Armatosja e kryeministrit - Bota Sot
Armatosja e kryeministrit

Opinione

Armatosja e kryeministrit

Fadil Kajtazi Nga Fadil Kajtazi Më 18 korrik 2019 Në ora: 14:09
Ramush Haradinaj

Shqetësimet e sigurinë kombëtare nga kërcënimet eventuale të Serbisë, duhet të jenë permanente, pasi ajo vazhdon t’i kultivoj ndjenjat armiqësore dhe të shprehë qëllimin armiqësorë kundër Kosovës në të gjitha drejtimet. Dhe në këtë rrafsh, klasa politike serbe, Kisha Ortodokse, elitat intelektuale, pothuajse nuk kanë lëvizur vendi duke vazhduar t’i kultivojnë dhe forcojnë pikëpamjet shoviniste në drejtim të shqiptarëve dhe Kosovës, pikëpamje këto të artikuluara nga elitat intelektuale serbe dhe Kisha ortodokse në gjysmën e viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, e të cilat provoi t’i realizoi Millosheviqi përmes aparatit shtetëror. Aktualisht në shumicën e qarqeve politike serbe, intelektuale dhe kishtare ende mbizotëron ideja e zhdukjes së shqiptarëve nga faqja e dheut, ende janë të gjalla afshet për mbushjen e autofrigoriferëve me kufoma shqiptare dhe hedhjen e tyre në Danub. Kjo është një gjendje, dhe fakti se Vuçiq dhe Daqiq janë trashëgimia e politikës të gjenocidit serbe kundër popujve jo serb të ish Jugosllavisë, duhet të jetë shqetësuese. Ngjashëm do të duhej të shqetësohej Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore sikur në Gjermani president i vendit të bëhej Himler dhe ministër i jashtëm Gebels.

Këto shqetësime dje (16.07.2019), i parashtroi Gjeneral Ramush Haradinaj, Kryeministri i Republikës se Kosovës, i cili këtë e bëri duke e fajësuar Serbinë si shakatarin e ngecjes së dialogut me Kosovën me qellim të konservimit të konfliktit në mes dy shteteve dhe, armatosjen e Serbisë me qëllim të zgjidhjes së “problemit të Kosovës” përmes rrugës ushtarake. Në këtë kontekst, shqetësimi i kryeministrit – gjeneral, është i arsyeshëm, por duket dëshpëruese konstatimi i tij dhe pyetja njëkohësisht “a është porosi për neve që edhe ne të armatosemi!?”

Duhet vërë në spikamë çështjen se në kushtet e zhvillimit normal të Republikës së Kosovës, nga viti 2008 e deri më sot, do të ishin krijuar kapacitete të mjaftueshme frenuese dhe mbrojtëse për të përballuar ndonjë agresion eventual ushtarak nga Serbia. Dhe, kjo që sot është FSK - Ushtri e Kosovës, në rrafshin operativ, me sforcime të vogla, me atë që kryeministri thotë “që edhe ne të armatosemi”,  do ta përballonte dhe përgjakte Ushtrinë serbe në kufirin i Kosovës. Gjithashtu këto kapacitete do t’i epnin formë një epilogut fitimtarë dhe përfundimtar nga aleatët europerendimorë në raport Kosovë - Serbi, sikur gjatë këtyre viteve, elitat udhëheqëse të zhvillonin një politikë e brendshme të konsoliduar (pa krim dhe korrupsion), si dhe një politikë të jashtme agresive, e cila do të ruante “miqtë strategjik” të krijuar me mund gjatë viteve të nëntëdhjeta nga elita politike dhe intelektuale kosovare, e prire nga Ibrahim Rugova.

Në situatën që kjo elitë politike e ka sjellë vendin, dhe në qoftë se kjo situatë vazhdon me këto trende, përballja me agresion hipotetik ushtarak serb, do të jetë fatale për Kosovën, për disa arsye dhe, edhe me kushtin që “ne të armatosemi” ajo nuk do të jetë e mjaftueshme. Kjo është për faktin së elitat politike kosovare, sidomos këto që lidhen me të ashtuquajturin “krah i luftës” minuan zhvillimin normal të shtetit, dhe si pasoj nuk u arrit që të zhvillohen politikat e sigurisë në përputhje me rrethanat që dominonin gjeopolitikën rajonale dhe globale. Nuk lejuan që faktorët themelor ndikues në Politikën e Sigurisë; politika e jashtme, ajo ekonomike dhe e mbrojtjes të konsolidohen dhe zhvillohen proporcionalisht me nevojat reale. dhe kjo rezultojë:

Së pari: kemi në degradim total në marrëdhëniet ndërkombëtare

Politika e jashtë është njëri nga faktorët bazë të Politikës së Sigurisë Kombëtare dhe po ta shikosh nivelin e saj dhe krahasosh atë me kohën e viteve të nëntëdhjeta, kjo e tanishmja le shumë për të dëshiruar. Ne tani kemi një politikë të jashtme që e përfaqëson Kosovën me ambasador, konsuj dhe punonjës ambasadash mbi baza vëllezër, kushëri, dajallarë, halla e teze, mbi baza të militantëve partiak analfabet. Kjo kategori lere që nuk e ka lëvizur çështjen e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por, përkundrazi e ka degraduar, e ka stërkequr. Mjafton ajo që para disa kohe deklaroj ambasadori britanik O'Connelli se: “ka diplomat kosovar që nuk di të hapë postën elektronike” për të vlerësuar nivelin e korit diplomatik kosovar.

Në anën tjetër, kemi një ministër të punëve të jashtme i cili sa ishte vetëm biznesmen na lavdërohej se njohjet e Kosovës po ndodhin fal angazhimit të tij mbi bazë logjikës biznesore cost – benifit, e që lente të kuptohej se një numër shtetesh nja njohën nga “dhuratat” financiare që ky ju kishte bërë qeveritarëve të atyre shteteve. Aktualisht tani ne kemi ministrin e punëve të jashtme në fuqinë e tretë: BP³ =  Zëvendëskryeministër - Ministër të Punëve të Jashtme – Biznesmenë, dhe njohjet nuk po ndodhin!

Një ndihmesë të madhe në degradimin  politikës së jashtme e ka dhënë edhe  Kryeministri Ramush Haradinaj. Ai duke ju shmangur detyrave të veta kushtetuese në raport me politikën e jashtme, atë i la në dorë Presidentit të vendit i cili me apo pa vetëdije prodhoj veprime armiqësore kundër Kosovës në politikën e jashtme. Ai si garantues kushtetues, i integritetit, tërësisë territoriale dhe sovranitetit të vendit, me idetë e tija: “Do te ketë marrëveshje të dhimbshme”, “ndryshim kufijsh” “korrigjim kufijsh” etj, krijoi opinion ndërkombëtar për Kosovën si çështje e pa zgjidhur (ngjashëm me Serbinë),  edhe pse ajo u njohë nga më shumë se 110 shtete, dhe një gjykatë ndërkombëtare dha verdikt në favor të shpalljes së pavarësisë. Gjithashtu krijoi opinion se territori i Kosovës mund të negociohet dhe rezultati i gjithë kësaj është se krijoi efekt përçarës në raport me Kosovën të faktori ndërkombëtar, te ajo që ne po i quajmë “miqtë strategjik. Kjo mënyrë e qasjes së Presidentit, nga qarqet e politikbërjes së shteteve të fuqishme botërore, ka furur në funksion mendimin në vendet perëndimore që “për hir të stabilitetit të rajonit një pjesë e Kosovës mund t’i epet Serbisë”. Pastaj nëse kjo nuk arrihet me dialog, duke mbyllur sytë bashkësia ndërkombëtare, mundë t’i lejoj Serbisë që përmes një blic krig-u ushtarak ta realizoj këtë. Aktualisht balanca e politikës së jashtme të Kosovës ende është duke i mbajtur inercisë i politikës së jashtme kosovare të viteve të nëntëdhjeta, përmes disa miqve të krijuar atëherë, e që për fatin tonë, ndonëse të pakët, janë ende aktiv, si kategoria e zotit Eliot Engel

Së dyti, shkatërrimi i ekonomisë.

Ekonomia gjithashtu është njëri nga faktorët bazë të Politikës së Sigurisë Kombëtare të një vendi, dhe niveli i zhvillimit të saj dhe raporti i krijuar me faktorin e jashtëm, nuk garanton bazë kualitative të asaj që kryeministri thotë  “që edhe ne të armatosemi”.

Fakti që ne nuk kemi industri prodhuese të pajisjeve ushtarake, rruga e vetme që “ne të armatosemi” është blerja. Një ekonomi me buxhet afro 2 miliard euro, buxhet të cilin Kryeministri kryesisht e ka shpërndarë në kabinetin e tij qeveritar të mbushur me këshilltar të partisë së tij, në qeverinë e stërmbushur me ministra dhe zëvendësministra, me agjensione dhe borde, me mentalitetin e trefishimit të rrogës për vetveten, nuk të le hapësirë të mendosh se kryeministri e ka me të vërtetë punën e blerjes së armëve me qëllim të frenimit apo të mbrojtjes eventuale nga agresioni serb. Fakti i ndërhyrjes arbitrare të kryeministrit në rezervat shtetërore. Le të kuptoj se kryeministri çështjen e armatosjes e ka vetëm farsë të mbijetesës së tij politike.

Zhvillimi i politikave të mira nacionale në fushën e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit dhe kulturës, lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të krijonin kapacitete të mjaftueshme morale dhe materiale që Kosova të përballonte agresionin eventual serb. Fundi i fundit, një Kosovë e zhvilluar në kushte pa krim dhe korrupsion, pa nepotizëm, e qeverisur me nikoqirllëk nuk do të kishte fare nevojë të blinte armë. Ajo ose do t’i merrte donacion ato, do t’i blinte përmes kredive të buta dhe do sovraniteti dhe tërësia territoriale do të garantohej nga aleancat si rezultat i politikave të raport me ndërkombëtarët.

Së treti, ngecje në politikat e mbrojtjes

Ndonëse Kryeministri i atribuon vetës shndërrimin e FSK në ushtri, ai së bashku me Presidentin janë shkatërruesit më të mëdhenj të kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Është për të ardhur keq se si një pjesë e madhe e klasës politike, asaj intelektuale dhe e mediumeve ushtrinë e kuptojnë si fiksion, si diçka me të cilën kryhet puna vetëm nëse ajo ekziston. Historia politike e njerëzimit na mëson se shumë shtete të konsoliduara, me traditë dhe njohuri mbi çështjet shtetërore dhe ushtarake nuk eksitojnë më nga shkaku se elitat politike në momentet e caktuara kanë prishur balancat e Politikave të Sigurisë në raportet politikë e jashtme – ekonomi – mbrojtje. Një gjë e tillë së fundi i ndodhi Jugosllavisë e cila u shkatërrua edhe pse pati ushtrinë më të fuqishme në rajon.

Një mbrojtje efektive (hipotetike) nga një agresion i mundshëm nga Serbia duke  “u armatosur edhe ne” do të kushtonte së paku mbi 2 miliard euro të gatshme, cilat ne nuk i kemi. Kjo nënkupton formimin e 4 brigadave të këmbësorisë (tri aktive dhe një rezervë), katër regjimente te artilerisë së pazier klasike 150 mm dhe raketore (tri aktive dhe një rezervë) dhe katër regjimente të mbrojtës kundërajrore.

Edhe sikur këto kapacitete të krijoheshin, ato nuk do të mjaftohen për një mbrojtje efektive si rezultat i politikave subversive  ndaj shtetit të bëra nga kryeministri dhe presidenti i vendit, sidomos në këto dy vitet e fundit; nga shkaku se ata dobësuan deri në minimum dy faktorët e parë të Politikave të Sigurisë kombëtare.

Në rrafshin strategjik, operativ dhe taktik, lufta varet nga faktori moral, material dhe natyrorë. Dhe moral do të thotë njeriu me eksperiencën e tij dhe vullnetin për luftë, material – armët dhe pajisjet, natyrorë – koha, moti dhe terreni. Ndërveprimi i balancuar i këtyre faktorëve krijon fitoren në luftë. Fatkeqësisht si rezultat i politikave të tanishme, ne kemi një faktor moral të rrëzuar për toke, pa minimumin e vullnetit për ta mbrojtur vendin. Si rezultat i politikave nepotiste të fushën e arsimit, të punësimit, të gradimit në FSK, kemi një pakënaqësi masive e cila ndikon në uljen e moralit të trupave dhe popullatës. Në kohën kur si rezultat i këtyre politikave kemi ikje masive nga vendi, vështirë se mundë të krijohen kapacitete të mjaftueshme për mbrojtje eventuale. Vet fakti i pranimit të rreth 600 ushtarëve të në FSK, ku kriteri ka qenë baza vëllezër, kushëri, dajallarë, halla e teze, libreza e partisë AAK ose PDK, lenë shumë për të dëshiruar në përmbushjen e niveleve morale që do të jenë garantues i një mbrojtje efektive. Dhe kur jemi te faktori moral, i vetmi që në Kosovën tonë ka parametrat e dëshiruar është ai i ministrave të cilët të armatosur po manifestojnë nëpër ahengje private

Duhet përmendur se ky mentalitet i mënyrës së funksionimit rrënoi kapacitetet mbrojtëse – çliruese edhe të UÇK-së të cilat po të udhëhiqeshin nga profesionist të cilët e kishin vënë vetën në dispozicion të çlirimit të vendit, rezultati do të ishte ndryshe. Ky mentaliteti ndikoi që lufta jonë mbeti e pa kurorëzuar me çlirimin e të paktën të një qyteti të Kosovës.

Dhe zgjidhja e vetme e mbrojtës Kosovës tonë të shumë vuajtur është zhvillimi i ekonomisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit, mënjanimi i nepotizmit, kthimi në formulën magjike rugoviane “Kosova e zhvilluar ekonomikisht, demokratike, e integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA” Zoti Haradinaj dhe Thaqi nuk kanë vullnet dhe kapacitete ta bëjnë realitet këtë synim të mbijetesës së Kosovës. Ata çdo dit që po kalon po e rrënojnë atë, prandaj duhet të lëshojnë rrugën njerëzve që e duan dhe dinë ta zhvillojnë dhe mbrojnë Kosovën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...