Kaos

Opinione

Kaos

Nga: Kimete Berisha Më: 12 korrik 2019 Në ora: 20:10
Kimete Berisha

1. Deri në fund të këtij shekulli, do të mbesin gjysmë milioni shqiptarë, ndërkohë do të zhdukemi krejt. 
Zhdukjen tonë e ka parashikuar OKB-ja.
Asnjë shqiptar deri tash nuk ka reaguar ndaj OKB-së, sepse jemi të pajtuar me zhdukjen. 
Shpëtojmë nga zhdukja nëse heqim dorë nga të qënit shqiptarë, sepse atëherë zhduken shqiptarët, por mbesim ne si ish shqiptarë. 
Aq shumë na urrejnë sa na paramendojnë të zhdukur. 
Ne jemi të mirë dhe të pranueshëm për OKB veç si specie e zhdukur ose si inferiorë e të asimiluar. 
Ndryshe bëhemi agresivë. Liria na bën të egër. Kjo që liria na bën të pagdhendur është qind për qind e saktë.

Dhe jemi duke u zhdukur, duke u tretur! 
Zhdukja jonë po shihet. 
Unë që po kam nge, po e shoh që shqipja ka dalë prej mode, qe për shembull 50 mijë fjalë i ka fjalori shqip, e ne i përdorim ndoshta nja 500 fjalë.

Ndërkohë letërsia shqiptare është 'e vdekur', sepse është e panevojshme, jo atraktive dhe e padëshirueshme, sikurse filmi dhe drama, muzika shqiptare po deshqiparizohet, fëmijët preferojnë të flasin anglisht me nanat e tyre, dhe me njëri-tjetrin, ai që s'flet anglisht (gjenerata e vjetër) së paku shan anglisht.

Shumë prindër së pari e mësojnë fëmijën të numërojë anglisht e pastaj shqip. Mburren nanat e reja që fëmijët e tyre më mirë dinë anglisht se shqip. Shqipja për shqiptarin 'e ri' po bëhet dytësore. 
Të rinjtë që janë rritur në perendim, gjithnjë e më shumë flasin anglisht, gjermanisht e frëngjisht, dhe dashuria për Kosovën e ka një fund, ajo merr fund kur marrin 'fund' gjeneratat e paraluftës.

Ndoshta nuk është keq m'u zhduk, s'di, por zhdukja që po na pret do të jetë një zhdukje vullnetare. 
Me shekuj jemi frikësuar prej armikut e ish-armikut, mos po na bën për vete turku, arabi e greku, e ndërkohë duke u frikësuar nga armiku, 'anglishtja' si mike e ka bërë të veten, na ka bërë 'amerikanë' pahetueshëm, në heshtje, ashtu siç të përvetëson dashuria. 
Gjuha shqipe shihet nga vet shqiptarët si gjuhë pa të ardhme dhe pa perspektivë. 
Ndërsa arabishtja për shqiptarët është një gjuhë e pakuptueshme dhe e papërdorshme, që shërben për t'u lutur (pa e kuptuar çka po thua) dhe është gjuhë që të përcjell në varr.

2. Kështu nuk mendon Avni Arifi, Tarzani, i cili veten e quan ambasador fuqiplotë dhe i jashtëzakonshēm. 
E quajti shkelqësi sundimtarin e Emirit të Dubait. Aq sundimar është Emiri, sa i ka ikur (njëra nga shtatë gratë) e nuk po e gjen.

Sot ambasadori i jashtëzakonshëm ish takuar me ministrin për tolerancë të Emirateve, i cili për respekt ndaj Avniut fuqiplotë kish mbath japanka të bardha (i kish kombinu me fustan të bardhë), i kish hap këmbët si i bëmë rishtas synet e gishtat e këmbëve i kish nxjerr përtej japankavr që me i flladit. 
Ndërkohë nga fotelja ulur, Avniu fuqiplotë ish zgjat në drejtim të ministrit sikur don me puth n'gojë, tuj i hi n'prapanicë ministrit për tolerancë arabe, pa ia kërkuar ministri përuljen e jashtëzakonshme.

Prej se është takuar me Gjuriqin tinëz, Avni Arifi nuk është mirë. Se nëse Avniu është takuar tinëz me Gjuriqin, Gjuriqi nuk është takuar tinëz me Avniun.

3. Fotelja ku ish ulur Avni Tarzani në Dubai nuk ish e përshtatshme me përdorë si armë. 
Si armë në LDK është e përshtatshme të përdoret karriga e Van Gogut, kush se kish pas atë karrige, shto dy qirinj ndezur në ulëse. 
Kur z'gabim ish ulë direkt në qirinj të ndezur Isa Mustafa nuk i kish ra në mend me thënë se kushdo që flet keq për LDK është 'askushi'.

Askushi je ti që nuk flijohesh për parti, qysh s'të vjen turp mos m'u fliju për parti, po i shtin njerëzit m'u rreh për ty, si për do femra (kuq-bardhë) që u rrehshin mashkujt, ktyneherë.

Karriga është simbol i pushtetit, pra rrahja e LDK-sëbështë simbolikë banale, por shqiptarët e çudisin botën se karrigen e përdorin edhe për të 'pame'. 
LDK po zhduket e para prej shqiptarëve.

Thjesht më vjen marre kur po i shoh burrat kishe po rrehen me karriga dhe po dalin shëndosh e mirë nga 'lufta'. S'ka me dalë 'i gjallë' nga lufta, s'ka hile.

Ne jemi rritë me idole si Kung Fu, Sandokani e Rocky Balboa, jemi mësu me rrahje hakikat.

Anipse njanës n'Vushtrri me fustan ngjyrë mente boll i lakmova, ajo e kish marrë seriozisht, i sillke bre njanin me karrige shpinës, derisa u shfry. 
As arushë, as mashkull, as beter, me ta mësy çiftja e saj ta rrëzon shpinë, jo LDK-në.

Ku me ditë çka i ka ba ai njeri që ajo i sillke pa dhimb. Ndoshta e ka meritu. S'di.

Këmbët e karrigeve me të cilat rrehen demokratët rugovistë janë prej hekuri por ata po dinë m'i përdorë mirë, kurrë s'habiten me ja ngul në zemër najkuj, e preferojnë shpinën si qendër sulmi. 
Anipse është e ndalume. 
Viktima ka të drejtë me pa sulmuesin dhe me Kanun është e ndalume me sulmu prapa shpine. Me Kanun, nuk është 'vrasës i respektuar' ai që sulmon prapa shpine.

4. Duhet m'u rreh si profesionist, për me ta pranu. 
Dje e lexova Majlindën që kish thënë 'unë jam ambasadorja më e mirë e Kosovës', ndërsa sot e humbi gjysmëfinalen në Grand Prix Budabest. 
Qe çka të ndodh kur fillon me t'hy vetja n'huj. 
Kur të rritet mendja të dobësohet trupi. 
Se mendja është e poshtër (që ka thënë njani), shkakton kaos dhe të bën m'u dashuru në vetveten. 
E kur dashurohesh në vetveten, harron m'u mbrojtë prej të tjerëve.

Derisa rrahen njerëzit dhe shtyhen se cili është ma i fortë se tjetri, dhe plus rrahja quhet sport, s'do të ketë civilizim të plotë.

5. Ramush Haradinaj mbasi krejt punët në terezi, ju kish kthy zanatit të vjetër, ish hip me pantallona zherse në kombajnë m'i inspektu korrje-shirjet, duke e shfaqur simpatinë dhe respektin e tij të thellë për grurin.

Ka fillu me më pëlqy perceptimi i disa burrave të Dugagjinit për lirinë e gruas. 
Kush kish thënë se vjen dita e sheh gratë e disa 'djelmoshave të rrezikshëm' politikanëc që postojnë fotografi 'më zi' se Sharon Stone te 'Basic Instict'.

6. 'Instikte të ulta' kish pas sidomos Ilir Meta. 
Çohet Presidenti, poston foto me brekë të kuqe dhe e ekspozon trupin e lodhtë (i përhani edhe kafshët i ka traumatizu)...
Një ditë u la ne det dhe pasi notoi 2 metra, u ndal dhe konstatoi: 'më mirë në det se në pishinë'. 
E ka kopju pak stilin e njëfarë Zajmina sdikushit që kish ardh në përfundim se 'jeta është më e mirë në bikini'.

A mundet me ekzistu naj budallë më i madh se ky.

7. Si Ilir Meta, edhe Hashim Thaçi ish kanë mirë m'u shkarku, prej momentit që e kanë mashtru dy agjentë rusë, me profesion humoristë. 
Agjentët mund të jenë edhe këngëtarë, artistë, shkrimtarë, por ne shqiptarët i perceptojmë veç si milicë dhe si politikanë.

Hajgarja është gjysma e përnjëmesë, prandaj sikur Zaevi të ishte ra në grackë do të binte për veti, e jo për Hashim Thaçin. 
Ku ke pa ti me ra në grackë 'për dikë tjetër'.

8. Në grackë të AKI ka ra njëra që e ka dërgu Behgjet Pacolli konsulle në New York. 
Ish e rrezikshme për sigurië e vendit. 
Dikush prej saj apo ajo vetë kish lidhje me serbë. Pacolli ka lidhje me serbë e rusë direkt e s'po e rrezikon vendin jo kjo vajza, që vajzat shqiptare edhe ashtu s'i merr kush seriozisht.

Kjo Himadunka (që para se me marrë në qafë Republikën e Kosovës e ka marrë në qafë Ramushin),kish reagu fuqishëm 'mos rreni' i kish thënë AKI-së.

9. E sot, Ramushi e ka leju me hy në Kosovë, Gjuriqin, kurse Behgjet Pacolli e ka ndalu! 
Ky s'është shtet.

Kosova më nuk ka institucione. Ka institucione paralele. Secili shah n'veti. Të gjitha institucionet janë të pavaruara nga qeveria dhe grupime kriminale që vjedhin, shkatërrojnë dhe nuk i përgjigjen askujt.

10. Deri edhe rektorit i erdh dita me ble 'urgjent' xhip 100 mijë euro. Ku po don me shku me atë xhip o 'boem', që e ke lyp xhipin urgjent si me qenë autoambulancë, bash për pushim....turp, plus mos ia pafsh hajrin.

11. Kush janë këta njerëz, kush janë këta kriminelë që qe 20 vjet na e shkatërruan jetën (dikujt ia morën edhe jetën), e po bëjnë kërdi? 
Jusuf Buxhovi po thotë se janë kriminelë të UÇK, e cila nuk ka bë luftë të pastër.

E Gani Kocit të PDK-së i kish mbet zhig që nuk e ka 'pastru' Kosovën prej çiftit të Buxhovit, së paku me ja nxjerr floktë me rrajë se i ka kualitet. 
Sipas këtij interpretimi të Kocit, s'e kanë ditë që vjen dita se e hap gojën ky, se e kishin zhduk me kohë. 
Kush e shan UÇK-meriton 'të zhduket' para kohe ?, jo me prit fundin e shekullit.

Gani Koci ia kish përmend Jusuf Buxhovit, vrasjen e Jusuf Gërvallës...Shkaku i emrit që e kanë të njejtë. Çka s'nin njeri. Unë kam kujtu se krimineli më i madh shqiptar i të gjitha kohëve është Xhavit Haliti e jo Jusuf Buxhovi.

(Mos e 'mytni' Buxhovin, se unë po ju tregoj se ai e përdorë si shembull për të keq 'UÇK-në' sepse tutet me folë me emra konkret. Kur thua UÇK ka bë krime, nuk ke thënë bash asgjë).

E Jakup Krasniqi le ta ulë kokën. Më mirë si Buxhovi sesa si Jakupi që nga një hotel i Tiranës e shpalli mobilizimin e popullit duarthatë dhe prej atij momenti u vranë e u masakruan qindra veta.
UÇK jo, por ju jeni kriminelë.

12. E një ish gazetare e kish ofendu pavetëdije nanën e Jusuf Gërvallës, se kjo gazetarja kish thënë 'shyqyr që s'e kam emrin Ajshe', veç pse e ka pas gruaja e Pejgamberit. 
Askush nuk ta ndalon me ndërru emrin, ngjitja vetes emrin çfare të duash, a po është kush ngusht për kë a, por edhe nana e Jusuf Gërvallës e ka pas emrin Ajshe.

13. Derisa nëpër hotele Task Forca kundër drogës po flasin kundë drogës duke pi raki, shumë kioska afër shkollave vazhdojnë t'u shesin cigare me copë fëmijëve.

Duhet të bëhet edhe një Task Forcë kundër kozmetikës, një ditë në një kozmetikë dy vajza nën 10 vjeç blejshin thonjë dhe shitësja i mësonte qysh ngjiten. 
Reagova me 'ma more', po shitësja tha 'nashtë se kanë qef lente hjekin merakun', çdo ditë tha vijnë vajzat e vogla blejnë çerpikë e thonjë artificialë.

14. Derisa ministresha e integrimeve merret me Kosovën A, e integron rrymën në Evropë, dhe 'e din ajo ku', e 'liberalizon' krimin dhe korrupcionin, dhe lan lesh me paret e ministrisë, për me na bind me një fushatë se sa lezet është me pas viza, ministria e inovacionit i ka zbuluar jastëkët 'nina-nana'. 'Shpikja' e parë e ministrisë së inovacionit edhe ajo 'shpikje' lidhet me gjumin.

15. Ish shku njani te Daut Demaku e ish anku për shëndet. Guruja i kish thënë, shko në shpi e kah të rrotullohesh përsërite mantrën 'Unë jam i shëndoshë'. 
Mbas disa ditëve, i sëmuri u shërua, për habi të mjekësisë. 
Pastaj, ky ish shku edhe një herë te guruja. E kish lut mjeshtrin m'i ndihmu me flejt me gru. Mjeshtri e kish mësu,?përsërite mantrën 'Ajo nuk është gruaja ime, ajo nuk është gruaja ime...ajo nuk është gruaja ime', dhe sëmuri ish shëruar. 
Po bëj hajgare se ka qenë një guru tjetër jo DD, por mos u habitni nëse e dëgjoni prej tij, se jo veç prapanicat, buzët, çerpikët, flokët, bebëza e syve, po gati çdo gjë është fallsë dhe plagjiat te shqiptarët. Dhe plagjiatorët pastaj shpërblehen me poste ambasadorësh. Kërdi.

P.S. Kur e pashë Kancelaren gjermane duke u dridh për herë të tretë, mendova: qe, kjo është gruaja e hekurt dhe më e fuqishme e botës. 
Në atë momet çdo grua e papunë dhe anonime ishte më e fuqishme se ajo. 
Fuqia nuk vjen nga pushteti, pushteti e ushqen egon dhe u shërben atyre që nuk kanë asnjë talent tjetër. 
Çdokush ish larguar dhe kish kërkuar ndihmë, se e kish dasht jetën më shumë se pushtetin, por njeriu i mësuar me pushtet, nuk do të jetojë i lirë, nuk di të jetojë pa pushtet, sepse bëhet rob i një fuqie të rreme. 
Çdo pushtet dhe fuqi që ta jep dikush është e rreme. 
Një lexues i buzëve tha që Kancelarja e ka përballuar dridhjen e fundit duke thënë mantrën 'Do t'ia dal'.

Pra, një i papunë në një moment mund të jetë më i lumtur se një njeri i 'fuqishëm' me pushtet. 
Prandaj, lakmoje vetëm njeriun pa dëshira dhe pa ambicie. 
Njeriun e lirë nga nevoja për pushtet e për sundim, i lirë nga nevoja për të qenë kryesori dhe i lirë nga nevoja që të pyetet e të vendos për çdo gjë. 
Do të vijë dita kur nuk të 'dëgjon' këmba jote, jo dikush tjetër.

Dështojmë se i lakmojmë njerëzit e gabuar.

(Megjithatë, nëse gjen vizë, ikë prej Kosove. Shfrytëzoje rastin sa s'na ka zhduk OKB-ja ?).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat