Milionerët e Kosovës janë mëkatarë

Opinione

Milionerët e Kosovës janë mëkatarë

Nga: Rexhep Torte Më: 8 qershor 2019 Në ora: 09:59
Rexhep Torte

Redaksia e ”Bota Sot” tashmë me plot kuptimin e fjalës konsiderohet lider i informimit mbarëshqiptar. Kjo redaksi po punon me një përkushtim të madh  që lexuesve shqiptarë kudo që ndodhen në mënyrë të shpejtë tu ofrojë, lajme, informacione dhe opinione nga më të ndryshmet dhe nga tërë bota.

Në WEB faen e kësaj redaksie këto ditë patëm rastin të informohemi edhe për nivelin e pasurisë që disponojnë zyrtarët e lartë dhe personat publikë të Kosovës të deklaruar në Agjensionin Antikorrupsion.

Të themi të drejtën opinioni kosovar dhe ai mbarëshqiptar jemi trishtuar dhe të habitur si është e mundur që në një shtet të ri të sapo dalur nga një luftë e përgjakshme me  afër 15 mijë shqiptarë të të gjitha moshave të vrarë e të masakruar, mes tyre gra,  pleq, gra shtatzëna, por edhe fëmijë, edhe fëmijë duke pi qumësht në gjoksin  e nënës, krime  që i kryen ushria, paramilitarët dhe policët e Serbisë në agresionin gjenocidal në vitet 1998/1999. Në këtë agresion të Serbisë në Kosovë pati edhe  20 mije femra shqiptare të dhunuara barbarisht nga serbët, ka  1650 shqiptarë të rrëmbyer nga forcat serbë, fati i të cilëve ende nuk dihet. Në këtë aresion të Serbisë në Kosovë   më shumë se 1 milion shqiptarë kapën eksodin për të shpëtuar nga vdekja.

Si është e mundur pas të gjitha këtyre krimeve çnjerëzore që i kreu Serbia duke e bërë shkrumb e hi Kosovën, duke djegur  qindra mijëra shtëpi, këta zyrtarë dhe persona publikë të krijojnë kësi pasurie milionëshe maramendëse.

Si është e mundur dhe ku është dunjiteti, morali, fisnikëria dhe bujaria shqiptare që e lejuan  një pakicë kosovare të krijojë pasuri mbi pasuri, para mbi para, shtëpi mbi shtëpi, banesa mbi banesa dhe vetura mbi vetura, ndërsa pjesa dërmuese e popullatës  jeton në varfëri, ose pjesa më e madhe e të rinjve  janë të detyruar të marrin rrugën e kurbetit për të siguruar bukën e gojës.

Këto pasuri milionëshe të kësaj shtrese kosovare nuk kanë ardhur nga qielli, por janë fituar në mënyrë të paligjshme dhe me korrupsion.

Pasuria milionëshe nuk i sjell lumturi njeriut.Njeriu e ndjen lumturinë vetëm kur i ndihmon skamnorët e  të varfërit.

Kudo në një farë mënyre mund të arsyetohet  korrupsioni, por në Kosovën e larë me gjakun e trimave e të viktimave kurrë jo.

Çdo  njeriu  që vrapon pas pasurimit në mënyrë të pashmangshme e domosdoshmërisht për të shpëtuar nga mëkatet i nevojitet terapia e besimit fetar, sepse kjo është mënyra më efektive dhe dobiprurëse që njeriu të largohet nga  veprimet e liga.

Kur’ani famëlartë i jep kuptim jetës dhe  nuk u drejtohet  vetëm arabëve, por i drejtohet tërë  njerëzimit  për ta udhëzuar në mirësi, solidaritet, mëshirë, drejtësi e barazi.

Kur”anin Allahu i madhërishëm e shpalli nëpërmjet Profetit Muhamed edhe atë pas shpalljes së Teuratit dhe të Ungjillit, pasi këto dy shpallje  u devijuan nga besimtarët.

Kur’ani është i përcaktuar e i pandryshueshëm, nuk pranon as shtesa e as pakësime.

Krizat  morale midis njerëzve lindin kur  shkelen  normat e kodeksit hyjnor dhe  vlojnë me antagonizma, urrejtje  e mëri.

Kjo ndodh  për shkak të  grumbullimit të  pasurisë në duart e një grupi njerëzish që kanë humbur ndërgjegjen  njerëzore, por edhe lumturinë shpirtërore të tyre që arrihet vetëm me respektin dhe ndihmën e ndërsjellë midis njerëzve

I vetmi shpëtim nga kjo situatë është zbatimi  i drejtë  i fjalëve  Kur’anore. Kjo don të thotë ta edukojmë veten në adhurimin e All-llahut Një, krijuesin fuqiplotë, me mirësinë, mëshirën, ndihmën e solidaritetin  mes njerëzve, duke patur synim arritjen e  drejtësisë e barazisë për tërë  njerëzimin.

All-llahu Krijues secilit ia ka dhënë edhe kushtet  për të jetuar, por janë njerëzit e ligë që me sjelljet e mëkatet që i  bëjmë ua marim nga goja  riskun të tjerëve, për  tu bërë më të pasur dhe më të autoritetshëm, pa menduar fare  se në botën tjetër domosdo secili prej nesh do të jep llogari para All-llahut për të gjitha të mirat e mëkatet që i ka bërë, duke ia caktuar  vetes Xhenetin apo Xhehenemin e merituar.

Besimtari nuk humb asgjë nëse e adhuron All-llahun, apo ruhet nga gjërat e ndaluara e të dëmshme, përkundrazi ai fiton udhëzimin dhe qëndrueshmërinë, mposht epshet dhe gjen qetësinë shpirtërore bashkë me kuptimin e jetës.

Besimi është çështje që peshon fort dhe ka një pushtet të padiskutueshëm në jetën e njeriut. Feja dhe besimi përbëjnë domosdoshmëri jetike, me të cilën njeriu ngrihet e lartësohet, ndërsa shoqëria rruhet, edukohet dhe zhvillohet.

Njeriu pa fe dhe besim i ngjan një puple të cilën e mer era. Njeriu pa fe dhe besim është krejt i pavlerë, i parëndësishëm dhe i pakuptimtë. Njeriu pa besim nuk mund ta dijë të vertetën e qenies së tij dhe as kuptimin e jetës.

Besimi Islam është besim që krijon hapësira si për materialen ashtu edhe për shpirtëroren, për të vërtetën dhe të fuqishmen, për fenë, shkencën, për këtë jetë dhe atë që vjen pas saj.

Çdo dry i mbyllur mirë kërkon doemos çelësin e duhur për ta hapur dhe ky çelës është vetëm besimi në Zot.

Besimi i vërtetë është tërësia e punëve që depërtojnë në thellësitë e shpirtit dhe të zemrës së njeriut.

Kur’ani paraqet vazhdimisht një moral të gjallë dhe vepra efektive. Ai që flet me besim, kërkon doemos që ajo që beson edhe të realizohet. Mendimi është kufomë e ngrirë. Mendimi është mjegull që mjegullon, ndërsa besimi është yll që ndriçon.

Faktet dhe argumentet flasin qartë se pas kësaj Gjithësie është Një Fuqi e madhe e cila e vë atë në levizje, e drejton, e orienton dhe e mban në mbikëqyrje, që në Kur’an dhe në Librat e Shpallur e quajnë me emrin më të bukur gjithëpërmbëledhës All-llah. Zotin e madhërishëm nuk mund ta perceptojë llogjika njerëzore, sepse njeriu akoma nuk e din të vërtetën për veten, për jetën që e jeton dhe për shumë nga dukuritë që shfaqen në gjithësi.

Gjithë ky krijim patjetër që duhet ta ketë Krijuesin e vet, gjithë ky rregull nuk mund të ekzistojë pa rregullatorin. Kur’ani nxit natyrën e pastër njerëzore me të cilën njeriu arrin të kuptojë në mënyrë të drejtpërdrejtë se ka një Zot të Gjithëfuqishëm dhe Madhështor, i cili e sheh dhe e mbikëqyr. Kjo  ka qenë varka e shpëtimit për ata që kanë hypur në të, ashtu siç ka qenë mohimi e përgënjeshtrimi porta e shkatërrimit dhe e mjerrimit për ata që kanë hyrë në të.

Kur’ani është shpallje e thirrje për lindjen e një shoqërie krejtësisht ndryshe nga ajo paraislame, shoqëri  e dalluar në besimin dhe bindjen e saj, në mënyrën e jetesës, shoqëri  ku nuk ka racizëm, klane, as krahinëzime e as klasa.

Kjo jetë nuk është fundi i jetës njerëzore, njeriu e lë këtë trup siç lë robën e tij, por prapë vazhdon të mbetet të jetojë një etapë tjetër, ku i miri shpërblehet për të mirat që i bën, dhe i keqi ndëshkohet për të këqijat e tij. Kur’ani argumenton mundësinë e rikrijimit, pas ringritjes së njerëzve nga varret vjen dhe llogaria e përpiktë dhe peshorja e drejtësisë absolute.

Xhenetin All-llahu e ka përgatitur si shpërblim për rrobërit e tij të mirë dhe Xhehenemin e ka përgatitur për njerëzit e shthurur e të mbrapshtë, ku janë bërë bashkë ndëshkimi shpirtëror e trupor.

Besimi Islam është besim i lehtë, i qartë dhe i kuptueshëm. Besimi Islam ka disa veçori që nuk ekzistojnë në besimet e tjera. Zoti është Një, Ai nuk ka as shok as fëmijë e as grua. Besimi Islam nuk është besim i huaj dhe kundërshtues ndaj natyrës njerëzore, por i përshtatur plotësisht si çelësi i duhur për kyçin perfekt.

Besimi Islam nuk pranon që dikush ta përqafojë atë i detyruar dhe i shtrënguar.

Shkenca nuk mund të japë përgjigje në pyetjet se cili është shkaku i parë i jetës, kush e filloi jetën në qelizën e parë të botës, si mund të spjegohen miliona gjëra që ndodhin në botë, dhe çuditë në vetet tona. Bibliotekat e botës janë përplot me libra ku shkencëtarët shprehen se shkenca orienton drejt Zotit dhe fton në besim.

Shqetësimet dhe problemet mendore të njerëzve në Perëndim janë pasojë e shmangies nga besimi te Zoti e bota tjetër, dhe dhënies pas përfitimeve materiale në këtë botë.

Rregullat me të cilat feja i ngarkon njerëzit i afron shpirtit njerëzor shumë më tepër kënaqësi sesa përfitimet materiale që nuk mund të zgjasin përgjithmonë.

Provat flasin se kushdo që beson dhe frekuenton vendet e adhurimit, gëzon një personalitet më të fortë e më të mirë se ata që nuk besojnë dhe nuk shkojnë në këto vende. Feja është besimi në ekzistencën e një fuqie si burim i jetës.

Kjo fuqi është vetëm Zoti, drejtuesi dhe rregulluesi i Gjithësisë, Krijuesi i qiejve dhe i tokës. Besimi është oazë e udhëtarit dhe ylli polar i detarit, orientuesi i të humburit dhe arma e luftëtarit, miku i të huajit dhe shoku i të frikësuarit, freri i të fortit dhe fuqia e të dobëtit.

SHBA-të janë vendi më i pasur në botë, por përsëri kjo nuk u ka sjellë lumturi amerikanëve. Këtu njerëzit përjetojnë një krize ndjenjash. Kjo manifestohet edhe në shtetet e Perëndimit me sëmundje të rënda psikologjike, me depresione, me konsumim të madh të alkoolit, të narkotikëve, si edhe me përdorimin e armëve dhe vrasjet e shumta të njerëzve të pafajshëm, duke mos përjashtuar edhe vetëvrasjet e shumta. E vetmja rrugë për tu shpëtuar këtyre dukurive devijante është mbështetja te feja dhe besimi.

Lumturia nuk është  te pasuria e shumtë e as te emri dhe pozita, as te fëmijët, as te përfitimet materiale, e as te shkencat eksperimentale.

Lumturia është diçka që njeriu e ndjen brënda vetes, është pastërtia e shpirtit, qetësia e zemrës, çlirimi i krahërorit dhe prehja e vetvetes. Lumturia është diçka që mbin nga brënda njeriut.

Nëse lumturia është një pemë që rënjët i ka te shpirti dhe zemra e njeriut, besimi te All-llahu dhe jeta tjetër, janë ushqimi, ajri, uji dhe drita e kësaj lumturie. Besimi bën që nga zemra e njeriut të shpërthejnë burimet e lumturisë që nuk mund të shterrojnë sepse pa ato nuk ka lumturi.

Pasuria, emri, pozita dhe shëndeti mund ti jepen kujtdo, por qetësinë e shpirtit vallë kush mund ta gëzojë. Qetësinë shpirtërore e jep vetëm besimi te All-llahu dhe jeta e përtejme, atë besim që depërton thellë në qenien e njeriut, të cilin nuk e prek dyshimi dhe nuk e prish shtirrja.

Njerëzit më të vuajtur, më të pasigurtë, më të shqetësuar dhe më të tronditur janë ata të cilëve u mungon mirësia e besimit dhe freskia e sigurisë. Ky është frymëzimi qiellor që All-llahu e zbret në zemrat e atyre që besojnë që ata të jenë të qëndrueshëm, të sigurtë dhe të kënaqur.

Mjekët dhe shkencëtarët duke mos gjetur shërimin e sëmundjeve shpirtërore të njeriut më shumë kanë konstatuar se shërimin më të mirë e bën feja dhe besimi, ndjesia e të sëmurit se është me All-llahun. Në një hadith All-llahu thotë “Unë jam ashtu si më mendon robi im dhe jam me të, sa herë që më përmend”.

Namazi është tërësia kur njeriu ndjen rritjen dhe ngritjen shpirtërore dhe largimin nga preokupimet materiale. Vetëm besimtari ndjehet i lehtësuar, i çliruar dhe i kënaqur. All-llahu në sprovat e tij nëse të merr diçka kuptoje  mirë se të ka dhënë shumë më tepër se ajo që të ka marë. Besimtari nuk e ka ndjesinë e pushtetit ndaj të tjerëve, por dashurinë, afrimitetin dhe vëllazërimin me të gjithë njerëzit.

Besimtari  e ka zemrën e pastër nga çdo inat dhe zili. Besimtari më i arirë është ai që e ka moralin më të përkryer. Egoizmi është sëmundje që e bën njeriun ti harrojë të tjerët dhe ti përdorë ata në shërbim të dëshirave dhe qëllimeve të tij.

Morali në fe është shtyllë e fortë dhe në shoqëri themel i patundur. Feja është fre e egoizmit të njeriut dhe mban nën kontroll dëshirat e tij duke e bërë fisnik e bujar.

Për përfitime materiale dhe për qëllime të ulëta bëhen vrasje, dhunime, dhe shkelje të vlerave njerëzore. Besimi është fuqi triumfuese mbi mashtrimin dhe epshin, pushtetin dhe autoritetin. Kjo është rruga drejt fitores mbi zakonet e dëmshme sot në shoqërinë njerëzore. Besimi është ndihma dhe përforcimi më i madh i qenies së njeriut.

Zekati është më shumë frytdhënës se ligjet e tatimit që njerëzit i bëjnë për të paguar sa më pak tatime. Zekati është obligim që muslimani një pjesë të pasurisë së tij duhet ta jep për çdo vit, dhe ky tatim jepet që më pas tu shpërndahet njerëzve nevojtarë, të varfërve dhe personave në udhëtim që kanë nevojë.

Tregtarët i mund dëshira për të fituar. Besimi bëri që njeriu ti ketë përparësi të tjerët përpara vetvetes.

Frika e besimtarit nga All-llahu është më e madhe se sa nga sundimtari i padrejtë.Besimtari e din me bindje të plotë se atë që e jep sot nesër do ta merr më shumëfish te All-llahu.

Feja Islame është në mbrojtje dhe përkrahje të së drejtës dhe të vërtetës. Sistemi i drejtësisë në fenë Islame është më i përkryeri nga të gjitha sistemet e tjera të drejtësisë.

Besimtari është i fuqishëm edhepse nuk ka armë në dorë, i pasur edhe nëse nuk posedon flori dhe argjend, është krenar edhe nëse nuk ka shokë e përkrahës, por që mbështetet vetëm në All-llahun.

Kur njeriu beson me sinqeritet All-llahun është më madhështor se malet e larta, më i fortë se hekuri që çan malet, më i fuqishëm se zjarri që shkrin hekurin, më i vrrullshëm se uji që shuan zjarrin dhe më i furrishëm se era që e çon ujin tallaz.

Islami i ka përcjellur të drejtat e njeriut 11 shekuj para revolucionit francez duke ngritur një sistem drejtësie që nuk mund ta konkurrojë asnjë sistem tjetër.

Besimtari ndjen mëshirë për të dobëtin, dhimbje për të brengosurin, dhembshuri për të mjerrin dhe solidaritet me të nëpërkëmburin. Besimtari është i bindur se lumturia në jetën tjetër nuk mund të kuptohet pa punët e kësaj jete.

 Është kënaqësi kur njeriu jeton 5 herë në ditë në namaz, në një mjedis të mbushur me paqe, gjallëri, barazi, drejtësi, me dashuri dhe qetësi, larg urrejteve dhe konflikteve që i ofron jeta e përditshme.

Kështu lindi tregtari i sinqertë, pasaniku bujar, punëtori i palodhur, pushtetari i ndershëm, gjykatësi i drejtë, prijësi i mëshirshëm dhe shërbëtori besnik.Nëse e përmirësojmë vetveten edhe shoqëria do të përmirësohet. Çelësi i gjithë kësaj është besimi në Kur’an.

Pasuria e tepruar i ngjan të ushqyerit e tepruar që sjell vetëm sëmundje dhe vuajtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat