Shqipëria të kërkojë mbylljen e UNMIK

Opinione

Shqipëria të kërkojë mbylljen e UNMIK

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 13 qershor 2019 Në ora: 10:20
UNMIK - Kosovë

20 vjetori i çlirimit të Kosovës pas ndërhyrjes së suksesshme humanitare të NATO-s në Serbi është një moment reflektimi shtetëror dhe diplomatik lidhur me ecurinë e mëtejshme të mekanizmave ndërkombëtare, të krijuara 20 vjet më parë për procesin e stabilizimit politik dhe të shtet-ndërtimit në Kosovë.

Ky moment reflektimi kërkon në radhë të parë të bëhet një rivlerësim i misionit ndërkombëtar të OKB në Kosovë dhe konkretisht të UNMIK-ut. Është një mision, i cili pas 20 vitesh ndryshimesh të mëdha në statusin dhe në jetën e shtetit të Kosovës, e ka mbyllur ciklin e tij dhe qëndron formalisht si një relike nga e kaluara, e cila nuk përshtatet me realitetin e sotëm.

UNMIK ka mbetur si relike për t’u përdorur nga Serbia si instrument i pretendimeve të saj koloniale mbi Kosovën. Ka mbetur për t’u përdorur nga Rusia si pretekst i përzierjes së saj në punët e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit. Ndaj të vetmit shtete, që këmbëngulin ta mbajnë në Kosovë këtë mision të kapërcyer nga koha, janë Serbia dhe Rusia.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB të mbajtur në datën 10 qershor për të shqyrtuar një raport të UNMIK-ut, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili para 20 vitesh ka qenë ministër në qeverinë e kriminelit ndërkombëtar të luftës Millosheviç, foli me retorikën ultranacionaliste të asaj qeverie dhe kërkoi që misioni i UNMIK-ut në Kosovë të forcohet.

Ai u shpreh kundër kërkesës së drejtë të qeverisë së Kosovës drejtuar zyrtarisht sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, që të nisin diskutimin për modalitetet e mbylljes së misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Në fakt as vetë drejtuesit e UNMIK-ut, që shtyhen nga interesi personal të paraqesin në Njujork tablo të zymta për Kosovën me qëllim që të vazhdojnë punën e tyre atje, nuk janë në gjendje të japin argumente pse misioni duhet të rrijë në Kosovë.

Edhe në mbledhjen e 10 qershorit të KS të OKB, shefi i UNMIK-ut gjysmën e fjalimit të tij e kishte me tezat e qeverisë serbe për gjoja pasigurinë në veriun e Kosovës, teza që ai i dëgjoi në takimet me udhëheqësit serbë në Beograd në prag të nisjes së tij për në Njujork.
Në fakt misioni i UNMIK-ut në Kosovë bazohet në rezolutën 1244 të KS të OKB, të miratuar në 10 qershor 1999, dhe e cila është tashmë një rezolutë e vdekur. Në radhë të parë duhet theksuar se rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë, por në referencë ajo ka “RFJ”, e cila është një shtet, që ka vdekur.

Serbia nuk mund të pretendojë pronësinë mbi atë rezolutë, sepse ajo nuk e përmend në asnjë rresht Serbinë. Çdo ndryshim i rezolutës, qoftë i neneve apo i termave, është e drejtë ekskluzive e institucionit, që e ka hartuar, pra i KS të OKB. Kështu që rezoluta nuk i takon Serbisë.

Ka edhe një element tjetër tepër të rëndësishëm, që provon se rezoluta nuk i takon Serbisë. Rezoluta 1244 është e qershorit të vitit 1999, kur Serbia nuk ishte anëtare e OKB. Serbia është pranuar si shtet i ri anëtar i OKB në fund të vitit 2000. Në 15 dhjetor 2004 ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila ka rrëzuar pretendimin e Serbisë për padi ndaj ndërhyrjes së shteteve të NATO-s në 1999, me argumentin ligjor se

Serbia nuk ka asnjë të drejtë, sepse nuk ka qenë anëtare e OKB në atë kohë. Kjo përbën bazën ligjore të hedhjes poshtë të pretendimit të Serbisë për rezolutën e vitit 1999, në një kohë që ajo është bërë anëtare e OKB në vitin 2000. Nuk e kam pasur kurrë të qartë përse Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë përdorur asnjëherë këtë argument të favorshëm ligjor në parashtrimet e tyre diplomatike ndërkombëtare.

Nga ana tjetër nuk duhet harruar se rezoluta 1244 parashikon vazhdimin e procesit politik në Kosovë me konsultimin e popullit të saj. Edhe analfabeti më i madh diplomatik e din se populli i Kosovës do të kërkonte dhe do të votonte pavarësinë dhe lirinë e tij si shtet i pavarur. Shpallja demokratike e shtetit të pavarur në 17 shkurt 2008 mund të thuhet se e mbylli zyrtarisht misionin e UNMIK-ut në Kosovë.

Në kuadrin ligjor ndërkombëtar të statusit të UNMIK-ut dhe të rezolutës 1244 ka një ndryshim drastik në 22 korrik të vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas shqyrtimit të kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, dha verdiktin se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe as me rezolutën 1244 të KS të OKB për Kosovën.

Kjo i vuri kapakun ligjor se nuk ka asnjë bazë ligjore pretendimi i Serbisë dhe i Rusisë se pavarësia e Kosovës ka shkelur rezolutën 1244 të KS të OKB. Tribunali më i lartë juridik i OKB ka marrë vendimin e pakthyeshëm që akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe të gjithë anëtarët e OKB, që nga Serbia e deri tek Rusia, janë të detyruar ta pranojnë dhe t’i binden. Është gjë tjetër nëse në rrugë individuale duan apo nuk duan ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës, por nuk munden kurrsesi të mos njohin vendimin e tribunalit më të lartë juridik të OKB.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i korrikut 2010 për pavarësinë e Kosovës e nxori përfundimisht nga realiteti edhe rezolutën 1244, edhe misionin e UNMIK-ut. Në 22 shkurt të vitit 2012 diplomati i mirënjohur austriak, Albert Rohan, zëvendësdrejtues i bisedimeve ndërkombëtare të OKB për statusin e Kosovës, deklaronte: “Rezoluta 1244 është një dokument historik dhe përmendja e çdo rezolute të vjetër, që nuk ka më fuqi, është e anashkaluar, veçanërisht kur balancohet me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Nga ky realitet juridik, politik, diplomatik, etj. është i kuptueshëm se edhe misioni i UNMIK-ut në Kosovë rezulton jashtë nevojës, jashtë realitetit dhe jashtë kohës. SHBA në mënyrë zyrtare i kanë paraqitur OKB-së qëndrimin e tyre për rishikimin strategjik të mandatit të UNMIK-ut dhe dhënies fund të atij misioni në Kosovë. Në datën 9 tetor të vitit 2018 ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley, i dërgoi një letër zyrtare sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, ku i thekson: “Fatkeqësisht UNMIK ka mbetur i pandryshuar, megjithë deklarimet e përsëritura të shumicës së anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB që UNMIK prej shumë kohësh e ka përfunduar mandatin e tij”.

Kurse përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në KS të OKB, David Clay, deklaron se “derisa Kosova duhet ta mbyllë të kaluarën, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe UNMIK”.
Përballë këtyre zhvillimeve del si detyrim i qeverisë së Shqipërisë që të afishojë qëndrimin e saj zyrtar në mbështetje të kërkesës së drejtë të qeverisë së Kosovës për mbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Asnjë qeveri shqiptare nuk është prononcuar për këtë çështje deri tani. Shqipëria është anëtare e OKB dhe ka mundësinë dhe të drejtën që ta ngrejë këtë si kërkesë të saj. Shqipëria duhet të kërkojë mbylljen e misionit të UNMIK-ut sepse:

së pari e ka kërkuar me të drejtë qeveria e Kosovës,

së dyti se e kanë kërkuar zyrtarisht SHBA,

së treti se UNMIK shërben si pretekst i ndërhyrjes së Serbisë në Veriun e Kosovës,

së katërti se UNMIK shërben si terren i ndërhyrjes dhe pranisë ruse në Kosovë për provokimin e tensioneve,

së pesti se Shqipëria paguan, ashtu si shtetet e tjera anëtare të OKB për misionin e UNMIK-ut, që është një mekanizëm i padobishëm dhe i atrofizuar./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat