Historikisht, shumica e kritikëve fetarë kanë qenë vetë fetarë

Opinione

Historikisht, shumica e kritikëve fetarë kanë qenë vetë fetarë

Nga: Aurel Dasareti Më: 30 maj 2019 Në ora: 21:06
Foto ilustrim

Më pëlqen të shkruaj për njerëzit që luftojnë me pasiguri të brendshme, të cilët bëjnë zgjedhje të gabuara dhe sillen me vështirësi, poterexhi të pagdhendur. Ishte karnaval makabër i fesë. Kishte njerëz që, me gjeste të tyre shoqëruese, shprehën parullën e terroristit: “Unë dua të vdes më shumë se sa ti duash të jetosh”.

***

Kur një krye-hoxhë i famshëm (për budallallëqe) nga Kosova, nuk e mëson xhematin e vet se kur, si e qysh të falin namazin por i mëson se kur, si e qysh të bëjnë marrëdhënie seksuale gjatë ramazanit, duke i ndarë ato në “seks hallall” dhe “seks haram”, kjo tregon se një numër i konsideruar i hoxhallarëve shqipfolës janë kloun që nuk duhet marrë seriozisht për ndonjë gjë.

***

Çfarë është ajo që karakterizon kritika të mira fetare? Ku shkon kufiri ndërmjet kritikës konstruktive dhe ngacmimit me fenë?

Një kritikë stereotipe fetare është homologu i misionarit, i cili dëshiron të përzënë njerëzit nga besimi.

Por kritikat fetare ekzistojnë në shumë forma, dhe motivet për shpenzimin e kohës dhe përpjekjeve për të kritikuar tiparet negative të besimeve, apo praktikave fetare, ndryshojnë shumë. Qëndrimi brenda ose jashtë një feje ka shumë për të thënë, si për mënyrën se si kryhet kritika dhe si kritikët perceptohen nga ata që i përkasin një besimi.

Ka abuzim (keqpërdorim) të pushtetit në emër të fesë. Ekziston diçka krejtësisht e gabuar në një pikëpamje njerëzore, që i lë mënjanë nevojat e individit për një qëllim të përgjithshëm që hedh poshtë të gjitha konsideratat e tjera.

Është një dualizëm në vegimin njerëzor ku asaj shpirtërore i shtohet më shumë vlerë se asaj trupore dhe laike. I referohem idesë se parajsa është vendi ku njeriu vërtet i përket.

Jam një prej atyre që kam bërë thirrje për përballje me një kulturë që nuk lejon kritika për gjendjen e gjërave.

Si shumë të tjerë, besoj se ka probleme themelore në formën e Islamit që ka fituar feja. Unë respektoj besimtarët që e konsiderojnë Kur'anin si një libër të shenjtë që përmban fjalën e Perëndisë, por jam skeptik për shumë nga interpretimet ekzistuese të saj. Është e qartë se metodologjia tradicionale e interpretimit është e papërshtatshme dhe i pengon myslimanët të gjejnë zgjidhje kreative në kushtet e praktikave moderne.

Kjo është arsyeja pse shumë praktika myslimane sot karakterizohen nga diskriminimi, pozita e dobët e grave në komunitetet myslimane dhe një marrëdhënie e ndezur me blasfemi dhe braktisje. Intelektual të mirëfilltë botëror mendojnë se një rishikim kreativ dhe humanist i Kur'anit është zgjidhja për të gjetur mesazhin e vërtetë të Islamit dhe se kjo mund të jetë fillimi i një procesi për të lehtësuar efektet negative të shekujve të mashtrimit. Kjo lidhet drejtpërsëdrejti me krijimin e një sistemi të drejtë dhe konstruktiv që përfiton njerëzimi i asaj bote fetare në tërësinë e tij.

Shumë besimtarë myslimanë keqkuptojnë konceptin e kritikave të Islamit dhe e përziejnë atë me mohimin e fesë. Për mua, kritika e Islamit është një pjesë themelore e të kuptuarit të fesë siç duhet, sepse gjithmonë do të ketë një dallim midis: Fjalës së Perëndisë nga njëra anë, dhe kuptimi njerëzor i Fjalës së Perëndisë, nga ana tjetër.

Pa Reflektim Kritik njerëzit gjithmonë do të rrezikojnë të përfundojnë me kuptimet e mbërthyera të Islamit ku disa njerëz të pushtetshëm do të mbrojnë veten nga kritikat e jashtme duke iu referuar urdhërimeve të përjetshme të Perëndisë. Pra, kritika është thelbësore nëse njeriu duhet të shmangë zëvendësimin e Zotit me veten e tij gjatë pretendimit të të qenit lider i të kuptuarit të vërtetë të tekstit të shenjtë.

***

Mbrojtja e lirisë së shprehjes si motivimi kryesor në kritikën e saj ndaj fesë, për shkak se thirrja për diçka problematike pa pasur frikë nga pasojat, është ndër vlerat më të rëndësishme që ka shoqëria jonë.

A është më mirë nëse kritika vjen nga vetë besimtarët apo nga jashtë? Dallimi është se: njëra është kritika e jashtme dhe tjetra është më shumë higjiena e brendshme.

Nuk mund t'u drejtohem vetëm besimtarëve myslimanë dhe të them se "këtu duhet të pastrohet" dhe "distancohu nga terrori islamik". Ka edhe keqpërdorime (abuzim) në emrin e krishterimit, sidomos të atij sllavo-ortodoks dhe grek.

Paramendoni, a do të toleronte Evropa e njëanshme “demokratike” sikur gjakderdhjet më monstruoze që egërsirat çetnike i bënë ndaj boshnjakëve mysliman (1992-95) dhe shqiptarëve (1998-99) t`i bënin boshnjakët dhe shqiptarët ndaj serbëve? Absolutisht jo.

***

Në trojet shqiptare dua një trajtim fetar nga ana e besimtarëve mysliman dhe të krishterë ku ka vend për pyetje, vend për habi. Para së gjithash që feja myslimane të praktikohet siç i ka hije shqiptarit, e jo imitimin e të huajve.

Kam parë se në xhamitë e BE-së ku bashkarish i kryejnë obligimet fetare shqiptarët mysliman dhe ata arabik-afrikan-aziatik, vetëm ata tonët kanë në kokë kapelën, ama jo qeleshen shqiptare por atë të bashkë-besimtarëve të huaj brenda xhamisë. Ndërkaq vetë këta të fundit nuk e mbulojnë aspak kokën, me përjashtim të somalezëve. Fatkeqësisht, identiteti dhe krenaria jonë kombëtare shtrydhet dita-ditës, nga të gjitha anët. Diçka nuk është në rregull me ne.

***

A e dini se një prej motiveve kryesore të copëtimit të Shqipërisë nga ana e fuqive të mëdha, në Kongresin e Berlinit (1878) dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), ishte edhe fakti se shumica e popullsisë shqiptare ishte e kultit fetar mysliman? Të reflektojmë pra.

***

Keqpërdorimi i fesë sjellë përçarje fetare dhe tjetërsimin/asimilimin. Ndasitë fetare u shërbejnë armiqve. Kufizohemi me serb e grek që kanë pretendime territoriale ndaj trojeve tona. Patjetër të shporrim djajtë (kolonën e pestë) nga objektet fetare dhe nga propaganda publike; ata bashkëpunojnë me armiqtë e trashëguar nga e kaluara për të shpërbërë Vendin dhe racën tonë. Ndryshe, mua nuk më intereson aspak se kush në kënd beson ose nuk beson fare, kush prej nesh do të shkoj në parajsë apo ferr, në “xhehenem apo “xhenet”. Çështje private kjo e çdo individi të rritur, vetëm se askush nuk guxon të dëmtoj të tjerët (shoqërinë) me budallaqet e veta. Feja, nëse e vendosh (gabimisht) para kombit, le të praktikohet vetëm brenda Shtëpisë së Zotit dhe oborrit të shtëpisë tënde. Jo në rrugë. Jo në sheshe të qyteteve. Jemi vend laik. Jashtë (në arenën publike) ekzistojnë rregulla tjera që duam apo jo patjetër t`u përmbahemi. Përndryshe herdo kurdo, jo vetëm shkelësit por edhe gjithë shoqëria që i lejon ato, do të ballafaqohen me pasojat jo aq të lezetshme.

***

Rilindësit tanë luftuan pa lëkundje përpjekjet e dashakeqëve të huaj për t`i (keq)përdorur institucionet fetare si mjete për përçarjen dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve. Rilindësit luftuan me parullën se shqiptarët e fesë myslimane, shqiptarët e fesë së krishterë dhe jofetarët janë një, dhe duhet së bashku të ngrihen kundër armikut. Prandaj në programet e tyre politike për ardhmërinë e Atdheut, bënë ndarjen e kishës nga shteti dhe të shkollës nga feja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat