Shqiptarët e Kosovës kanë çfarë reflektojnë

Opinione

Shqiptarët e Kosovës kanë çfarë reflektojnë

Azem Parllaku Nga Azem Parllaku Më 12 qershor 2019 Në ora: 20:47
Bill Clinton

I gjithë kombi shqiptar gëzoi sot jubileun e lirisë të pjesës tonë më të vuajtur dhe më të përgjakur për më shumë se një shekull. Shteti më i ri i shqiptarëve mbushi sot 20 vjet liri, dhe në një kohë të shkurtër ka fituar pjekurinë për të ecur më shpejtë drejt Europës, ku aspiron të bashkohet edhe me Shqipërinë.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, dhe Gjenerali Wesley Clark, morën pjesë sot në Prishtinë në festimet e 20 vjetorit, të Lirisë së Kosovës. Krahas tyre, njeriu tjetër i meritave të mëdha për këtë ditë është ish-kryeministri britanik Tony Blair, që s’ka mundur të jetë në Prishtinë, e ka kujtuar me nderim këtë ditë. Burrështetasve të tillë dhe miqve të  tjerë nga Perëndimi (Gjermani, Francë, Itali).

Pa përkrahjen e SHBA-ve, vendeve të Bashkimit Europian dhe NATO-s, pa vendimmarrjen, dhe luftën e tyre ne nuk do kishim Kosovë të lirë dhe të pavarur. Kosova në kujdesin e miqve të mëdhenj, SHBA dhe BE, i ka të gjitha shanset, që të ecë në rrugën e duhur drejt prosperitetit dhe mirëqenies, njësoj si të gjitha vendet e tjera të Europës.

Në këtë ditë të lumtur për gjithë kombin shqiptar nderimi ynë më i thellë duhet adresuar për të gjitha sakrificat e panumërta të të parëve tanë, të patriotëve tanë të mëdhenj, të heronjve që luftuan për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve dhe tradhtarët e brendshëm, për bashkimin kombëtar, për gjuhën, kulturën dhe historinë tonë; dhe veçanërisht duhet të shkojë për dëshmorët dhe luftëtarët e UÇK-së.

Popullit shqiptar të Kosovës sot më shumë se kurrë i duhet të reflektojë dhe të mësojë edhe nga gabimet e rënda të bëra nga klasa politike në shtetin amë, për tre dekada rresht. Tashmë populli i Kosovës e ka kuptuar, se vetëm liria nga pushtuesit, nuk mjafton për të ecur me shpejtësi drejt demokracive të zhvilluara dhe mirëqenies. Beteja kundër të korruptuarve dhe politikanëve batakçinj, që po imitojnë sivëllezërit e tyre në Shqipëri do të jetë edhe më e vështirë dhe me kosto të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat