Reforma në drejtësi, “bukë e mirë” me “miell të keq”?! - Bota Sot
Reforma në drejtësi, “bukë e mirë” me “miell të keq”?!

Opinione

Reforma në drejtësi, “bukë e mirë” me “miell të keq”?!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 27 qershor 2019 Në ora: 07:07
Xhevat Mustafa

Rezerva, dyshimi dhe skepticizmi im i parë lidhen me partinë dhe qeverinë, që e ka reklamuar dhe vazhdon ta propagandojë si një “kryevepër” të saj, si një meritë dhe kontribut, thuajse eskluziv i “rilindjes” dhe personalisht i Edi Ramës, si kryeministër dhe kryetar partie. Shumëkujt u lindin pyetjet e natyrshme apo të logjikshme: A e dëshiron me të vertetë, me sinqeritet dhe a mund ta bëjë reformën në drejtësi në nivelin optimal, pa pretenduar atë ideal, një parti, një qeveri, një grup parlamentar me tufa njerëzish me të kaluar apo të tanishme personale kriminale, me dosje të vjetra e të reja lidhjesh familjare, farafisnore, shoqërore, ortakërore me krimin dhe trafiqet shumëformëshe, me korrupsionin dhe me “industrinë” e pastrimit të parave të pista? A e duan me të vërtetë dhe sinqerisht reformën në drejtësi, shtetin ligjor funksional e rigoroz, që nuk njeh privilegjimime, favorizime, përjashtime për askend?

Pra, edhe për “Zeusët e Olimpit” politik dhe qeverisës; për vëllezërit, motrat, kunetërit, djemtë dhe vajzat e xhaxhallarëve, dajallarëve, tezeve dhe hallave të politikanëve dhe qeveritarëve të djeshëm, të sotëm e të nesërm? Jo pak raste skandaloze proçesesh, dënimesh, lirimesh dhe faljesh në salla gjykatash, që janë bërë publike edhe në media, shprehin se shumica e kontigjentit aktual të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me të cilët po realizohen vettingu, SPAK-u, “reforma në drejtësi”, me apo pa dëshirë, me apo pa ndërgjegje, kanë pranuar t’u nënshtrohen vullneteve, diktateve apo urdhërave të “bosëve të krimit dhe të trafiqeve” si dhe të “Zotave” të politikës dhe të qeverisjes. Kështu ata apo të dy palët bashkë e kanë  njollosur nga gishtrinjtë e këmbëve deri në majë të kokës sloganin e pavarësisë ligjore dhe institucionale si dhe të pastërtisë moralee  ligjore  të drejtësisë shqiptare, deri në atë shkallë sa shumica e qytetarëve të mendojnë dhe shprehen” Mjer kush shkon në klinikat e spitaleve, në zyrat dhe sallat e drejtësisë e të hipotekave”! Rezerva e dytë e fortë është e mbështetur tek kontigjenti i përgjithshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kemi në dispozicion, në detyra e në salla gjykatash dhe zyra prokurorishë.

Pa menduar aspak që të futen të gjithë në një thes, tunel, depo, përsëri nuk mund të jem i sigurt deri në bindje se rreth 25-30% e tyre janë “ëngjëj”, se kanë shpëtuar pa u ndotur nga llumnaja apo paraja, që ka mbuluar prej rreth 28 vitesh institucionet tona të drejtësisë. Për të qenë më objektiv ndihmojnë edhe lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve që deri tani e kanë kaluar “rrjetën e imët” të vettingut dhe ajo e atyreve që kanë ngecur në të. Paradoksi bëhet ulëritës kur u kanë  treguar derën për dalje e largim, si të padenjë për gjykatat dhe prokuroritë e reja apo “të rilindura”, krahas vëzhguesve të ONM-së, edhe kolegë të tyre në komisone apo edhe në KLD, që mund të ndryshojnë me ata kryesisht nga mosha, gjinia, gjendja familjare, gjatësia,  boja e syve dhe e flokëve. Ndryshimi dhe fati mes kaluesve e fituesve dhe mbetësve e humbësve nuk është përcaktuar rigorozisht, si një penallti apo gol nga sistemi VAR në një ndeshje futbolli, Shumçka është përcaktuar mbi baza subjektive, pa përjashtuar kategorikisht edhe parapëlqimet individuale, rekomandimet, lidhjet familjare me politikanë dhe qeveritarë të lartë, me bisnesmenë të fuqishëm...Për konkretizim, falë mediave, ndihmojnë plot emra të disktueshëm në të dy listat.

Të parët, për të hiperbolizuar vështirësitë dhe meritat e tyre si dhe për të fshehur favorizimin nga lidhjet e afërta e të forta me miq të fuqishëm, e reklamojnë si “shumë të imët” rrjetën e vettingut. Kapërcimin e tij e paraqesin në media dhe jo me gratë në krevatë sikur të kenë kaluar një rreth të “ferrit”. Ngecësit apo humbësit, të bindur se e meritonin të kalonin po aq sa kolegët e tyre fitues, ankohen se janë viktima të mos pasjes së lidhjeve të afërta e të forta me figura të larta politike dhe qeveritare. Sipas burimeve mediatike dhe të rrjeteve sociale në internet, mes kapërcyesve të “rrjetës së imtë” të vettingut është edhe prokurori Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes socialiste Elmonela Felajt. Po kështu mes fituesve është edhe  drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshi, me një të afërm familjar, Arben Keshin,  të kapur në “rrjetën e përgjimeve të BILD”, në skandalin e vjedhjes masive të votave në Dibër dhe i përfolur për përfshirje të drejtpërdrejtë edhe në trafiqet e kanabisit. Më 18 qershor 2019 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) konfirmoi në detyrë kryetarin e Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita, drejtues  i trupës gjykuese, e cila, në vitin 2016, vendosi të detyronte Presidentin e Republikës për të emëruar prokuror Bledar Valikaj, burrin e deputetes socialiste, Ermonela Felaj.

Mund të vazhdohet me emra të tjerë, që mund të cilësohen si “të diskutueshëm”, që, për nga debatet në komisione, mund të ishin edhe ngecës e që me shumë gjasa kanë kaluar se “na duhen për të sajuar dhe mbyllur reformën në drejtësi”e pë r “t’i pasur si “leva të  qeverisë  e të  kryeministrit” institucionet e reja të drejtësisë, si rastet e Gent Ibrahimit, Arta Markut dhe Donika Prelës.... Mes tyre gjenden edhe të përfolur për lidhjetë  hapura e të fshehta  me ish sigurimin komunist dhe që  kanë punuar në organet e drejtësisë të diktaturës, e tj.  Për opinionin masiv të  qytetarëve, rreth 65% shprehur në një anketim mosbesues ndaj vettingut, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, me të cilët është  bërë  dhe do të  bëhen vettingu dhe reforma në  drejtësi, figurativisht janë “binjakë ”, njeri më  i korruptuar se tjetri.

Për të qenë objektiv, shkalla “e ndotjes” nuk është  e njejtë. Tek disa është shumë  më  e lartë  dhe është “kalçifikuar”.Tek të tjerë, sidomos të  rinj si moshë e karrierë dhe që janë  diplomuar në vende të  Perëndimit, është ndjeshëm më e ulët...Në  këto kushte, me këtë “miell të  krimbur” apo me “kakardhiqe minjsh” dhe me “furxhinj të  këqinj”, si Edi Rama,Gramoz  Ruçi, Agron Xhafaj (një  nga nismëtarët, kur ishte ministër i Drejtësisë ), Ulsi Manja, Taulant Balla, Elisa Spiropali, Arta Marku, Donika Prela. Gent Ibrahimi...a mund të  besohet dhe pritet se mund  t’i bë jmë të mira “bukën” apo “kekun” e reformës në  drejtësi? Megjithatë, këta vetë si dhe “bojaxhinjtë ” apo “llustraxhinjtë ” e tyre, shqiptarë  dhe ndërkombëtarë, bëhen me vetëdije mosbesues dhe qesharakë,  kur e reklamojnë “reformën në drejtësi” si me ecuri të  mbarë, të suksesshme, të ndjeshme, si model apo shembull edhe për vende të  tjera, për rreth apo më  të  largët. Skepticizmi im ndaj “reformës në  drejtësi” nën qeverisjen Rama mbështetet edhe tek gjendja dhe përvoja e gjyqësorit në  Kosovë. Rreth 10 vite më  parë  u bë zhurmë  e madhe propagandistike dhe shpresua shumë se me EULEX-in dhe Gjykatën Speciale, me ardhjen e gjyqtarëve nga vende të  BE-së  si dhe nga SHBA, drejtësia në Kosovë do të  transformohej rrënjësisht, duke iu ofruar standarteve të  përparuara të vendeve nga vinin. Por, duke iu referuar një  dokumenti të  freskët, raportit të DASH, më 13 mars 2019, gjendja ka ndryshuar për mirë fare pak. Mes të tjerave në  këtë  raport, thuhet e shkruhet: “...Strukturat e gjyqësorit mbeten pre e ndikimeve politike...Në muajin korrik 2018 ishin për shqyrtim 280 mijë lëndë civile dhe penale. Përveç këtyre prisnin zgjidhje edhe 150 mijë raste të tjera për shkelje të vogla.

Problemet me drejtësinë ndërlikohen edhe më shumë nga rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit. Një numër policësh janë arrestuar nën akuzat për korrupsion,  për abuzim pushteti si dhe mitmarrje...”. Logjikshëm shtrohet pyetja:”përse gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë  nuk kanë  ndikuar për një gjyqësor shumë  më  të mirë në Kosovë në gjithë këto vite? Sipas meje, sepse një  pjesë e mirë  e tyre, kanë pasur iminutet të dobët ndaj “virusëve”, që  qarkullojnë  në  dy shtetet shqiptare apo më  gjërë, në krejt Ballkanin dhe ish Lindjen Komunisto-Socialiste. Të përgjëruarit për “reformën në  drejtësi”me çdo kusht gjatë qeverisjes së  rilindjes apo “Rama” mund të  justifikohen duke thënë :”në qoftë se do t’i bllokonim dhe hiqnim të  gjithë, me cilët gjyqtarë  dhe prokurorë do t’i mbushim dhe bëjmë funksionale institucionet e reja të drejtësisë, do të bënim vettingun, SPAK-un? Me studentë të viteve të  fundit në fakultete të  drejtësisë e të magjistraturës? Apo me të “vdekur”? Halli i tyre është  i drejtë dhe i justifikueshëm, sot për sot.

Por, edhe krijimi i gjykatave dhe prokurorive të  reja me njerëz nga “mielli i keq”,shumica me lidhje farefisnie, familjare dhe klanore me bosë  të  politikës dhe të qeverisjes së  “rilindjes”, do të  ishte thjeshtë  e pastër një  shou  politik dhe mediatik, një  vetëmashtrim, një  akt i ri me rrjedhoja të dëmshme afatgjata për demokracinë  e vërtetë , vendin dhe qytetarët. Miqtë ndërkombëtarë do të tregoheshin  të vërtetë e të sinqertë nëqoftëse do të guxonin të thonin fare“shqip”: Këtë “grurë” keni mbjell, rrit e korr, me këtë jemi të detyruar t’jua bëjmë “bukën” apo “kekun” e reformës në drejtësi, vettingun, SPAK-un...! Hajeni tani, pa bërë shumë naze dhe ju bëftë mirë! Dashtë Zoti nuk ju del si ajo e Enverit dhe nuk përfundoni shumë prej jush nëpër burgje, spitale psikiatrike apo duke u torturuar me vite nëpër sallat e gjykatave për pak më shumë barazi e drejtësi dhe më pak vendime që qelben era korrupsion!” Në këto kushte, edhe ne shqiptarët kemi të drejtë njerëzorë t’u themi po kaq “shqip”: Atëherë, përse na e reklamoni dhe “shisni” këtë “bukë shqiptare me miell të krimbur” si amerikane, gjermane, austriake, italiane, franceze, spanjolle, angleze, holandeze, belge...? Mungesa e përgjigjes me zë e duke na parë drejt e në sy do të na japë edhe përgjigjen se gjithçka ndodhi si në fjalën e urtë të popullit “U mbars mali dhe pollli një...” mi!”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...