UÇK-ja nuk ka luftuar për Kosovën shtet, por për Kosovën provincë - Bota Sot
UÇK-ja nuk ka luftuar për Kosovën shtet, por për Kosovën provincë

Opinione

UÇK-ja nuk ka luftuar për Kosovën shtet, por për Kosovën provincë

Nga: Adem Breznica Më: 21 korrik 2019 Në ora: 00:24
Foto

Mos paragjykoni dhe as mos u bëni sikur nuk dini gjë. E pata fjalën për UÇK-në marengleniste, jo atë institucionaliste. Të parët luftuan për Kosovën provincë të Shqipërisë, të dytët për Kosovën e pavarur. Ja një vështrim i thjeshtë retrospektiv:

Këta komandantët e çarmatosur, kanë pasë fatin e madh me u kthjellë, me u qiru, me vesh kravata e me u bë doktorë shkencash. Po, tash e 20 vitet e pas luftës ju ka ra shi në kallamoç, siç thotë populli, dhe, pa mahi, janë rritë e edukuar politikisht në mënyrën më eksellente. Madje, me ndonjë përjashtim, ua kanë kaluar edhe eksponentëve të pacifizmit që e kanë pasur për halet (zanat) lapsin në dorë. Lëshojani një sy shkrimeve të Komandant Remit, Komandant Ramizit, Komandant Samiut e Komandant Hashimit (për Komandant Kadriun nuk po flas, sepse tek ai më shumë është vënë re një perfeksionim i nivelit akademik se sa evoluim, ndërkaq Ramushit shkrimet publike ia përgatit dikush nga ekipa e tij armatë), dhe krahasoni me ato të këtyre që ja rrahin vetës për akademikë. Sigurisht do të vëreni se krahu i dikurshëm luftarak është ngrit intelektualisht, ndërkaq këta pacifistët kanë shënuar regres dhe janë zhytur në injorancë, madje edhe duke e luftuar inteligjencën brenda tyre...

Mirëpo, këtë zhdërvjelltësi që po e shfaqin sot pala trashëgimtare e luftës, duke përdorur taktika dhe mjeshtëri të zgjuara në shkrime, në qëndrime, në tërheqje, në vendime e në deklarata (‘live’ ndonjëherë sharrojnë), nuk e kanë pasur para 20 vitesh, kur bindjet dhe përgatitjet e tyre akademike kanë qenë nën çdo nivel. Aq më tepër kur i kihet parasysh se i kanë pasur armët në dorë...
Kështu që rikujtimi i tyre sot si luftëtarë të lirisë është i drejtë, por klasifikimi si luftëtarë për shtet dhe pavarësi është i gënjeshtërt...

Çdo respekt për luftën e UÇK-së, ama të gjithë luftëtarët që kanë qenë aso kohe mbi 18 vjeç, sidomos ata në pozitat drejtuese, duhet t'i marrin përsipër përgjegjësitë e deklaratave të tyre publike, ashtu sikundër dhe veprimet eventuale. Asokohe disa prej tyre thanë se po luftonin për bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë, por jo për shtetit e Kosovës dhe pavarësinë e tij. As në platformën e tyre nuk e kanë pasur një ideal të tillë, madje nuk i kanë njohur as institucionet paralele të Republikës së Kosovës, prej të cilave disa prej tyre u diplomuan. Dhe shumica prej nesh (asokohe moshë rritur) jemi protagonistë të reagimit dhe cilësimit ndërkombëtar ndaj UÇK-së. Tutje, sigurisht pati mutacion të shpejtë dhe shpëtimtar, por pa vetëdijen e atyre që iu nënshtruan evolucionit të 'dhunshëm'. Ata akoma ëndërronin në idealin e para vitit '81. Sigurisht këtë faqe e ka shënuar historia, dhe ndërhyrja në të, nga këndi i sotëm, është kot së koti...

Kapitulli i UÇK-së përfundoi pas çlirimit, dhe nga ajo dolën struktura politike që, siç e thamë, u rritën duke u shkolluar e ri-shkolluar në liri... Pas 20 vitesh, nuk ka diskutim se këta njerëz janë shumë të ndërgjegjshëm, ama e kaluara e tyre, në raport me veprimet, asokohe nuk ka qenë e ndërgjegjshme se ishte në vigjilje te shek. XXI, dhe se perspektiva e tyre kishte të bënte me integrime euro-perëndimore dhe jo euro-lindore.

Megjithatë, kjo huti e shtrimit të përgjegjësisë për periudhën e para 20 viteve mund të arsyetohet deri diku. Fundja kanë qenë axhami, të pagdhendur (në kuptimin e ndërgjegjes dhe ngritjes intelektuale) dhe armët në dorë shpesh herë ua kanë ngritur temperamentin.

Ama, si do të mund t'i arsyetojnë bëmat e pas luftës: hajninë, krimin, korrupsionin, degradimin e institucioneve, shkatërrimin e ekonomisë, shpopullimin e organizuar të vendit dhe falimentimin e shtetit; mbetet për t'u parë kur t'i kenë ndarë përgjegjësitë me palën tjetër shtet-ndërtuese, sigurisht në një proces të brendshëm transparent.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...