Falja e gjaqeve u bë në emër të rinisë, flamurit, kombit e atdheut

Opinione

Falja e gjaqeve u bë në emër të rinisë, flamurit, kombit e atdheut

Nga: Sadri Rexhepi Më: 28 maj 2019 Në ora: 21:33
Sadri Rexhepi

i fundit i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve u mbajt më 17 maj 1992 në Institutin Albanologjik në Prishtinë, ku u dhanë vlerësime pozitive rreth rezultateve që ishin arritur në terren për pajtimin e gjaqeve.

Lëvizja gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve e viteve të 90-ta, e cila u organizua në Kosovë, erdhi si pasojë e suprimimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989 dhe diskriminimit, gjenocidit e terrorit të paparë ndaj popullit etnik shqiptar nga regjimi diktatorial i Milosheviqit. Kjo Lëvizje e Pajtimit të Gjaqeve për kohën kishte rëndësi shumë të madhe për bashkimin dhe krijimin e unitetit të popullit shqiptar në Kosovë. Kjo Lëvizje ka arritur të pajtojë rreth 1.500 gjaqe, 1000 plagë dhe 1000 ngatërresa në të gjitha trevat e Kosovës. Veprimtarët e dalluar të kombit kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në këtë drejtim gjatë viteve 1990, 1991 dhe 1992.

Kjo Lëvizje e nisur nga rinia e Kosovës në fshatin Lumbardhë të Pejës, është përkrahur dhe ka vazhduar edhe nga profesorët e Universitetit të Prishtinës e intelektualë të tjerë, ndërsa është prirë nga korifeu i Lëvizjes, Prof.Anton Çetta, të cilën e shoqëronin edhe shumë veprimtarë, atdhetarë, pleq, hoxhallarë, priftërinj, etj., të cilët me guxim dhe fare pa përtesë e dhanë kontributin e tyre të çmuar gjatë dy viteve në rrugën e pajtimit kombëtar, që u bë në emër të rinisë, flamurit, kombit e atdheut.

Kjo rrugë e nisur nuk ishte e rastësishme dhe pa vështirësi. Megjithatë, populli ishte shumë i vetëdijshëm se pa pajtim të të gjithëve, nuk mund të arrihej asgjë e as çlirimi kombëtar dhe liria. Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve mund të thuhet se ishte faza e parë e përgatitjes së popullit për rezistencë aktive apo thënë më mirë për rezistencë të armatosur. Kjo ngase largpamësit e dinin se lufta do të vinte, duke u bazuar në diskriminimin, dhunën, terrorin dhe gjenocidin që e bënte regjimi i Millosheviqit. Përveç mbajtjes së tubimeve të mëdha popullore nëpër qytete dhe fshatra të Kosovës, janë mbajtur edhe tri Kuvende të kësaj Lëvizjeje, përfshirë këtu edhe Kuvendin përfundimtar apo të fundit të Lëvizjes, i cili u mbajt më 17 maj të vitit 1992 në Institutin Albanologjik në Prishtinë, ku morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e Këshillit Qendror të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve nga të gjitha trevat e Kosovës.

Në të gjitha tubimet popullore të pajtimeve janë mbajtur fjalime me përmbajtje kombëtare dhe porosi për falje të gjaqeve e unitet të popullit, sepse sipas veprimtarëve pa unitet nuk do të kishte kurrfarë përparimi kombëtar, sidomos në aspektin e vetmbrojtes nga gjenocidi. Të gjitha fjalimet në vete përmbanin apelin drejtuar të gjitha familjeve të hasmuara, se duhet t’i përgjigjeshin sa më shpejt thirrjes së popullit që gjaqet të falen në emër të rinisë, flamurit, kombit e atdheut. Veprimtarët e Lëvizjes të cilët flisnin në tribuna para popullit, thonin se populli shqiptar i Kosovës është vendës, etnik dhe i vjetër sa kodrat e Llapit, Shalës, Çyçavicës, Sharrit, etj., se populli shqiptar i Kosovës është bimë e kësaj toke. Veprimtarët e Lëvizjes aktivitetin e tyre e zhvillonin me shumë vështirësi për shkak të pengesave dhe dhunës së milicisë serbe, për shkak të arrestimeve dhe marrjes në pyetje nëpër stacionet e milicisë, për shkak të maltretimeve fizike e psikike. Mirëpo, veprimtarët nuk pushuan së vepruari, duke e ditur rëndësinë e pajtimit të gjaqeve, e cila qonte në unitetin e gjithëmbarshëm kombëtar. Me këtë rast vlen të përmendet se familjet e hasmuara pajtoheshin për hatër të rinisë, për hatër të flamurit, për hatër të kombit dhe për hatër të atdheut. Ato familje e kuptonin se më e rëndësishme është rruga e unitetit kombëtar, e cila qon drejt çlirimit të popullit, se sa gjaku i familjarëve të tyre. Rëndësia bëhej edhe më e madhe kur edhe familjet të cilat ishin betuar se kurrë nuk do ta falnin gjakun e familjarëve, u bindën se falja e gjaqeve duhej të bëhej për popullin, u bindën se falja e gjaqeve do të ndikonte pozitivisht edhe te ato familje të cilat ishin në dilemë për falje. Me kalimin e kohës numri i faljeve sa vinte e shtohej.

Themeltarët e parë të Lëvizjes kanë qenë Myrvete Dreshaj, Hava Shala, Adem Grabovci, Ethem Çeku, etj. ndërsa më pas këtij grupi iu shtuan edhe intelektualët e shquar të kombit, sikurse Anton Çetta, Zekeria Cana, Muhamet Pirraku, Mujë Rugova, Musa Limani, Mark Krasniqi, Murat Bejta, Hakif Bajrami, Mehmet Halimi, Don Lush Gjergji, Idriz Kokrruki, Emin Kabashi, Xhevat Kryeziu, Latif Berisha, Ramë Buja, Zymer Neziri, Behram Hoti, Sadri Rexhepi, Abdullah Zhegrova e Akile Dedinca, Bajram Kurti, Xhafer Kabashi, Kajtz Rrecaj, Hajzer Krasniqi, Jahir Potoku, Selim Obranqa, Mujë Loshi,Sali Hoxha e shumë e shumë të tjerë. Kuvendi i fundit i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve u mbajt më 17 maj 1992 në Institutin Albanologjik në Prishtinë, ku u dhanë vlerësime rreth rezultateve në pajtimin e gjaqeve. Sivjet, pikërisht me këtë datë, pra me 17 maj mbushen 27 vjet nga mbajtja e këtij Kuvendi, të cilin duhet ta përkujtojmë, për shkak të rëndësisë së madhe historike dhe kombëtare. Në këtë Kuvend morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e Këshillave Regjionale të Pajtimit nga të gjitha trevat e Kosovës, të cilët raportuan për bilancin përfundimtar të pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave. Sipas raporteve të tyre doli se për këtë periudhë kohore ishin shënuar rezultate inkurajuese në këtë drejtim. Vetë fakti se ishin pajtuar mbi 1500 gjaqe, rreth 1000 plagë dhe rreth 1000 ngatërresa, tregon qartë për këtë aktivitet të ngjeshur të veprimtarëve të lëvizjes së pajtimit të gjaqeve. Drejtues të këtij Kuvendi ishin Anton Çetta, Zekeria Cana, Mark Krasniqi, Myrvete Dreshaj dhe Marjan Demaj, kurse procesmbajtës ishin Mehmet Halimi dhe Ramë Buja. Këtu u fol gjerë e gjatë për rëndësinë historike të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në periudhën e sipërcekur dyvjeçare dhe ishte vlerësim i të gjithë të pranishmëve se Lëvizja shënonte unitetin e popullit shqiptar të Kosovës për të ndjekur rrugën e lirisë dhe të pavarësisë. Prandaj, shënimi i 27 Vjetorit të Kuvendit përfundimtar të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve na e rikujton një ngjarje të madhe e të rëndësishme historike, e cila mund të thuhet se ishte faza e parë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Për këtë arsye, Shoqata e Historianëve “Ali Hadri”, me seli në Prishtinë, duke pas parasysh rëndësinë e madhe të kësaj date historike, pritet të organizojë një Tribunë publike për të shënuar 27 Vjetorin e kësaj ngjarjeje të madhe kombëtare, ku do të marrin pjesë veprimtarët e pajtimit të gjaqeve, profesorë universiteti, intelektualë dhe qytetarë, të cilët u angazhuan maksimalisht në pajtimin e gjaqeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat