Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, gur themeltar i Kosovës se pavarur

Opinione

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, gur themeltar i Kosovës se pavarur

Nga: Adem Breznica Më: 2 korrik 2019 Në ora: 22:11
2 Korriku 1990

29 vite më parë, më 2 korrik, në rrethana të jashtëzakonshme, por legjitime, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës nxori Deklaratën Kushtetuese, sipas së cilës Kosova shpallej njësi e barabartë politike me republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Me këtë akt, Kosova nuk u pavarësua nga Jugosllavia, por e ngriti statusin e saj juridik në kuadër të federatës, që dmth se u pavarësua nga Serbia. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 njëkohësisht është edhe Deklarata e Parë e Pavarësisë së Kosovës. Vendimi i radhës qe u morë nga delegatët e të njëjtit Kuvend, me 7 Shtator 1990, është nxjerrja e aktit më të lartë juridik - Kushtetutës, e cila e definon Kosovën Republikë me të drejtën e shprehjes së vullnetit të popullit për shkëputje dhe pavarësi nga federata.

Ndërkaq me 26 Shtator 1991, mbështetur në këtë kushtetutë si dhe në deklaratën e më hershme të Kuvendit të Kosovës, u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës, me ç’rast, përmes votës se lirë, populli do të deklarohej nëse është pro qëndrimit në federatën jugosllave, si njësi e barabartë, apo për pavarësimin e Kosovës nga kjo federatë-konfederatë dhe mëvetësinë e saj të plotë. Pjesa dërmuese e popullit-qytetarëve të Kosovës, shqiptarët si shumicë dhe pakicat tjera jo-serbe, u deklaruan për pavarësinë e plotë dhe, me këtë akt, Kosova juridikisht bëhet plotësisht e pavarur.

Tutje, në kuadër të zhvillimeve të reja dhe konsolidimit të institucioneve të para demokratike, më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale, prej nga u konsolidua Kuvendi i parë pluralist i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht u zgjodh Presidenti i parë i saj, Dr. Ibrahim Rugova.

Kuvendi i ri, pastaj nxori organet e tij drejtuese, prej nga edhe u formuan institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, ndër të cilat edhe Qeveria e drejtuar nga Dr. Bujar Bukoshi. Dy prej ministrive me funksionale të kësaj qeverie që vepronin medoemos në Kosovë kanë qenë Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Pa funksionimin korrekt të këtyre ministrive, Kosova do të katandisej në regres të pariparueshëm kulturo-arsimor dhe do të zhytej në krizë të thellë humanitare...

Solidarizimi, njohja dhe bindja e qytetarëve të Kosovës ndaj këtyre arritjeve organizative, megjithëse nën gjendjen e jashtëzakonshme të pushtimit klasik serb, e bën Kosovën shtet institucional dhe funksional, edhe pse fillimisht jo të njohur nga fuqitë e mëdha dhe OKB-ja, por gjithsesi të respektueshëm ndërkombëtarisht.

Duke qenë se Serbia nuk e njohu Deklaratën e 2 Korrikut, shpërndau Kuvendin dhe mori masa policore e ushtarake në instalimin e organeve kukull-lojale ndaj Beogradit, të dala nga ndryshimet regresive të dhunshme amandamentare të 23 marsit 1989, atëherë shumica e qytetarëve të Kosovës u rreshtuan drejt njohjes dhe bindjes se institucioneve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ky rreshtim do t'ju kushtojë me përjashtim nga puna, privim dhe largim nga objektet kulturore, arsimore e shëndetësore, pastaj përndjekje, dhunë, burgosje, vrasje, e deri te dëmtimi dhe shkatërrimi i ekonomive familjare, gjegjësisht shpërngulja masive e të rinjve por edhe e familjeve të tëra drejt Perëndimit.

Megjithatë, mosbindja ndaj organeve pushtuese të Serbisë si dhe njohja e bindja ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, që zunë fill më 2 Korrik 1990, dhanë rezultatet e tyre të jashtëzakonshme në krijimin e Shtetit Paralel të Republikës së Kosovës, por shumë funksional, në rrethanat më të jashtëzakonshme që po kalonte një popull i tërë pas shembjes së komunizmit dhe sponsorizuesëve të tij.

Institucionet e Republikës së Kosovës, vazhduan rrugën e tyre të konsolidimit dhe të plotësimit të mëtejmë, brenda dhe jashtë vendit, duke arritur të sensibilizojnë çështjen e Kosovës dhe popullit shqiptar në piedestalet më të larta ndërkombëtare dhe duke e shtruar atë në tryezat diplomatike të shteteve më të fuqishme të botës perëndimore...

Kulminacioni i gjithë këtyre të arriturave ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila doli nga djemtë më të mirë të saj. Ashtu siç paralajmëronin dhe sensibilizonin jashtë vendit institucionet paralele, dhe edukonin e përgatisnin rininë shkollare në frymën e mosbindjes dhe mosnënshtrimit ndaj pushtimit serb, populli i Kosovës, respektivisht rinia e saj, në fund të viteve ’90, mbase dhe më herët, mori dhe armët në duar për të çliruar vendin, në mënyrë që aftësitë e tyre, të dëshmuara në diplomat e vulosura me stemat e Republikës së Kosovës, të viheshin në funksion të institucioneve të reja të Kosovës së Lirë dhe Demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat