Lajmi nuk e mbulon lajmin, si bora që e zë borën, kot e ka Kadri Veseli

Opinione

Lajmi nuk e mbulon lajmin, si bora që e zë borën, kot e ka Kadri Veseli

Nga: Kimete Berisha Më: 28 maj 2019 Në ora: 19:23
Kadri Veseli/ Kimete Berisha

Isha ndal në të kuqen te semaforat përballë universitetit (e rrethuar me gra lypëse e me fëmijë romë që Shpend Ahmeti i lejon m'i rreziku jetët e tyre tuj t'u gju në haubë me të lyp pare e me t'i la xhamat kundër dëshirës tënde), kur në radio dëgjova lajmin për intervenimin e policisë speciale në Veri (në të njejtën kohë me shamjen e lypëses që nuk i dhash pare).

1. Shteti i Kosovës e kanë zbuluar një rus, e kanē arrestuar dhe e ka kanë liruar. Ky është lajm.

2. Lajm figurativ por i madh është se policia speciale, kur vjen puna me ba shqiponjën e lëshojnë armën 'në tokë'.

3. E lajmi i bukur është ai momenti kur policia jonë me makinën e tyre mavi e shtyjnë kamionin e portokalltë serb, ua praptojnë atë shkarantinë dhe e çelin udhën.

- Krejt janë lajme të mëdha, veç mbetet pa u bë lajm i madh për shembull lajmi se si Kosova i jep gjashtë milionë euro për katër kilomentra autostradë në Deçan. 
Jam e sigurt se as atje s'kanë gjetur korrupcion e pare ilegale më shumë sesa që gjen në të gjithë tenderat që zyrtarisht jep qeveria e Kosovës.

Taksirati sa m'i rreziku policët e pafajshëm e me i përdorë jetët e tyre si kukullat në vitrinë.

Kur sistemi i korruptuar i ndjekin të korruptuarit, nuk është lajm.

Lajmi nuk e mbulon lajmin, si bora që e zë borën, kot e ka Kadri Veseli
Se ne nuk jemi në krizë për mungesë patriotësh e për gjeste patriotike, ne jemi në krizë për drejtësi.

- I ngjyva flokët, e ngjita një tufë, u bana tebdil e hyra në një Institucion me rëndësi. 
Djali që ruante te porta, ftyrë rrumbullak, me faqe të kuqe, më pyeti kë po e kërkoj. 
I thashë, s'ja di emrin, por është kryesori këtu.
A ke lënë takim?
Jo. Po Kadria më ka çu m'u taku me të. 
Cili Kadri? 
- Kadri Veseli! Kam ardh m'u punësu, i thashë, jam e lindur për këtë punë...
- Aha. Shko merre aplikacionin, në zyrën nr...
Nuk e lash me mbaru fjalën, i thashë 'Shqip po flas, m'ka çu Kadri Veseli'. 
Qeshi pak me mbrrola. 
Në ato çaste u afrua një 'drejtor' e më pyeti: A mundem me t'ndihmu?
I thashë, jo s'ka nevojë, veç erdha m'u lajmëru në punë, m'ka çu Kadri Veseli me ja fillu punës, po mos llogaritni në mu me fillu në qershor se e kam agjendën e ngjeshur me pushime por në korrik këtu më keni. 
Ditën e mirë. Dhe dola.

'Drejtori' mbeti i habitur, kish pas kujtu se veç atë e ka punësu Kadri Veseli, e të tjerët janë punësu me konkurs. 
Kah dola, me shpinë e pashë që kur i thashë 'ditën e mirë', menjëherë e kapi telefonin me 'zbulu rastin'.

- Se, ti mos kujto se personi te i cili intervenon, nuk e telefonon n'alla minut, personin që t'ka çu te ai, m'i pyet 'a është e jotja ajo bukuroshe që po lyp punë'!

- Nejse, përveç ky Faton Dalladaku, artist i popullit, kamerman i kamerës së fshehur, i cili guxon aq shumë sa i spiunon spiunat e kriminelët dhe i vë në grackë.

- Rrahim Hashimi po shetit rrugëve i lirë, i lirë si Kadri Veseli. 
Dikush po loz veç 'pak' me ndjenjat e Kadri Veselit, se me ja shtru zullumin qysh munden e dinë, e bëjnë për hoxhë. 
Kush po loz me ndjenjat e tij , atij Zoti xhenetin...
Ata që t'i rrehin krahët kur i ke punët 'llugë'', janë hasmit. Se, jo shoku i mirë të 'gjindet' në ditë të vështira, po hasmi, bash ai që t'ka pru n'atë ditë paraqitet i pari me t'marrë me t'mirë.?.

- Gjithmonë bëhesh i dyshimtë, atëherë kur më së shumti mundohesh mos m'u bë 'i dyshimtë'. 
Presidenti e quajti 'mik' Kadri Veselin në ditët e 'armiqësisë'...tha: gjynah që po ia keqpërdorin emrin në këto video krime, që Presidentit i quan veç 'maskarallak'.

- Ramush Haradinaj, shkoi në të pame te Kadri Veseli dhe në vend se me fol për botën tjetër, për ahiretin dhe për Barzakun (apo jetën në varr) qysh flutet ai e cilësoi familjen e Kadri Veselit si familje 'atdhetare'. 
Edhe, çka? Çka ka lidhje vdekja natyrore me atdhedashurinë. 
(Boll që nuk ia nisi me ia këndu tallkinin tëbvdekurit, se është n'element t'muzikës).

- Kur Kadri Veselit po i qan zemra, Ramush Haradinaj po i këndon. 
Ju ka avit Daçiçit për nga delli muzikor, çiftit të tij boshnjakët i thonë 'meraklija', dikush që ka qejf me knu, po s'din me knu.

Në një takim me Mogherinin, Daçiçi i ka treguar asaj idiomen serbosllave 'kush këndon nuk mendon keq', që është një rren e kulluar se edhe këngëtarët dinë me qenë kriminelë, dhunues e hajna të mëdhej, sidomos ata që e dinë këngën po nuk u shkon zani. 
Edhe Frank Sinatra ka qenë në CIA, çka me ba tash, 'Këndo i lagur në shi'!

- Një këshilltar i Kadri Veselit, para buke reflektoi, e mbas buke e spjegoi shtruar 'filozofinë' e fajdeve ku përmendet emri i shefit të tij dhe tha se ju kanë gju njerit, për arsye se po don me bo Tribunalin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve. 
Aman, Plato tregoj Aristotelit se video e krimit u bë më 2012, kurse fotografia porno më 2002.

- Kush po don me ba atë Tribunal? Me kë? Me ata që e vodhën 'dhomën e dëshmive' në stacionin policor dhe nuk dha kush përgjegjësi.

- Ku Tribunal? Në një vend ku krejt e dinë, ku edhe Presidenti e ka thënë (e Rada Trajkoviç e ka cituar) se 90 për qind e më shumë e dëshmitarëve janë vrarë! 
Janë vrarë dëshmitarët shqiptarë të vrasjeve të shqiptarëve nga shqiptarët, a çka ka ndodh, pse nuk u zbardhën vrasjet kurrë?

- Ata kanë qenë 'dëshmitarë' të 'vrasjeve politike', prandaj 'i vranë'. 
Vrasjet politike 'nuk ngjehen'! 
Se as LDK-së nuk i bëhet vonë.

- E Isa Mustafa po shkon rrugës së Gjergj Dedës...Hala mban ymyd që Presidenti ka me ba kryeministër. 
Prandaj, s'u bë pa dal me marrë n'gji Hashim Thaçin.
Sipas Isa Mustafës, as Isa Mustafa s'u përkulë para varrit të Titos? 
As Bill Clinton nuk i ka drejtu vërejtje me shkrim (lexo NYT) Sali Berishës për furnizimin me naftë të tanskeve të Millosheviçit dhe as Hashim Thaçi nuk ka fol me Vuçiçin për ndarjen e Kosovës.

Isa Mustafa e ka zanat të bëhet qesharak kur është puna serioze. 
Nuk hesht kur e di se asnjë 'zeje' tjetër nuk e njeh më mirë se heshtjen.

- Kush m'i zbardh vrasjet? 
Këta që si Ilir Meta numërojnë pare para kamerave si ato prostitutat para sabahut, e kur ju del duçi paraqiten si ata kurvarët nëpër filma kur edhe pse i zënë 'një mbi një' katijen nuk e pranojnë atë që shihet me sy, thonë 'nuk është ashtu siç duket'.

- E qysh është? 
A me ju besu syve kur shohim videot e kriminelëve që bëjnë kërdi në emër të Kadri Veselit , apo m'i besu fjalëve të Kadri Veselit. 
Normal që Kadri Veseli thotë se është 'i pafajshëm'.

- Bile sot ana e pafajshke e Kadri Veselit ka shku në fshatin Çabër si çlirimtar. 
Dhe atje ka thënë se 'askush nuk i shpëton ligjit', përveç Rrahim Hashimit (se këtij 'për pak' ju ka vjetru krimi e atyne tjerëve jo, anipse kanë ndodh në të njejtën kohë, po varet qysh e percepton kohën).

- Kadri Veseli po lyp vet nga drejtësia të zbardhet krimi në fjalë, ku 'dëshmitarë kundër tij janë shokët e tij', të cilët pa u bë 24 orë thanë që as s'e njohin Kadri Veselin, bile as s'kanë pi kafe me të, veç bukë e mish kishin pas hëngër bashkë dhe ishin kap përqafe në fotografi.

- Kosova i fallsifikon afatet e ushqimit dhe i helmon popullin, por afateve të krimeve u rrin gati mos me skadu. 
Disa afate të krimit maten sipas kalendarit gregorian, e disa krime që kanë lidhje me pare, e kanë afatin e sheqerit, që do të thotë nuk kanë afat hiç.

- Ama, milionerat e Kosovës m'u bashku me
ata të Shqipërinë, po. 
Hashim Thaçi ka vendos ta bëj bashkimin kombëtar sepse e di se kurrkush (prej politikës zyrtare) përveç tij nuk e do atë bashkim.

- Është rr.s. m, duhet me ja pranu. 
Është lojtar i madh dhe bën gjeste mbresëlënëse. Përveç që lyp bashkim sepse e di se më së pari ia bën refuz Shqipëria, shkon dhe ndërton shtëpi në Brezovicë, për me ua nxi serbëve borën dhe që është edhe më atraktive, e përmend bashkimin e Preshevës me Kosovën, e Kosovën me Shqipërinë, me lehtësinë më të madhe, sa herë Serbia e përmend 'si të sajën', Kosovën.

- Dhe kështu, i paralajmëron serbët se ndarja e Kosovës do të thotë ndarje e Serbisë.

- Anipse, të vetmit ata që deri tash kanë 'punu' për bashkimin kombëtar janë këngëtarët (sidomos keta të repit dhe të popit) të cilët 'me pahirim na kanë bashku gjuhësisht. 
Tash nuk e kemi zor m'u kuptu, falë këngëve, dhe ne këndej i kemi bë ata andej m'i hëngër 'ë'-të pa zë e me zë. 
E për ta vërtetu atë formulën e vjetër të joshjes se 'kur i ikë t'ndjek, e kur e ndjek, t'ikë', ka ndodhur që Kosova të ftohet gradualisht prej Shqipërisë dhe sa më shumë që bashkohet me të, aq më shumë e humb interesimit të jetë me të.

- Hashim Thaçi e di që nuk mundet me llogarit në Edi Ramën, i cili së fundi është i zënë me serialin e letrave që po ia dërgon Lulzim Bashës. 
Mashkulli i vërtetë u çon letra veç femrave dhe dikujt që i duket 'si femër'. 
Nejse edhe Seneka i ka shkru Letra Lucilit, por shkaku se Lucili e ka pyet, e Seneka i është përgjigj, pra u çohet letra edhe të rinjve.

- Edhe pse i zënë me bashkimin kombëtar, nuk ta harron ty Hashim Thaçi 'Pronton', se e ka vërejt Presidenti (edhe unë e kam vërejt) se në aferën Pronto veç emri i Kadri Veselit nuk u përmend, veç Kadri Veseli nuk u habit 'me gabu' që do me thënë sipas Jul Cezarit 'Fajtor është ai që ka përfitu nga situata'.

- A është kjo luftë brenda llojit! Kush iu bjen në fije këtyre kriminelëve! 
Tash ju vet po e shihni a më e rëndë është 'Pronto' a ''Fajdet', në Pronto flitej për do emërime politike e punësimet e do praktikantëve, u fryke Adem Grabovci me do takime në Bruksel, flitej për Lumezin 'e tyre', kurse në aferën 'Kadri Veseli' s'ka fjalë, aty thahen paret.

- I vetmi politikan hakmarrës në Kosovë (përveç Isa Mustafës, që digjet m'u hakmarr po tutet me provu), është Hashim Thaçi.
Nuk ta fal ty Hashim Thaçi që i largove 'shokët e shoqet' e tij prej partie, me idenë se do ta 'rishkruash historinë' e katundarëve të PDK-së, me 'qytetarin' Uran Ismajlin, i cili të sëmurëve 'katunar' në interno u jep ushqim për darkë: zdenka, virshlle dhe sallam.

- Në emër të Kadri Veselit u ndërtu Mitrovica, (ti mos më beso mu, shko pye në Mitrovicë e këqyr çka të thonë shqiptarët për të)...ku soliteri e zë soliterin dhe puthiten, në emër të tij u bë kërdi, dhe tash erdh dita, po e ngin veten SHIK.

- Ndoshta edhe është 'i pafajshëm', çka s'bën vaki, ama edhe nëse e merr minaren në shpinë e del rrugëve lyp mëshirë, atij s'i beson më kush.

- Në emrin e tij, s'ka lënë e zezë e Zotit pa u bë n'këtë vend. 
Njerëzve që flasin në emrin e Kadri Veselit edhe vet ua kam pa sherrin shumë dhe ua shoh përditë (madje i kam zënë edhe tuj më fotografu e spiunu në çdo lëvizje).

P.S. U çova herët, dola në ballkon. Shpirti më peshonte më rëndë se trupi. 
Pash ëndërr sikur e përbiva detin. Kur i çela dritaret, e zura veten duke thirr 'O Zot i mëngjesit', anipse e bëra njet të lutem për veten, e gjeta veten duke u lutur për krejt dikë tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat