Klasa politike e shantazhuar dhe e dështuar në Kosovë

Opinione

Klasa politike e shantazhuar dhe e dështuar në Kosovë

Nga: Shpend Salihu Më: 15 korrik 2019 Në ora: 19:44
Shpend Salihu

Derisa vendi ynë ndodhet në mjerim socio-ekonomik, me politika të dështuara makro- ekonomike dhe fiskale, në një evazion të theksuar fiskal me një shkallë të lartë të krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit, me sistemim dhe profilizim të kuadrove të cilët as nuk kanë njohuri të mjaftueshme profesionale që të i avancojnë proceset dhe reformat në shtet me një shkallë të lartë të dezorganizimit shoqëror dhe politik, me kuadro të reja që nuk kanë as nivelin e mjaftueshëm profesional e as praktikën jetësore, politike dhe profesionale, të cilët marrin paga të majme dhe shpërblehen në bazë të militantizmit politik, e kuadrot e mirëfilltë qëndrojnë në prapaskenë ose injorohen, kjo bëhet siç thoshte Aristotle aty ku dominon injoranca, aty të mençurit konsiderohen injorantë.

Kjo klasë politike pozitë dhe opozitë ka dëshmuar se ka veç interesin e vet personal, përfitimet financiare dhe benefitet e tjera që uaservon mandati i përfaqësimit në parlament. Klasa jonë politike siç dihet është e shantazhuar jo veç nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të dosieve të cilat ua ka përgatitur bashkësia kombëtare por edhe shantazhuar mes veti për krijimin e koalicioneve të dhunshme edhe pse në dëm të elektoratit të vet vetëm për përfitimin e pushtetit.

Është çuditës fakti sesi e tërë klasa jonë politike ende nuk arriti ti kthej Shqipëtarët në pjesën Veriore, edhe pse Kushtetuta e Republikës së Kosovës e parasheh se prona është e shenjtë dhe se garantohet liria e lëvizjes. Si kjo klasë politike pozitë dhe opozitë nuk u kujtua ta parashtroi këtë çështje në Bruksel kur vetë Rezoluta 1244, neni 13 e obligonte misionin civil ndërkombëtar si dhe autoritetet vendore, të mirën me ripatriotizimin e personave të zhvendosur në vendin e origjinës.

Derisa Serbët, Romët, dhe Ashkalitë u kthyen, u integruan, iu ndërtuan shtëpitë dhe u mbrojtën nga organet e rendit, askush nga klasa politike nuk u kujtua për kthimin e Shqipëtarëve në pjesën Veriore të Mitrovicës, siç hduket është mëse evidente se kthimi i Shqipëtarëve në Veri, do të parandalonte ndarjen e veriut dhe aneksimin nga ana e Serbisë, e kjo jo vetëm që nuk ju shkon në favor autoriteteve Serbe por është mëse evidente se nuk i shkon në favor as klasës tonë politike.Derisa partitë tona politike rrinë duke bërë luftë të pakompromisë për pushtet, Çakori u dha dhe nuk u shtrua çështja e inicimit të procedurës së arbitrazhit për rishikimin e kufirit. Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe e firmosur në prill të 2013-tës, ishte në pajtueshmëri me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, dhe me ligjin për vetëqeverisje lokale të Republikës së Kosovës, si dhe me paketën e Athistarit, marrëveshja e gushtit 2015 i dha pushtet ekzekutiv veriut, dhe krijoi një shtet miniaturë në kuadër të Republikës së Kosovës, aq më tepër kjo marrëveshje jo vetëm pse e gabuar por edhe dështoi pasiqë nuk u ratifikua nga parlamenti i Kosovës, dhe në rrafsh ndërkombëtar na tregoi si shtet joserioz.

Siç duket gjithashtu, mos liberalizimi i vizave është pasojë e tërë klasës politike, pasiqë pozita dhe opozita janë të bindur që nëse vije te liberalizimi i vizave, shpejt do vijë te zbrazja e Kosovës për shkak të mjerimit socio-ekonomik dhe dështimeve të klasës tonë politike, e derisa ne fajësojmë BE-në nuk jemi në gjendje të shohim se në prapaskenë vetë zyrtarët tonë politik nuk dojnë liberalizim të vizave pasiqë janë të vetëdijshëm se Kosova do boshatisej. Kjo klasë e jona politike krijon koalicione me partnerë të ndryshëm që mund të quhen koalicione artificiale disa për të mbajtur pushtetin e të tjerët për të marrë pushtetin. Interesi i Kosovës fare nuk iu intereson e besa edhe interesi i Shqipëtarëve në troje etnike në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat