Tallja e ndërkombëtarëve me shqiptarët

Opinione

Tallja e ndërkombëtarëve me shqiptarët

Nga: Sherif Ramabaja Më: 2 korrik 2019 Në ora: 21:29
Sherif Ramabaja

Nuk është kurrfar çudie që EU-ja, nuk po gjenë zgjidhje për vetëveten. Fjala është për ndarjen e posteve në takimin maratonik që e pati këto ditë. Përçarjet janë aq të thella, sa kompromisi po duket të jetë i vështirë. Nëse shqiptarët mendojnë se kanë prejardhe pellazgo - ilire duhet të mendojnë se kush ishin të parët e tyre. Ky rast mjafton që ta prekin kokën  dhe të mendojnë për kombin, e mos të presin ndihmë nga jashtë. Ndihma e tyre më shumë mund të jetë tallje se ndihmë reale. Zgjidhja duhet të vij nga forcat vetanake. Duke ndihmuar vetëveten ne tregojmë se jemi pasardhës të Nënë Terezës dhe bëhemi shembull edhe për të tjerët. Fitojmë vetëbesim, respekt dhe përfitojmë si popull. Postet dhe pushteti, janë kalimtare. Aty duhet të jenë ata që e marrin besimin e popullit dhe  punojnë për te. Një kthesë e tillë do të jetë edhe një udhërrëfyes që gjeneratat e ardhshme, të punojnë me një formulë të tillë. Në të kundërt, konfliktin do ta bartim edhe në gjeneratat e reja, që do të ishte një krim për ne. Ne si gjeneratë e kemi rastin ta ndërrojmë faqen e historisë. Duke zgjidhur këtë lëmsh politik në shtetin amë, ne do ta ndihmojmë Kosovën në fazën vendimtare të ballafaqimit me Serbinë. Do të jemi një zë i fuqishëm për shqiptarët në Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegje. Ne do të jemi zë i fuqishëm edhe për diasporën dhe do ta shtojmë përkujdesjen për shqiptarët në Turqi. Të gjitha këto shumë lehtë mund të arrihen vetëm me një vullnet të fortë.

Gjendja në arenën ndërkombëtare është alarmante. SHBA me politikën  e saj të re, të rirreshtuar, kanë hasur në kundërthënje të mëdha. Lufta tregtare me Kinën po e mban botën dhe sistemin financiar nën ethe. Indiferenca e SHBA ndaj konfliktit në Siri bëri që Rusia t´i tregoi dhëmbët e tigrit prej letre. Korea e Veriut dhe Irani janë konfliktet e rradhës, për të cilat SHBA kërkon zgjidhje. Sidomos brengosëse janë mosmarrëveshjet EU - SHBA. Më parë gjithmonë EU-ja dhe SHBA-ja flisnin me një gjuhë dhe veprohej me unitet të lartë. Tash diferencat paraqiten haptas dhe dëmtojnë njëra - tjetrën. Rasti më i freskët është Irani. SHBA ka ngritur sanksione të reja ndaj këtij shteti, kurse EU-ja koperon haptas me Iranin dhe paraqitet kundër interesave globale të SHBA-ve. EU-ja duke u munduar që ta ruaj marrëveshjen e mëparshme me Iranin, që ishte mjaft skeptike, hapas po bie ndesh me SHBA-në.

Të gjitha këto kanë bërë që Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, duke pritur forcimin e Rusisë dhe duke shpresuar në ndërrimin e gjendjes globale në favor të saj. Ky është një sinjal i mjaftueshëm që shqiptarët duhet të bëhen bashkë. T´i diskutojnë problemet primare bashkërisht dhe të ofrojnë zgjidhje, për të mirën tonë. Inatet dhe gjakrat duhet t´i ulin e të mendojnë me kokën esëll, sepse koha nuk pret. Sfidat janë të mëdha dhe kërkojnë zgjidhje te shpejt. Ta shohim dhe ta vlerësojmë gjendjen drejt, sepse zgjidhja duhet të vij nga ne, e jo duke pritur faktorin e jashtëm, kush në favor të cilës palë do rreshtohet. Ata kanë synimet dhe qëndrimet e tyre, po ne po i shohim se në çfarë gjendje ndodhen ata vetë. Mos të presim prej dikujt kur nuk janë në gjendje ta ndihmojnë vetëveten. Ata po kërkojnë reforma prej nesh, kurse atyre po u mungojnë refomat për të dala nga kriza në të cilën vetë janë zhytur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat