Kosovës vdekja po i vije nga Thaçi & CO

Opinione

Kosovës vdekja po i vije nga Thaçi & CO

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 20 korrik 2019 Në ora: 16:24
Hashim Thaçi

Blic-shantazhi më i ri që u organizua kaq papritmas kundër Ramush Haradinajt , nuk është më vetëm një komplot i rëndomtë kundër tij si kryeministër dhe kundërshtuesi më i vendosur i pazareve të fshehta të Thaçit me Vuçiqin për ndarjen e vendit, por edhe një nga ataket më monstruoze kundër vet shtetit tonë të brishtë dhe mbrojtësit më të vendosur të Kosovës.

Fatkeqësisht ky akt është një përgatitje e hapur e terrenit për ndarjen dhe shuarjen e shtetit tonë ende në ndërtim, që erdhi menjëherë pas vendimit të drejtë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për hedhjen poshtë të veprimit antikushtetues, arbitrar dhe tendencioz të kuislingut Hashim Thaçi, për imponimin e tij si kryenegociator, në bisedimet me Serbinë, me ç ‘rast sipas ligjeve aktuale në fuqi, përgjegjësia e dialogut i kalon Qeverisë dhe udhëheqës i Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel, nuk do të ishte më Thaçi, por kryeministri Haradinaj.

Komploti monstruoz ndaj z. Haradinaj nuk do mend se u iniciua në koordinim të plotë ndërmjet Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit dhe shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, i cili për këtë qëllim ndërmori një vizitë të përbashkët me ministrin e jashtëm të Serbisë Ivica Daçiqin si dhe takimin e përfolur në Washington me idhtarin më të madh të ndarjes së Kosovës dhe anëtarin e lobit serbo-rus John Bolton

Ndaj për eleminimin e Haradinajt nga skena vendimmarrëse në vend, u organizua kaq papritur vizita e përbashkët e Kadri Veselit dhe Ivica Daçiqit në SHBA, ku pas takimit të koordinuar të këtyre të dyve që patën me z. Bolton, përveç ofendimeve përçudnuese të Veselit në adresë të Haradinajt erdhi edhe ftesa më e paprecedent e deritanishme-dy herë në pozitën e kryeministrit dhe e treta me radhë, për intervistimin e z. Ramush Haradinaj si person në Gjykatën e Hagës.

Me këtë rast u dëshmua edhe një herë më tepër se Gjykata speciale nuk është më asgjë më tepër sesa instrument politik në duar të Serbisë, të cilën ajo në koordinim me bashkëpunëtorët e saj besnik, Hashim Thaçin dhe baronin e kanabisit në Shqipëri Edvin Kristaq Ramën e keqpërdorë për ndëshkimin e udhëheqësve të padëgjueshëm shqiptar ndaj Serbisë, të cilët nuk pranojnë krijimin e republikës serbe në Veriun e vendit dhe kundërshtojnë vendosmërisht ndarjen e Kosovës, sipas planeve të kuislingut Hashim Thaçi , Edvin Kristaq Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit.

Por me gjithë dorëheqjen e pa revokueshme (të imponuar) të z.Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit, duke pasur parasysh insinuatat e rrezikshme që po kurdisin kundër shtetit të Kosovës, treshja famëkeqe; Thaçi, Rama dhe Vuçiq, ai u kujdes që të linte për qeverinë pasardhëse edhe disa nga porositë më jetike, të agjendës për shtetin, në mënyrë që Kosova të ruhet e pa prekshme, të mos ketë republikë serbe (asociacion një etnik serb me kompetenca ekzekutive) dhe të mbetet në fuqi taksa deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Po ashtu, i vënë para aktit të kryer për dorëheqje, pak para dorëheqjes Haradinaj ka vënë në proces edhe fillimin e rishikimit të vijës së diskutueshme kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të zi, duke emëruar enkas komision të ri për demarkim, bazuar në gjetjet e komisionit të ri të Kosovës, me këtë shtet fqinj.

Ndaj për shpëtimin e vendit nga më e keqja, që po ia përgatitin Thaçi, Rama dhe Vuçiq, është mëse e nevojshme që të gjitha këto elemente të agjendës së qeverisë Haradinaj, fillimisht të jetësohen në terren, e pastaj të përdoren si pika kyqe edhe në fushatën elektorale për të mirën e qytetarëve, mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit, ruajtjen e integritetit të shtetit dhe paprekshmërinë e kufijve të Kosovës, të cilët kuislingu Hashim Thaçi, sapo u deklarua se do ti vejë sërish në ankand për ndryshim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat