Gjarpri

Opinione

Gjarpri

Nga: Viron Kona Më: 29 maj 2019 Në ora: 19:22
Viron Kona

Një  pamje origjinale ne donim t`i jepnim,

përgatitjeve tona për provimet e  maturës,

në pyll pranë qytetit vendosëm t`shkonim,

ishim adoleshentë  e kërkonim aventurën.

 

Tabelën e zezë në një degë pishe e varëm,

ndjenim se freskia e pyllit na gjallëronte,

ushtrimet e vështira më lehtë i zgjidhnim,

mjedisi ishte frymëzues e na ndihmonte.

 

Gjatë kohës bisedonim me endje e gjallëri,

përmendnim metodën e Aristotelit t`lashtë,1)

që i zhvillonte mësimet në pyll e në natyrë,

ndaj mburreshim,na dukej vetja të veçantë.

 

Kur po debatonim zgjidhjen e një problemi,

shokët me ankth e me tmerr m`ngulën sytë,

mbi librin tim qe shfaqur koka e një gjarpri,

u rrëqetha i tëri: isha unë gjahu i tij atë ditë?

 

Në ato pak çaste mendja ku s`më shkonte,

truri nën presion po kërkonte një zgjidhje,

çdo sekondë dukej se fundin tim lajmëronte,

do t`i shpëtoja dot asaj kafshe të frikshme?

 

Askush s` bënte dot gjë për t`më shpëtuar,

sikur e gjithë bota të më vinte në ndihmë,

shokët, jo se jo, ata ishin krejt  të hutuar,

përgjonin të ngrirë si do të shkonte fati im.

 

Dora më vajti te një shkop pranë këmbëve,

heshtazi te goja e hapur e gjarprit e afrova,

kafsha vetëtimthi kafshoi majën e shkopit,

përfitova e, rrufeshëm, u ngrita, u largova.

 

Për fat grabitqari nuk e  vazhdoi më sulmin,

u përdrodh në bar e shkurre me fishkëllimë,

unë dhe shokët veten ngadalë po mblidhnim,

fatin si me magji na kish ardhur në ndihmë.

 

Morëm tabelën, mblodhëm librat dhe fletoret,

e u nisëm drejt shkollës të zbehtë, të mërzitur,

s`na duheshin fjalët, më tej mund ta rëndonin

atë ngjarje të frikshme, që na kish tronditur.

 

Ecja i menduar dhe gjithçka e kisha në sy:

dhëmbët e tij  helmues,ngjyrën blu e t`zezë,

sytë e  ndritshëm që më shihnin me lakmi,

me triumf të ligë e ngadhënjim ndaj presë...

 

Mos gjarpri më sulmoi se ish koha e shumimit,

stina  kur gjarpërinjtë bëhen shumë agresivë?

Apo aty pranë nesh ai mund të kish të vegjlit,

dhe ne që vinim rrotull i dukeshim kërcënim?

 

Sa herë që dëgjoj për gjarpërinjtë drithërohem,

më pas analizoj ngjarjen e frikshme me qetësi,

them se atij gjarpri nuk kam pse i zemërohem,

s`erdhi ai tek unë, u futa unë në territorin tij.

------------------

1).Aristoteli(384 p. e. re-323 p. e. re). Mendimtari më i gjithanshëm dhe filozofi më i madh i botës antike dhe një ndër filozofët më të mëdhenj në tërë historinë e filozofisë. Ishte student i Platonit dhe mësues i Aleksandërit të Madh. Në Athinë krijoi shkollën e  njohur që u quajt shkolla peripatetike (shëtitëse) ku mësimet bëheshin në natyrë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat