A ka ardhur në pikën kritike dialogu me Serbinë?

Opinione

A ka ardhur në pikën kritike dialogu me Serbinë?

Nga: Mr Bislim Aliu Më: 5 korrik 2019 Në ora: 11:10
Mr Bislim Aliu

Që nga fillimi i dialogimit me Serbinë është vërejtur qartas se ky dialog, nuk është i barabartë (si dy shtete),se nuk do t’na sjell asgjë të mirë për Kosovën. E, përfitimet e mëdha do t’i merr Serbia, duke ia hapur udhën për në BE, e ne përherë nga dialogu kemi dalur të nënshtruar dhe të nënçmuar duke bërë lëshime e kompromise në dëm të Kosovës. Dhe, që nga fillimi është thënë, bile shpeshherë është përsëritur nga ish-Ministrja jonë për dialog Edita Tahiri se bisedimet janë “teknike” e në realitet asnjëherë nuk kanë qenë teknike por tërësisht politike!!!

Pra, qe tetë vjet kemi dialoguar me Serbinë, një dialog shterp pa fare rezultati. Thuase nuk e kemi njohur atë dhe aq lehtë kemi hyrë në dialog me te. Pse  asnjëherë nuk iu ka kujtuar ekipit negociator, e sidomos Ministres Tahiri, se po bisedon me një shtet gjenocidal, me një shtet i cili qe 150 vjet ka patur, ka dhe gjithherë do të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës.  

Ndaj, që nga fillimi e kemi pranuar nënshtrimin dhe fare nuk kemi treguar asnjë sens dashurie për shtetin dhe për qytetarët e saj. Që nga fillimi i dialogut, patjetër është dashur të vejmë kushte; njohja si shtet, kërkimi i dëmshpërblimeve që ka bërë Serbia gjatë luftës, dhunimi i mëse 20.000 grave gjatë luftës, zbardhja e të pagjeturëve, ku ende na mungojnë edhe 1650 të pagjetur. Pra asnjërën kusht të mos e kërkosh nga Serbia e cila bëri masakra e krime të shumta, e të mos kërkosh llogari prej saj është me të vërtetë katastrofë e llojit të vet?!!!. Dhe ne dialogojmë aq lehtë me shtetin gjenocidal duke mos e kushtëzuar me asnjë kusht Serbinë për gjenocidin e bërë? A ende nuk u mbushëm mend se dialog të sinqertë me Serbinë asnjëherë nuk mund të ketë, as sot dhe as kurrë ?! . . .

Dhe që nga fillimi, ekipi negociator ka zhvilluar dialog (negociata) të papërgatitura, pa program e koncept qeveritar dhe pa vizion të qartë për shtetin dhe të harmonizuar me Kushtetutën e vendit. Të gjitha këto, varg e vijë tregojnë papjekurinë të ekipit tonë negociator i  cili e solli këtë dialog pa perspektivë për Kosovën dhe për popullin e saj.

Ky dialog na solli marrëveshje të kundërta me kushtetutën e vendit. Marrëveshjet janë nënshkruar pa i studiuar mirë dhe shih fatkeqësinë kombëtare për shtetin; asnjëherë këto marrëveshje të nënshruara me Serbinë, nuk janë debatuar në Parllament, si institucioni më i lartë i shtetit? E, Serbia gjithmonë ka ardhur në bisedime e përgatitur, së pari ka bërë dialog me BE-në për marrëveshjet, e të vona është biseduar me Kosovën, gjithnjë duke bërë presion edhe BE-ja që Kosova të bën kompromise në lidhje me marrëveshjet. Tani një dobësi e pafalshme e jona është, kur politikanë serb, e sidomos Gjuriq, i cili me pompozitet të shtuar sa herë ka dashur ka hyrë në Kosovë, si në “bashqe të babës” dhe ka folur gjithherë kundër Kosovës. Pra, kemi lejuar këtë bandit të prishur shpirtërisht të  bën çfarë të dojë në Kosovë. Nëse jemi shtet, atëherë duhet të sillemi si shtet. A thua, cili shtet në botë e lejon politikanin e një shteti tjetër të hyn në shtet tjetër pa e pyetur fare dhe ta fyen atë shtet dhe institucionet e atij shtet? Kjo bëhet vetëm në Kosovën tonë, ku nuk jep askush llogari dhe përgjegjësi për asgjë!!! Tani e përshëndes qëndrimin e MPB-së e cila vendosi që të mos lejohen asnjë politikan serb të hyn në Kosovë derisa ata t’i largojnë provokimet ndaj shtetit të Kosovës.

Kompromiset e shumta që i ka bërë Kosova duke pranuar fusnotën, duke lejuar që të bllokohet qarkullimi i lirë mbi urën e Ibrit dhe lënia e pjesës veriore të Mitrovicës që të bën çka të dojë Serbia. Ajo e kontrollon tërësisht pjesën veriore!!! Pra pjesën veriore ne vetë ia kemi falur Serbisë. U formuan 10 komuna serbe, që me aq lehtësi edhe u formuan. Serbët kërkojnë me ngulm asociacionin e komunave serbe, i cili asociacion ishte nënshkruar pa e studiuar mirë domethënien e tij, për çka edhe Kushtetuta e Kosovës tregoi për kompetenca më të mëdha dhe që ndeshet direkt me Kushtetutën e vendit. Kosova nuk ndahet o pushtetarë, as sot dhe as kurrë. Hiqeni nga mendja këtë opsion të dreqit të mallkuar?! Bashkohuni dhe flisni me një zë, sot e gjithmonë . . .

Pra, janë nënshkruar marrëveshje që e dëmtojnë kushtetutën e vendit, e përgjegjësinë, a thua kush duhet ta marri?  Pra, Serbia gjithmonë e ka dirigjuar dialogun dhe luan si të dojë me fatin e Kosovës! Ndaj, si kemi lejuar të biem në grackat e Serbisë fashiste dhe kriminale?!

Tani kemi ardhur në një mat pozicion kur dialogu me Serbinë ka ardhur në pikën kritike meqë Serbia kushtëzon dialogun me heqjen e taksës në mallrat serbe e boshnjake. Duhet urgjentisht një platformë e re në dialog me Serbinë. Të gjitha marrëveshjet duhet studiuar mirë dhe ndonjëra nëse është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ajo nuk mund të zbatohet as sot dhe as kurrë.

Meqë ekipi negociator në krye me Edita Tahirin nuk ka treguar transparencë  për shtetin dhe për marrëveshjet e nënshkruara, atëherë duhet të rishikohen në detaje ato marrëveshje të nënshkruara. Edhe presidenti i vendit nuk mund të shkoj dhe të bisedoj, pa ndonjë konsensus të përbashkët, nga partitë politike, por edhe pa u debatua në kuvend. Andaj, vetëm  kuvendi do ta aprovojë platformën në bisedime me Serbinë Si bëhet presidenti i Serbisë Vuçiq të kërkojë konsensus të brendshëm për Kosovën, e ne për Kosovën, nuk kërkohet asnjë konsensus, as nga partitë në pushtet, as nga opozita, as nga shoqëria civile, as nga ASHAK-vës, dhe për këtë kemi ardhur në një situatë aspak të mirë për shtetësinë e Kosovës. Pra kërkohet unitet dhe unifikim i përgjithshëm për bisedime. Ky bashkim institucional duhet sa më parë të formohet. Në te, na duhen profesionist të devotshëm, atdhetar e patriot të lartë që e duan vendin dhe zhvillimin e tij. Përndryshe, nëse veprohet si gjer më tani, vaj halli për Kosovën dhe për shtetësinë e saj!

Gjer më tani, ekipet tona negociatore, nuk janë treguar të vëmendshëm për ta ruajtur shtetësinë e Kosovës. Si bëhet të negociohet me Serbinë, kur ajo në Kushtetutën e saj e ka ende Kosovën si pjesë përbërës të saj. Atëherë pra, për çfarë të bisedohet, për punë të brendshme të Kosovës!  Ekipet tona negociatore, asnjëherë nuk ia kanë treguar Serbisë “dhëmbët” dhe për t’i thënë Serbisë; ne jemi shtet dhe do të bisedojmë vetëm si dy shtete. Por kemi lejuar që të bisedohet për punët e brendshme të Kosovë, ashtu siç ka dashur Serbia!!! Ndaj, kërkohet unitet. Ja sot ja kurrë . . .

Vetëm kështu Kosova do të eci përpara, përndryshe, nëse edhe më tej vazhdohet kështu siç është vepruar gjer më tani, vaj halli për shtetin dhe për qytetarët e saj. Ja sot dhe ja kurrë duhet ta mbrojmë shtetin dhe pavarësinë e saj. Mundemi vetëm na duhet uniteti. Pa unitet nuk ka shtet dhe as prosperitet. E pra bashkohuni për ta mbrojtur Kosovën e cila është larë në gjak qe 150 vjet nga shteti i Serbisë. Vallë, si bëhet që aq lehtë ta pranojmë dialogun me Serbinë, kur ajo vazhdimisht kërkon që të dialogohet për punët e brendshme të Kosovës. Andaj pushtetarë vëne gishtin në kokë e mendoni mirë se çka jeni duke bërë me këtë shtet dhe me këtë popull të varfër? Dhe, si po lejoni që rinia jonë dhe gjaku i ri aq lehtë po ikin nga Kosova?! Andaj pushtetarë, aman mendoni mirë se çka jeni duke bërë?! Dijeni se Kosova martire është e qytetarëve e jo e pushtetarëve. Ndaj, për çdo gjë pyeteni popullin dhe kushtetutën e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat