Ekologjia e kufomave

Opinione

Ekologjia e kufomave

Nga: Reis Mirdita Më: 27 maj 2019 Në ora: 14:39
Reis Mirdita

Jam ithtar i ekologjisë dhe jam i bindur se një shumicë e njerëzimit është gjithashtu por të kërkohet ajo në kurriz të kufomave, nuk është zgjidhja më e mirë e shmangies nga ndotja, sidomos pa u vërtetuar saktësia e pohimeve që lansojnë firmat e ndryshme të interesuara për fitime.

Dy teknologji të reja posa janë zbuluar për tretjen e kufomës së njeriut dhe kështu kinse zvogëlohet ndotja nga 35 gjer më 60% në krahasim me djegien ose balsamimin e saj. Metoda e zbuluar mundëson shkatërrimin (tretjen) me reduktim të konsiderueshëm të gazrave ndotëse. Ajo gjithashtu parandalon shpërndarjen në natyrë të dyoksinës dhe zhivës e cila vjen nga mbushjet (plombimet) e dhëmbëve.

Teknologjia për të cilën bëhet fjalë u zhvillua nga sipërmarrja Britanike Cryomotion e cila shpjegon se bëhet fjalë për metodë të përdorimit të azotit të lëngët që bënë ngrirjen e trupit në –196°C dhe kështu e redukton atë në grimca të thara. Kjo metodë, gjithnjë sipas kësaj firmë, është shumë më ekologjike dhe nuk kushton më tepër se djegia. Kjo zgjidhje do të komercializohet nga viti 2012.

Një metodë tjetër e zbuluar më parë në Skotllandë nga firma Resomation nënkupton zhytjen në një përzierje të ujit dhe hidroksidit të kaliumit e gjithë kjo e nxehur 160-180°C me kohëzgjatje prej 3 orësh. Kufoma kështu zbërthehet në pluhur eshtor të cilin mund ta merr familja e të ndjerit.. Kjo metodë momentalisht ka gjetur përdorim në shtatë shtete të SHBA.

Informacionet që gradualisht janë duke zënë mjaftë hapësirë në mediat perëndimore për këto dy risi, s’janë tjetër vetëm një manipulim publiciteti për kapjen e tregut të varrimit dhe qeset e hapura të familjarëve që nuk kursejnë në këto raste. Nëse kjo fillon të përhapet vazhdimisht në botë, do të jetë më tepër dëm se sa dobi ekologjike. Pse?

a) Shumë krematori me nxehtësinë për djegie e përdorin për nxehje qendrore në distancë, pra te na i thonë: « një udhë e dy punë » ;

b) pjesa dërmuese e shteteve ku praktikohet në masë më të madhe djegia, kanë lëshuar ordonancat e tyre gjegjëse për tubimin e zhivës me filtra të posaçme dhe ;

c) statistikat e fundit në botë regjistrojnë për krematoriumet lirim të 6,8 milion t. metrikë dyoksid karbonik për çdo vit.

Mendoj se me të dy metodat e reja që reklamohen në botë, ndotja do të jetë shumë më e madhe për shkak se akoma nuk është llogaritur i gjithë procesi kimik, fizik e material për arritjen e kushteve të trajtimit nga qendra shkencore të pavarura. Vetëm ato janë kredibile dhe vetëm atëherë do të dimë me saktësi se cila është energjia e duhur për ftohje (-196°c për Cryomotion-in) ose për nxehje të lëngut të hidroksidit të kaliumit (180°C për Resomation) dhe kjo do të jep rezultatet përfundimtare të (mos)ndotjes.

Kulmi i kundërthënies është e dhëna se të dy sipërmarrjet që propozojnë risitë e tyre ekologjike, janë firma funerale. Nuk kam dëgjuar të propozojnë diçka ekologjike për ndërtimin e sarkofagëve e të mermerëve, t’i thjeshtësojnë ata dhe kështu të zvogëlojnë dëmin në ndotjen e natyrës…

Si do që të jetë e për fat, një pjesë e madhe e njerëzimit i përmbahet akoma metodës më të vjetër historike: varrimit të kufomës. Një pjesë e konsiderueshme nuk i përcjellin kufomat pa iu hekur aparatet e inkorporuar në trup me intervencione mjekësore që ishin më se të nevojshme gjatë jetës së subjektit. Kjo ka pjesën e vet pozitive sidomos nëse këto materie (në të shumtën e rasteve metale) mos të hidhen por të tubohen për riciklim. Kjo besoj do të ishte mënyra më e mirë të ruajmë një traditë krejt duke qenë ekologë të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat