullin etj. Realiteti shpreh dhe vërteton demagogjinë, mos përmbushjen e premtimeve, etjen e pashuar ndaj pushtetit. Zhvillimi dhe përparimi në ngërç.

II.-Në të sotmen

2.- “E përbashkëta e mendimit publik”

Vëmëndje me fenomenin!. Koha na ka vendosur përballë disa metodave të reja, që në thellësi të synimeve të tyre, me (pa) dashje na shpien në drejtime të padëshiruara. Sot ndodhemi përpara fenomeneve, që në dukje të parë na shfaqen dashamirëse, tepër popullore. Për të shpalosur hallet, nevojat, kërkesat tona, ftohemi duke na krijuar bindje se kemi siguruar “të përbashkëtën” e mendimit politik, ekonomik, social dhe akoma më shumë paskemi plotësuar “të përbashkëtën” e mendimit popullor; na krijohen mjedise për bashkëqeverisje, për komunikime në krijimin e mundësive të zgjidhjeve të hallemadheve tona.

Pikërisht këtu qëndron mashtrimi i madh që politika, me anë të medies dhe jo vetëm, na fusin në “tru” se kemi fituar të drejtën e fjalës, të mendimit, por realisht janë këto metoda që indirekt lejojnë pakicën të përfitojë gjoja nga “bërja e qejfit” të shumicës popullore.

Kjo, gjoja arritje, na është ofruar nga disa subjekte, por për të qenë korrekt me kohën dhe problemet e sotme të konfliktualitetit ekstrem, e shikojmë, e dëgjojmë, e prekim dhe e ndjejmë fare të qartë tek deklaratat eshumta të politikanëve. Kështu ndodh kudo dhe përgjithshka. A nuk janë politikanët tanë që japin përshtypjen për “njëzëshmërinë” me deklarimet e tyre rreth bërjes së Reformës në Drejtësi, apo dhe për plotësimin e detyrave të shtëpisë për të na u hapur dyer e Bashkimit Europian?.

Të vërtetën e mashtrimit politik na e tregojnë pikërisht ato që emërtohet “Politiat kontrolluese?”. Me pak vemendje. Këtë e gjejmë kudo, në parlament, në medie, në të gjitha institucionet shtetërore, në partitë politike dhe në subjektet juridike të Sh.A.-ve. Dhe, për realizimin e këtyre uniteteve, mjeshtërisht janë rrjeshtuar të gjitha llojet e medieve, të cilat na sundojnë duke u “futur” në trurin tonë, pa pushim nga mëngjesi deri në darkë. Nuk duhen anashkaluar disa tipa analistësh të cilët me analizat e tyre, duke dëgjuar dy tre fjalët e para kuptohen se rrahin “ujë në havan”. Në konceptin tim dhe të shumicës së njerëzve (pse jo përfshirë edhe këta lloj analistësh), të tilla analiza duhet thënë qesharake, por realisht na irritojnë, “na heqin trurin”!.

Edhe një herë cili është ky fenomen, që qenka kaq i maskuar? E thjeshtë dhe e drejtëpërdrejtë, është gjetja e epokës që jetojmë, është institucioni “Marrëdhënia me publikun”. Është mendimi unik shoqëror, ose kolektiv, që përgaditet nga mediet dhe nga e ashtuquajtura shkenca “Publik Relation”, të cilat veprojnë tek ne me shumë aftësi profesionale. Si një perde e padukshme (ose hi syve) mbulon mendjet tona, të ngriturit me “zë të fortë”, gjoja për të kundërtat mes parlamentarëve çdo ditë të enjte; për transparencat e deklarimit të pasurive të krijuara nga burime informale; kur në realitet ndodh ndryshe.

Ato “Zëra”, duke mos u shoqëruar me përgjegjësitë penale dhe me sekuestrimin e pasurive, veçse i ligjërojnë ato pronësitë duke i kthyer nga informale në pasuri formale. Forma të tilla, të cilat përfshihen në “thesin” e ”marëdhënieve me publikun”, aktualisht tek ne gjenden të shtrira gjërësisht, horizontalisht dhe vertikalisht në politikë, në sistemin e drejtësisë, të ekonomisë, shëndetësisë, pa përjashtim gjithandej.

III.- A jemi më të përparuar se të djeshmit?!

3.- Zgjidhjet në përputhje me specifikat e tërësores dhe të veçantës!

Aktualiteti i mbarëvajtjes së shoqërisë tonë, në konceptin tim, vërteton funksionimin e të dyja këtyre mënyrave veprimi gjatë 28 viteve. Me njohjet historike dhe të bashkëjetuara me ‘to gjatë po thuaj një shekulli, arrij të kuptoj se zhvillimi shoqëror nuk është i natyrshëm, nuk lejohet të rrjedhë sipas dëshirave, përpjekjeve të mbarë shoqërisë, ose më saktë të shumicës së saj. Përkundrazi fati i zhvillimieve tërësore ka qenë dhe mbetet i komanduar nga një pakicë, që në të shumtën e rasteve është shfaqur “zullumqare”, pa përjashtuar zellet, ambicjet për të sunduar.

Gjatë L2B u shfaqën dhe vepruan dy koalicione ndërluftuese. Aleatët (Amerika, Anglia dhe BRSS) kundër Boshtit (Gjermania, Italia dhe Japonia). Në përfundim Boshti u mund dhe humbi territoret. Aleatët fituan dhe ndanë territoret sipas dëshirave të tyre përzonat e influencave. Meqenëse jeta ime është e ndërlidhur në dy shtete fqinje, jam përpjekur të krioj njohjen e ngjarjeve kryesisht për këta dy shtete. Shtetin Grek, sipas “shortit”, pavarësisht realitetit të luftimeve kundër okupatorit, “Të Mëdhenjtë” e lanë zonë influence të së djathtës brenda Aleatëve. Shqipëria e “vogël”, mbas harresës u kujtua dhe sipas kontributit në luftën kundër pushtuesit, u kalua në zonën e influencës të së majtës brenda Aleatëve. Kuptohet se zhvillimi i shoqërisë ishte, në dorën e “Votës ndarëse të zonave të influencës” dhe jo meritës, apo normalitetit përkatës.

Brenda shoqërisë tonë, ndikon fuqishëm përdorimi i demagogjisë nëpërmjet një propagande të zjarrtë, e cila mbështetet tek streha e urrejtjes ndaj periudhës së shkuar 45 vjeçare të sistemt socialist. Njëzetetetë vite pa pushim, partitë politike përdorin për joshjen e elektoratit, urrejtjen e drejtë ndaj atij sistemi.

Të gjitha partitë tona, pamëdyshje shpalosin në programet e tyre parimet e rendit demokratik. Po këto parti gjatë gjithë jetës politike, ekonomike dhe sociale ndeshen në konflikte të ashpra me njëra-tjetrën po për të njëjtin rend. Akuza të njëjta, të ndërsjellta kundër sistemit të shkuar diktatorial. Debate të pa fund të shoqëruara me tensione të përsëritura në çdo vend; në rrugë me protesta; në festat kombëtare me slogane pak a shumë edhe të ngjashme; në parlament dhe në forume të ndryshme ndërkombëtare të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit.

Partitë tona politike, pa përjashtim deklatohen në mbështetje të vlerave demokratike dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kaq bindshëm deklarohet nga të dy krahët politikë, sa nuk ka pikë dyshimi. Ndërkombëtarët, miq dhe dashamirës të sinqertë, na vëzhgojnë dhe sipas sjelljeve tona që bien ndesh me deklarimet dhe fjalimet e glorifikuara, na “gozhdojnë”, duke na “përkëdhelur” se duhen bërë edhe këto dhe ato detyra shtëpie.

Aktualisht jemi në prag të vendimmarrjes historike për vendin tonë. Po ashtu mbas një muaji është data e dekretuar e zgjedhjeve lokale. Palët politike në konflikt të pa parë, të ashpër, të egër, më tepër se armiqësor!. Për Shqipërinë betohen, por Shqipërinë e dëmtojnë, e dhunojnë, e xhveshin dhe e turpërojnë. Sa më shumë tym e flakë, sa më shumë konflikte e kundërshti mes partive, aq më larg shtyhen evenimentet historike për ne.

Miqtë, dashamirësit krahas keqardhjes, ndjejnë edhe detyrimin “tërësor” për të ruajtur vlerat e demokracisë, përpiqen të na kthjellojnë po me parimet dhe vlerat e demokracisë. Shprehin vullnet ndihmuues që zgjidhja ti përshtatet parimeve tërësore të vlerave demokratike, duke na këshilluar të kapërcehen inatet, këmbënguljet dhe e “Patjetra e pushtimit, apo zaptimit të pushtetit”!.

Në realitetin politik shqiptar, duke qenë se është me qendrime jo mbështetur në vlerat e demokracisë, zgjidhja ndofta mundet të favorizojë palën që di ta përdorë më mirë, më bindëse demagogjinë për një “Shqipëri si gjithë Europa”. Nëse zgjidhja do të funksiononte kështu në përfundim, na sjell në kujtesë pikërisht ndarjen e territoreve sipas zonave të influencës në L2B dhe jo zgjidhjen natyrale, që ti përshtatet dhe ti përgjigjet specifikave të veçanta të çdo shteti dhe çdo populli.

Shpresojmë në një zgjidhje sa më natyrale dhe të frytshme për të siguruar çeljen e negociatave me BE-në. Një arritje reale për ëndrën shqiptare sa të vjetër në kohë, aq të dëshiruar në zemrat e 95 përqind të të gjithë popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat