Drejtësia, mundësia e shkuljes së politikës së vjetër

Opinione

Drejtësia, mundësia e shkuljes së politikës së vjetër

Nga: Ilir Vata Më: 11 korrik 2019 Në ora: 11:48
Ilir Vata

Një klasë politike që vjen nga e shkuara me komplekset dhe mendësinë e saj duke u rrokullisur për tri dekada herë para dhe herë pas është ndotur e bërë pisë si një grumbull bajgë është korruptuar e dhjamur sa barku i politikës së vjetër nuk lenë të shohin përpara, por pas dhe pas dhe ja ku jemi në të njëjtin stad ku e nisëm, dhe me një shpresë të shuar.

Politika e së shkuarës është e matufosur, përjashtuese dhe izoluese e qarkullimit të elitave, të brezit të ri dhe çdo ditë e më shumë kjo klasë politik matufoset duke dalë jashtë realiteti dhe koherencës.

Çdo ditë politikanë mendojnë se si të pasurohen, se si të forcojnë klanet, aleancat e zeza për të siguruar pushtet dhe pasuri në kurriz të qytetarëve për t’i sunduar ata dhe jo për ti drejtuar drejt mirëqenies dhe integrimit, që njerëzit mezi presin.

Po ata të djeshmit, të kohës së diktaturës janë të kudogjendur, në institucione, në parlament, në administratë në institucionet kushtetuese, në profesionet e lira dhe në drejtësi me shumicë.

Koha e vjetër është e pasuruar me të gjithë elementët e së shkuarës, me mëkatarë, me persekutorë, me ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, më një barrë mentaliteti e shkolle që vjen nga diktatura dhe e gjitha kjo siluetë shpesh nga parakalimi i eksponentëve të diktaturës dhe pse jo dhe vetë diktatori.

Pra, reminishencat e të shkuarës nga kanë bashkëshoqëruar për afro tri dekada dhe janë bërë tashmë mbytëse duke sfiduar të renë, të ardhmen e shqiptarëve, sepse ende nuk ka nisur Shqipëria kurimin me të shkuarën, por vetëm ca retushe mbi të, si për të krijuar zhagarravinën e përjetshme të një kombi, tranzicionin që mjerisht na është kthyer në një lloj sistemi hibrid, një lëmsh i mbështjellë me skoriet e regjimit.

Klasa politike është tromaksur, klanizuar si një bandë që turret të marrë pushtet, duke dhen e duka marrë çdo gjë në këmbim të të shkretës votë, të vetmen gjë që ka qytetarë dhe ja ku jemi, disa krerë partish që bëjnë pazar të blejnë votën dhe të shesin të mira.

Po ata të djeshmit majtas dhe në të ashtë quajtur të djathtë se pse kjo e shkretë mungon, pasi i vjedh formalisht nga po ata të së shkuarës.

E djathta ka bosht jo të djathtën por boshtin e së majtës së shkuar të regjimit, që përshkohet në bosh nga ligji ogurzi 7501, kundër të drejtës së pronës, kundër transparencës me të shkuarën, kundër të përndjekurve dhe pronarëve, sepse ende nuk është bërë dekomunistizimi, ende nuk janë hapur dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit, ende nuk është hedhur dritë mbi të shkuarën dhe mjerisht nuk është hetuar asnjë person për krimet e komunizmit, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend ish- komunist që jeton si në komunizëm, por në demokraci.

E djathta e vërtetë është në copëz si një mozaik i hedhur në një telajo të madhe sa zor që të bëhen bashkë, ashtu vetëm sa shëmbëllehen kolorin si për të treguar se ky vend ka traditë, ka familje të mëdha, se e djathta ka rrënjë në këtë treve, fundja është një zë që ndihet dhe se i dobët dhe se i largët dhe i pafuqishëm, por demokracia e një dhe e ka të nevojshëm atë.

Politika nihilistë ka vjedhur çdo vlerë që mbeti gjallë, që u rishfaq në demokraci për të ia ngjeshur fytyrës së vjetër të politikës e mbajtur atë një siluetë jo për të ngjallur shpresë por trembur të ardhmen, siç edhe po ndodh.

Diktatura vrau çdo vlerë të mirë, izoloi dhe burgosi një kobë të tërë, ngjalli më të keqen dhe ndërseu njerëzit kundër njëri-tjetrit, hoqi çdo besim, zhduke çdo të mirë, tromaksi dhe sëmuri një shoqëri të tërë duke e lënë atë në pos traumë, sëmundje kronike të pashërueshme.

E gjithë ky grumbull bajge, ku mal plehu i politikës së vjetër ka vetëm një mundësi që të zhbëhet, drejtësia për secilin, vënia para drejtësisë të cilit do që dje në diktaturë, persekutoi, dëboi, internojë dhe vrau njerëz të pafajshëm.

Drejtësi dhe vënia para saj për çdo të korruptuar, për cilin do që ka marrë të mirat publike.

Drejtësia është pak, por duhet sekuestrimi i pasurive të politikanëve, zyrtarëve të korruptuara dhe të mira e vjedhura tu kthehen qytetarëve.

Ta shembim këtë grumbull bajge të politikës së vjetër me drejtësi, me pjesëmarrje në politike të gjithë secilit, me përgjegjësit e të rinjve që duhet të këmbëngulin ta shkulin politikën e vjetër sepse ajo po na vjedh të ardhmen.

Sa herë që ka hov për të shkuar para, politika e vjetër na tërheq rrëshqanë të ardhmen dhe qytetarët, ngulur me thonj pas jetës, të varfër dhe të pamundur për të jetuar nuk janë gjë tjetër vetëm sehirxhinj të kësaj melodramë që shohim çdo ditë, një rrekje mes të shkuarës dhe të ardhmes, që mjerisht deri më sot ka fituar e shkuara.

Ta zhgardhojmë të shkuarën, gardhin që na la diktatura me hunjtë e saj mëkatarë në dy kohë, dje duke persekutuar shqiptarët sot duke i vjedhur të mirat dhe të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat