Pushteti shtypës

Opinione

Pushteti shtypës

Nga: Nuran Xhymshiti Më: 16 korrik 2019 Në ora: 14:58
Nuran Xhymshiti

Hendeku në mes pushtetit dhe qytetarëve është prezent në një masë të theksuar. Ky hendek është krijuar me vet fajin e qytetarëve, dhe dita ditës hendeku në mes këtyre dy komuniteteve veç sa shkon e rritet.

Mendoj se ekzistojnë dy botë, bota e pushtetit që është një komunitet i vogël, dhe bota e qytetarëve që përbënë komunitetin shumicë. Botës se pushtetit i takojnë njerëz pa vlera, pa dinjitet njerëzorë, pa ndërgjegje, të cilët bëjnë një jetë luksoze dhe jashtë realitetit shoqëror, social e ekonomik që interesat personale i konsiderojnë mbi interesat shtetërore e kombëtare. Kurse botës së dytë i takojnë njerëz me vlera te larta , të përgjegjshëm dhe te ndërgjegjshëm, njerëz të cilët luftojnë për mbijetesë dhe ekzistencë, njerëz të cilët çdo ditë i japin përmbajtje shtetit, njerëz të cilat karshi diskriminimit çnjerëzorë prapë vazhdojnë ta duan shtetin.

Arroganca, injoranca, manipulimi, shantazhimi, shtypja, kapja, kërcënimi, presioni, uzurpimi, zhvatja, nepotizmi, klientelzimi, krimi, kontrabanda si koncepte i takojnë njerëzve të komunitetit pakicë, dhe si pasoje e kësaj, rrjedhimisht te komuniteti shumicë i hasim këto koncepte: pasiviteti, neglizhenca, heshtja, shpresa në dis’harmoni me veprimin, pamundësia, me një fjalë mosaktivizimi apo pasiviteti karshi këtij hendeku të krijuar qe nga paslufta, krejt si pasojë e gjendjes së krijuar nga pushtetet e pasluftës. Nuk ka fjalë që kjo gjendje e mjerueshme socio-ekonomike i shkon përshtati pushteti, pasi që pushteti e ka shumë lehtë të manipulojë më qytetarë përmes mekanizmave që i posedon falë pushtetit.

Gjendja natyrore e krijuar nga komuniteti pakicë i konvenon këtij të fundit , dhe është në dobi të tyre. Në gjendjen e krijuar i forti në këtë rast komuniteti pakicë ka në duar pushtetin për të dhunuar me të drejtat dhe jetën e qytetarëve, dhe për të shkatërruar të ardhmen gjeneratave pasuese. Kjo gjendje anarkike e krijuar nga komuniteti pakicë është jashtë çdo rregulli demokratik e njerëzorë.

Komuniteti pakicë është në gjendje të dhunon vullnetin e komunitetit shumicë vetëm e vetëm të qëndrojë në pushtet, pushtet i cili i siguron lirinë, të cilët këtë të fundit e kanë dhunuar që nga paslufta.

Komuniteti shumicë i ngulfatur në këtë gjendja, dita ditës po humb durimin i cili është akomoluar për vite të tëra. Prandaj vetëdijesimi i komunitetit shumicë po ecën, edhe pse me hapa shumë të ngadalshëm, dita ditës po arrijnë të çlirohen nga këta zingjirë shtrëngues, i cili ju është vendosur më qëllimin që komuniteti pakicë të jetojë në një realitete jashtë dhe pavarsisht komunitetit shumicë.

Është shumë e logjikshme dhe racionale qe vetëdijesimi nuk ndodhë vetvetiu dhe brenda një nate, këtij vetëdijesimi duhet t’i prijnë të gjithë e në veçanti mekanizmat e shoqërisë civile. Prandaj me rritjen e shkallës së vetëdijesimit, rrjedhimisht, ndëshkimi ndodhë në baza racionale e konceptuale. Nëse bëhemi realist e gjykojmë në baza objektive, degradimi nga kasta udhëheqëse e pasluftës ka ndodhur në çdo pore të shoqërisë, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, institucionet e drejtësisë, ekonomia e shume institucione të pavarura, prandaj është e domosdoshmëri e kohës që këta mekanizma vetëdijsues t’i prijnë këtij “revolucioni” demokratik në mënyrë që të shpëtohet Republika nga këta uzurpatorë dhe njëherë e përgjithmonë t’i kthehemi normalitetit.

Shkencërisht është vërtetuar se në shoqëritë postkonfliktuale manipulimi me masën është shumë i lehtë dhe i kollajshëm, prandaj pushteti çdoherë ka ditur të përdorë mekanizma për të manipuluar me njerëzit e varfër të cilët kanë bërë luftë për mbijetesë. Pushteti është në gjendje të sajojë probleme të paqena vetëm e vetëm që të shpërqendrohet opinion publik karshi problemeve reale që ballafaqohen. Gjendja anarkike e krijuar po krijonë mjegullinë për komunitetin pakicë, i cili ka ditur të shfrytëzojë racionalisht duke krijuar një murë të pakalueshëm nga qytetarët, dhe me këto veprime pushteti çdoherë ka rritur kontrollin ndaj komunitetit shumicë dhe ka krijuar rahatinë për pushtetin e tyre.

Çrrënjosja e këtij hendeku të krijuar që nga paslufta në mes dy komuniteteve do të ndodhë atëherë kur komuniteti shtrëngues do të zgjohet nga gjumi dogmatik dhe të ndodhë një “revolucion” në të menduarit, i cili do të jetë emancipues për komunitetin shumicë. Në momentin kur të ndodhë kjo kthesë shumë e rëndësishme për komunitetin shumicë, komuniteti pakicë do ta humb lirinë të cilën e ka siguruar përmes pushtetit, dhe kjo liri do t’ju dhurohet komunitetit shumicë që edhe është dashur t’i takojë që atëherë.

Çlirimi nga këta zaptues, dhunues, manipulues, kërcënues, shantazhues do të jetë vetëm në shërbim të komunitetin shumicë, por edhe gjeneratave pasuese. Kurse humbja e lirisë për komunitetin pakicë do t’ju shërbejë si mësim gjeneratave të ardhshme që kjo histori të mos përsëritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat