Nuk besojmë se ka shtet në botë si Shqipëria që kufijtë e shtetit të vet i ka të vendosura në trojet e veta dhe me këto kufij kufizohet me bashkëkombësit e vet të ndarë në pesë shtete fqinje.
Shqipëria këtë ndarje të padrejtë dhe absurde të shqiptarëve nuk e ka bërë me dëshirën e vet, por ka qenë e detyruar ta pranojë forcërisht nga fuqitë e mëdha vendimmarrëse në Kongresin e Berlinit 1978, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1920 dhe në Konferencën e Paqes në Paris 1920.
Si pasojë e kësaj padrejtësie më shumë se gjysma e trojeve dhe e popullit shqiptar mbetën jashtë kufijve të shtetit amë Shqipërisë.
Si pasojë e kësaj Krahina e Çamërisë së bashku me shumë troje tjera shqiptare mbeti në Greqi, shumë qytete e vise shqiptare mbetën në Maqedoni, shumë qytete e troje shqiptare mbetën në Malin e Zi, ndërkaq Kosova dhe Kosova Lindore ( Lugina e Preshevës) mbetën në Serbi.
Si pasojë e kësaj popullata shqiptare e Çamërisë e dëbuar forcërisht nga Greqia me krime e tmerre luftarake gjenocidale nga viti 1913 gjer në vitin 1944, është strehuar në Shqipëri dhe as që guxon të kthehet në vatrat e saj shekullore në Greqi, ose të dëmshpërblehet për pronat e okupuara.
Në Greqi kanë mbetur edhe shumë familje shqiptare të cilat as që guxojnë ta përmendin kombësinë shqiptare, dhe i janë nënshruar asimilimit ehe pse në familjet e tyre flasin shqip.
Në librin Ismail Kadare-Ushin Hoti me titull “Bisedë përmes hekursh”, në përgjigjet që Ukashin Hoti nga burgu i Nishit ia dërgon Ismail Kadaresë, veç tjerash shkruan se, “ Gjatë pushimeve verore me do shokë në Greqi pata rastin të shikoj se në atë familje ku qëndronim flitej shqip, dhe kuptova se asimilimi kishte qenë i dhunshëm, sepse je i detyruar të harrosh se je i vetes. Sipas Gabon 95 përqind e udhëheqësve të kryengritjes greke që kishin ndihmuar fuqimisht në pavarësimin dhe formimin e shtetit grek kishin qenë shqiptarë orthodoksë”, thotë Ukshin Hoti.
Televizioni TOP CHANEL i Tiranës lidhur me gjenocidin e Greqisë ndaj popullatës Çame ka përgatitur e shfaqur një emision dokumentar të titulluar “Gjurmë Shqiptare” me përplot me dëshmi e fakte të gjalla.
Më 15 qershor 2019 në organizim të Shoqatës “Bashkësia Shqiptare” në SHBA mijëra shqiptarë nga diaspora, u mblodhën në Nju Jork në rrugën Manthaten dhe shënuan 75 vjetorin e eksodit të popullatës Çame nga forcat ushtarake fashiste të Greqisë, e cila qe e detyruar me forcë të largohet nga trojet e veta shqiptare në Greqi.
Kjo paradë madhështore me moton “ME TY JEMI ÇAMËRI”, e përgatitur më një përkushtim të madh, e shoqëruar me këngë e valle shqiptare dhe me veshje kombëtare shqiptare, ia rikujtoi popullit amerikan dhe mbarë botës për gjenocidin grek dhe vuajtjet që i pësoi popullata Çame nga politika fashiste e Greqisë.
Kjo paradë madhështore u tregoi të gjithëve vitalitetin e popullit shqiptar për të ardhmen e lumtur e paqesore, por duke mos e harruar të kaluarën e hidhur dhe me kërkesën imediate “Duam drejtësi, nuk duam hakmarrje”.
Si pasojë e kësaj popullata shqiptare në Maqedoni edhe pse në trojet e veta shekullore me dekada është duke përjetuar vuajtjet, persekutimet, burgosjet, por edhe vrasjet sa herë që ka tentuar të kërkojë ti gëzojë të drejtat dhe liritë e njeriut, që janë e drejtë legjitime e çdo populli.
Si pasojë e kësaj popullata shqiptare në Mal të Zi, edhe pse në trojet e veta shekullore në vazhdimësi i është nënshtruar një presioni të paparë e të përgjakshëm për tu shpërngulur. Këto presione ndaj popullatës shqiptare në Mal të Zi kanë filluar qysh në vitin 1918 kur Serbia hegjemoniste me luftëra të përgjakshme bëri spastrim etnik dhe në trojet shqiptare vendosi kolonë serbë.
Në një emision televiziv të përgatitur gjithashtu nga TOP CHANEL të titulluar “Gjurmë Shqiptare” të shfaqur në javën e parë të muajit qershor 2019, në mënyrë bindëse dhe të argumentuar me fakte e dëshmi, ndjekësit e këtij emisioni patën mundësinë të shikojnë dhe dëgjojnë rrëfime direket të banorëve të fshatit Martinaj, se si edhe tani në këtë fshat vijnë klerikë të kishës ortodoksë serbe, të shoqëruar me serbë dhe të mbështetur edhe nga shteti i Malit të Zi, për të ndërtuar forcërisht një kishë ortodoksë serbe në trojet shqiptare për të cilat ekzistojnë tapi shqiptare. Sipas protagonistëve të intervistuar në këtë emision televiziv, gjer tani në sajë të rezistencës, guximit dhe këmbëngulësisë së banorëve të këtij fshati kjo kishë serbe nuk është ndërtuar, por tentimet absurde për ndërtimin e saj vazhdojnë me provokime të njëpasnjëshme.
Fshatarët e intervistuar të fshatit Martinaj, kërkonin që edhe Shqipëria të ndërhyjë te shteti i Malit të Zi që të ndërpriten këto provokime asimiluese dhe arrogante serbe.
Si pasojë e sulmeve shekullore dhe gjenocidale serbe, por edhe si pasojë vendimeve të mëvonshme të padrejta nga Berlini 1978, nga Londra 1913 dhe nga Parisi 1920, nën ndikimin e politikës hegjemoniste të Serbisë, një numër i madh i popullatës shqiptare që ka banuar edhe përtej Nishit janë detyruar të largohen edhe nga këto troje shekullore shqiptare.
Në këtë mënyrë Mbretëria e Serbisë i krijoi Banovinën e Zetës, Banovinën e Moravës dhe Banovinën e Vardarit, duke e gllabëruar edhe Kosovën dhe Kosovën Lindore (Lugimëm e Preshevës), por edhe shumë troje e popullatë shqiptare që sot gjenden në Maqedoni.
Kosova pas agresionit gjenocidal fashist të Serbisë në vitet 1998/1999, me rezistencën e armatosur të UÇK-së dhe me bombardimin 78 ditor të avionëve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbë në Kosovë dhe mbi caqet në Serbi, më në fund u çlirua dhe u pavarësua.
Liria dhe pavarësia e Kosovës për fat të keq u arrit me viktima të mëdha, me afër 15 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar dhe me 20 mijë femra shqiptarë të dhunuara në mënyrën më shtazarake nga ushtria, paramilitarët dhe policët e Serbisë.
Liria dhe pavarësia e Kosovës u arrit pas djegies të qindra mijëra shtëpive të shqiptarëve dhe pas eksodit të më se 1 milion shqiptarëve në Shqipëri e Maqedoni për të shpëtuar jetën nga plumbat serbë.
Tani pas 20 viteve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Serbia është duke zhvilluar një propagandë gënjeshtare të fuqishme kundër Kosovës, me synim themelimin e asociacionit të 4 komunave me popullatë serbe në Veri të Kosovës, dhe të arritjes së një marrëveshje finale gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë mbi bazën e një kompromisi, që len të kuptohet se Serbia, pas të gjitha këtyre krimeve të kryera në Kosovë, ka për qëllim të gllabërojë edhe ndonjë pjesë nga Kosova tashmë shtet i pavarur e sovran.
Serbia të gjitha këto përpjekje ekspansionishte është duke i bërë me arsyetimin se mundohet për popullatën serbe 5 përqindëshe që jeton në Kosovë, e cila i gëzon të drejtat dhe liritë e njeriut më shumë se çdo pakicë tjetër në botë.
Shqipëria ndërkaq gjatë tërë historisë së saj ka marrë një pozicion të përgjumur, indiferent e tepër pasiv, duke mos treguar interesimin e duhur për shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në pesë shtete të ndryshme fqinje dhe që u janë nënshtruar represioneve dhe presioneve të shumta.
Shqipëria e ka për detyrë si shtet amë ta dëshmojë interesimin për bashkëkombësit e vet bazuar edhe në të drejtën ndërkombëtare dhe në rrugë diplomatike, ndryshe me këto sjellje e qëndrime të cilat nuk i ngjajnë sjelljes së një nëne të vërtetë, do të konsiderohet njerkë ndaj bashkëkombësve të vet që jetojnë jashtë shtetit amë.
Ky mosinteresim i Shqipërisë për popullin shqiptar që pa vullnetin e tij është i detyruar të jetojë në 5 shtetet fqinje, është shprehur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur në viset shqiptare si për shembull në Dibër asokohe vinte Svetozar Vukmanoviq Tempo, apo Dushan Mugosha shkonte në Tiranë, që të dy komunistë dhe agjentë serbo-rusë, gjoja për ta organizuar rezistencën kundër nazifashizmit.
Kjo lidhje e dëmshme shqiptaro-serbosllave, bëri që pas çlirimit në vitin 1945 Serbia ta tregojë fytyrën e vet kriminale duke shkelur Marrëveshjen e Bujanit, ku thuhej se pas çlirimit popullit shqiptar do ti mundësohet që të vetëvendos për të ardhmen e tij. Pas çlirimit në vitin 1945 u vunë në shënjestër, u përndoqën, u burgosën dhe u vrarë bijtë më të mirë të popullit shqiptar në Maqedoni, Kosovë e Malin e Zi, vetëm e vetëm pse kërkonin të hapnin ndonjë shkollë shqipe ose që kërkonin ndonjë të drejtë legjitime.
Shqipëria ndaj të gjitha këtyre përndjekjeve u tregua e shurdhër e memece dhe nuk reagonte fare. Bile shumë të rinj patriotë shqiptarë gjatë periudhës moniste që merrnin guximin dhe ilegalisht kalonin në Shqipërinë mëmë, Shqipëria në vend që ti mirëpriste dhe ti ndihmonte, ajo ose i kthente prapë në shtetin fqinj nga i cili kishin ikur, ose i dënonte në Shqipëri me dënime drakonike me epitetin e shpifur si spiunë Jugosllavë.
Shqipëria në kohën kur Aleksandër Meksi ishte kryeministër i Shqipërisë, e refuzoi edhe kërkesën e Ukshin Hotit për ti dhënë shtetësi të Shqipërisë.
Shqipëria edhe tani pas ardhjes së demokracisë dhe pluralizmit po vazhdon me avazin e vjetër.
Shqiptarët që jetojnë në pesë shtetet fqinje nuk kërkojnë që Shqipëria ti mbrojë me pushkë, por që me rrugë diplomatike, nëpër institucionet ndërkombëtare, apo me demarshe ndërshtetërore, apo edhe nëpërmjet OKB-së të bëjë presion dhe të dëshmojë se interesohet për bashkëkombësit e vet që jetojnë në shtetet fqinje, që bashkëkombësit shqiptarë të paktën ti gëzojnë si duhet të drejtat e tyre legjitime.
Shqipëria nuk është duke e treguar interesimin e duhur edhe tani aktualisht lidhur me Kosovën, ku Serbia po shfaqet me tërë agresivitetin e saj mashtrues diplomatik kundër Kosovës.
Serbia, me pretekstin se gjoja interesohet për një grusht serbësh që jetojnë në Kosovë, është duke bërë të pamundurën me lloj loj shantazhesh diplomatike, për ta dëmtuar me çdo kusht Kosovën tashmë shtet të pavarur e sovran.
Ne ende nuk e kemi dëgjuar Shqipërinë që ta ngrenë fuqishëm zërin e saj për ta ndihmuar Kosovën në rrafshin diplomatik, qoftë karshi Serbisë agresore gjenocidale, qoftë karshi faktorit ndërkombëtar.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë duke iu bashkangjitur binomit Hashim Thaçi - Aleksandër Vuçiq për arritjen e një kompromisi mes Kosovës e Serbisë nëpërmjet tezës së shkëmbimit të territoreve, tregon qartë se Shqipëria me këto qëndrime është shumë larg nga kujdesi i Shtetit amë që duhet ta ketë ndaj shqiptarëve që pa dëshirën e tyre jetojnë në trojet e veta por në pesë shtete fqinje.
Shqipëria dhe diplomacia shqiptare në këtë aktualitet të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm mbarë shqiptar është vënë në gjumin përrallor dhe nuk po dëgjojmë as edhe një fjalë në mbrojtje të bashkëkombësve të saj në Greqi, Maqedoni, Malin e Zi, në Kosovë dhe në Kosovën Lindore ( Luginën e Preshevës).
Sa është unikal dhe i padrejtë copitmi i trojeve dhe i popullit shqiptar që e kanë bërë Shqipërinë të duket si mollë e kafshuar nga të gjitha anët, ashtu është unikal dhe i padrejtë mosinteresimi i Shqipërisë amë për bashkëkombësit e saj që jetojnë jashtë mëmëdheut amë, dhe që i ngjan sjelljes së një njerkë të vërtetë