Elmi Reqica, Mustafë Grainca dhe Xhavit Zariqi, treshja e tmerrshme që po shkatërron Ferizajn

Opinione

Elmi Reqica, Mustafë Grainca dhe Xhavit Zariqi, treshja e tmerrshme që po shkatërron Ferizajn

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 3 korrik 2019 Në ora: 20:31
Ilustrim

Kapja e shtetit, rrjedhimisht centralizimi i pushtetit në duart e tre apo katër njerëzve vazhdon të jetë fenomen në tërë Kosovën. Por, një dukuri e tillë vazhdon të merr përmasa shqetësuese sidomos në qytetin e Ferizajt. Përkundër që ky qytet ka evoluar shumë në biznes, kjo sigurisht edhe ka ndikuar që oligarkët me ndihmë dhe ndikim të politikës të shtrij rrjetën e saj. Aktualisht janë tre njerëz tek të cilët është centralizuar e gjithë jeta publike në këtë qytet. Elmi Reqica, Mustafë Grainca dhe Xhavit Zariqi, janë kokat kapjes së këtij qyteti, dhe jo vetëm, pasi ndikimi i tyre shtrihet edhe në qeveri.

Elmi Reqica, njëri ndër pesë të personat kryesor në SHIK, të cilin edhe KFOR-i e ka cilësuar si njeri të rrezikshëm, vazhdon të jetë njeriu kryesor i punësimeve dhe kontrollit të çdo gjëje në Ferizaj. Elmi Reqica emëron drejtorin e policisë në Ferizaj, shkarkon kë të do dhe si të do. Mjafton të kesh njohje me ketë njeri, dhe brenda natës mund të ngritësh në cilës pozitë të duash. Asnjë pastrues shkolle s`mund të pranohet pa lejen e Reqicës, këtë e dinë të gjithë që jetojnë në Ferizaj, ndonëse hezitojnë ta thonë publikisht për shkak të kostos që mund të pësojnë. De fakto kryetar i Ferizajt është Elmi Reqica, të cilit Agim Aliu i bën “aminin”.

Emri tjetër, por jo më pak ndikim është Mustafë Grainca. Aktualisht Grainca është zëvendësministër në Ministrinë e Financave, e udhëhequr nga Bedri Hamza.

Ish-drejtori i Financave në kohën kur Ferizaj qeverisej nga Bajrush Xhemajli, Mustafë Grainca, sërish iu kthye punës në pushtetin lokal. Pavarësisht që partia e rehatoi si zëvendësministër të Financave, si duket këtij ekonomisti nuk i ka mjaftuar veç kjo punë. Me një vendim të kryetarit Agim Aliu, Grainca është emëruar këshilltar për zhvillim ekonomik dhe koordinator i një ekipi që do të punoj në këtë fushë. Mustafë Grainca, tha se këtë detyrë e ka pranuar me dëshirë, ndërsa angazhimin e tij do ta ketë pas asnjë kompensim.  Pas gjithë kësaj fshihet pikërisht dallaverja më e madhe.

Gjoja se punon si koordinator i fushës së ekonomisë, z. Grainca përmes kësaj ka kapur ndërtimin në Ferizaj. Duke qenë Boss i ndërtimeve Grainca i ka dhënë vetës leje ndërtimi pa plotësuar asnjë kriter, në këtë mënyrë shpërlan paratë e pista nga të cilat fiton milionat. Ferizaj është shndërruar në kaos urbanistike me ndërtime pa kritere, dhe që po i zënë frymën qytetit. Asnjë ndërtues në ferizaj nuk mund të zhvillojë biznesin e tij pa lejën dhe miratimin e Mustafë Graincës, i cili edhe për lejet u kërkon përqindje. Pra, ky njeri që u fut fillimisht në komunën e Ferizajt si drejtor i financave nuk kishte asnjë cent pasuri, dhe pas kësaj shpërtheu me ndërtime, duke u bërë milioner brenda natës.

Gjithashtu, Grainca është emëruar edhe president i KF “Ferizaj”, për të kapur çdo gjë publike në qytet. Emri tjetër që i bashkohet treshes së tmerrshme është Xhavit Zariqi. Në prill të vitit të kaluar në Kuvendin e 8-të të rregullt zgjedhor të AAK-së, me vota unanime dhe asnjë kundër, kryetar i degës së AAK-së në Ferizaj, u zgjodh Xhavit Zariqi. Zariqi është edhe zëvendësministër i Diasporës. Njeriu kryesor i kazioneve në Ferizaj, pas mbylljes së tyre iu fut ndërtimit.

Duke qenë në koalicion me PDK-në në Ferizaj, kjo i dha mundësinë që bashkë më z.Grainca të bëjnë kërdinë në këtë drejtim, duke e kthyer qytetin e Ferizajt në një ngrehinë pas apokaliptike. Xhaviti njihet edhe si njeri i rrezikshëm, nga ku kam marr paralajmërimin që mos të shkruaj për të. Gjithashtu pronar i shumë bizneseve në Ferizaj, nga ku paratë fillimisht u siguruan nga kazinot, Zariqi shihet dhe cilësohet ndër më të rrezikshmit dhe ndër tre njerëzit që kontrollojnë çdo gjë në Ferizaj.

Kjo treshe vazhdon të shkatërroj qytetin tonë, duke qenë vet shteti , të cilët bëjne “vet ligjin dhe maliqin”. Në çdo sektorë ku qarkullon paraja janë këta tre njerëz pronarë, duke e kapur qytetin kjo treshe e tmerrshme ka ndikuar që të humbet shpresa tek të rinjtë,të cilët po braktisin çdo ditë e më shumë qytetin dhe Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat