Si të vrasësh...!?

Opinione

Si të vrasësh...!?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 2 qershor 2019 Në ora: 15:44
Ilustrim

Si në asnjë vend të botës, në Kosovë ndodhën qindra e ndoshta edhe mijëra vrasje, por autorët kurrë s’u burgosën.

Vrasjet makabre, ku dyshohen shqiptarët me emër e mbiemër, për kryerjen e tyre, le që nuk u burgosën, por e morën në dorë edhe fatin e tërë popullit të Kosovës.

Paradoks i vërtetë ndodhi në Kosovë. Kryerësit e veprave penale, konkretisht ata që vranë, plaçkitën, uzurpuan e popullit të varfër i morën haraç, sot janë të gjithë së bashku. Të gjithë synojnë të ngjiten lartë e më lartë, në majën e shtetit!

Sipas informacioneve nga njerëz të ndryshëm, veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare, komandantë e pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe njohës të mirë të politikës, thuhet që, planifikimin e vrasjeve e kanë bërë qysh në fillim të viteve të 90-ta.

Sulmet apo fillimet e para të vrasjeve i kryen duke i qitur në pritë njerëzit e parë që filluan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vrasjen filluan herët. Shumica u kryen në prita. Si vrasja e Zahir Pajazitit, njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë e tradhtuan, ashtu siç e tradhtuan një popull të tërë.

Për vrasjen e Pajazitit nuk u dënua askush, edhe pse për publikun janë të njohur tradhtarët. Të paktën kështu kemi lexuar, ku edhe kemi parë akuza e kundër akuza të atyre që dyshohen për vrasjen e kryer.

Por, nuk filloj këtu vrasja e parë. Vrasjet e para në bashkëpunim me UDB-në serbe i kryen nga vëllezërve Gervalla, Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës.

Edhe për këto vrasje janë përmendur emra të njohur të LPK-së. Të dyshuarit shpesh kanë folur për këtë vrasje por duke ia gjuajtur topin njëri tjetrit.

Megjithatë, as sot e kësaj dite nuk u zbuluan tradhtarët, dorasit apo edhe urdhërdhënësit, e që padyshim që ka edhe shqiptar.

Së këndejmi, vrasjet vetëm u shtuan. Siç thash edhe më lartë, bashkëpunimi me shërbimin sekret serb, u tregoi hapat e duhur se si të vrasësh, e të mos zbulohesh.

Vrasjet përveç që u kryen në Kosovë, u kryen edhe në Shqipëri. Atje ku i gjithë populli i Kosovës i kishte shpresat.

Filluan të vrasin “cik e cak”. Një në Shqipëri, disa në vijat e frontit, e disa të tjerë duke i qitur edhe në prita.

Vetëm kështu mund të zhdukeshin faktet. Por njerëzit janë ende gjallë. Shumica e dinë kush kë e vrau.

Madje kemi akuza edhe direkte për vrasje. Këto akuza rëndojnë mbi presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, për anëtarët e Shërbimit Informativ të Kosovës, të prirë nga ish-kreu i tij, Kadri Veseli. Të akuzuar për vrasje, kemi lexuar se dyshohet edhe Xhavit Haliti. Pra, me një fjalë, të gjithë krerët e dikurshëm të LPK-së, të fondeve të milionëve që i zhvatën nga shqiptarët në perëndim, kinse në emër të luftës e UÇK-së dyshohen për vrasje sistematike.

Për vrasje të shqiptarëve, urdhërdhënës si i Komunikatës numër 59, dyshohet edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Të gjithë prej tyre janë gjallë, por askush nuk ka “kaçik” të flet e të tregon hapur, se ky, apo ai ishte urdhërdhënës.

E gjithë kjo mjegull i bënë fajtor dhe të dyshuar të gjithë ata persona që dikur ishin në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Por, e gjitha nuk përfundon këtu. Pra qindra personalitete të shquara e veprimtar të mëdhenj të çështjen kombëtare u vranë para luftës. Vrasjet çuditërisht vazhduan edhe pas luftës. E këto vrasje ishin tmerr për shqiptarët. Duke vrarë personalitete të shquara, vrasësit dhe urdhërdhënësit filluan të ngjiten ngadalë në skenë. Ata shkuan me hapa të sigurt. Vranë njerëzit e afërt të presidentit Ibrahim Rugova, një nga një. Kështu filluan ti vrasin patriotët e vërtet dhe vetëm në këtë mënyrë u ngritët vet.

Atentate kanë bërë edhe ndaj presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës, por që fatmirësisht shpëtoi prej tyre.

Pas kësaj, dalë nga dalë, krimi i organizuar dhe korrupsioni filloi rrënjtë. Ata u vendosë thellë e më thellë në nëntokën e Kosovës! Kapën institucionet e drejtësisë, Prokurorinë e Gjyqësinë, që edhe po të kapen nga policia të dalin të pafajshëm nga drejtësia.

Kaun gjetur forma e mënyra që dikush i largët të paguan për krimet e tyre. E këta, vetëm po forcohen si nga ana materiale, ku të gjithë tashmë janë bërë milionerë, ashtu edhe nga ana institucionale, ku i uzurpuan edhe institucionet më të larta të shtetit. Ata tash kanë arritur deri në presidencë!

Kjo ishte mënyra e ngritjes së kriminalitet në Kosovë. Kjo ishe mënyra e vrasjeve për të mos u dënuar kurrë! Vetëm në këtë mënyrë kapën gjithçka që u doli përpara. Vetëm kështu po shëtisin të lirë. Kështu duke vrarë u pasuruan. Kështu popullin e kanë plaçkitur, zhvatur e rrjepur për së gjalli! Kjo është Kosova për të cilën luftuan e u vranë veprimtarët dhe ushtarët e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat