Një dorëheqje si epilog i injorancës politike, arrogancës dhe mashtrimit të popullit..!?

Opinione

Një dorëheqje si epilog i injorancës politike, arrogancës dhe mashtrimit të popullit..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 21 korrik 2019 Në ora: 11:19
Rexhep Elezaj

Si zakonisht, dorëheqjet janë akt i dështimit në politikë, në udhëheqjen me shtetin, në ekonomi, në luftë, etj., por me gjithë faktin se dorëheqjet në esencë janë akt moral, ato nuk shprehin gjithherë vlerat morale të individit, sepse varësisht nga motivet, ato dallojnë nga njëra tjetra edhe për nga shkaqet dhe përmbajtja e tyre substanciale.

Akti i dorëheqjes në politikën shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, si vlerë morale dhe politike, në tri dekadat e fundit ka qenë pothuajse i panjohur dhe shumë i rrallë, sidomos në nivele të larta udhëheqëse dhe politike.

Opinioni shqiptar nuk mbanë mend në 20 vitet e pas luftës në Kosovë, të ketë ndodhur ndonjë dorëheqje e nivelit të lartë politik, përveç asaj të z. Sali Berisha nga posti i kryetarit të PD-së, kur partia e tij do i humbi zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, si dhe dorëheqja të premten e kaluar e Ramush Haradinaj, nga posti i kryeministrit të qeverisë së Republikës së Kosovës!

Spekulimet politike si njëra ndër vetitë më të “dashura” tek shqiptarët rreth kësaj dorëheqjeje, siç po shihet këto ditë, janë të ndryshme dhe të shumta lidhur se cilat ishin shkaqet dhe motivet kryesore që kryeministrin e deritanishëm të Kosovës e kanë çuar ose detyruar që papritmas ta jap dorëheqjen nga posti i tij shumë i dashur, i kryeministrit të Kosovës, për humbjen e të cilit post i rrodhën shumë lot pikëllimi para gjithë opinionit, mbase më në fund e kishte marrë vesh, se kjo dorëheqje po shënonte edhe fundin e karrierës së tij politike dhe jo vetëm kaq !

Këtu mund t’i sjellim me dhjetëra shkaqe dhe arsye të cilat e detyruan që ta jep dorëheqjen e parevokueshme nga posti i ekzekutivit të vendit, por meqenëse unë isha njëri ndër përkrahësit e tij të pa rezervë gjatë kohës së fushatës zgjedhore që e bënte për postin e kryeministrit (Maj 2018), ku në çdo tubim me mijëra qytetarë të Rrafshit të Dugagjinit si dhe me banorët e trevës së Rugovës, na premtonte “fuqishëm”, se kufiri i Kosovës me Malin e Zi do të mbetet aty ku ka qenë që nga pas Lufta e Dytë Botërore (LDB), pra në Çakorr dhe Kullë, premtim të cilin e shkeli keq..!?

Banorët e trevës së Rugovës me 14 fshatra, sidomos ne që banojmë në zonën kufitare me Malin e Zi, pa një pa dy, i besuam fortë, sepse menduam sesi komandant i luftës çlirimtare do t’i mbronte 8300 hektarë toka tona stërgjyshore që mos t’i faleshin fqinjit tonë perëndimor, pra Malit të Zi. Mirëpo për fatin tonë të keq, kur e mori postin e kryeministrit, me dorën e vetë do ta sjellë në Kuvendin e Kosovës për miratim, pikërisht atë Marrëveshjen famëkeqe për demarkacionin me Malin e Zi të nënshkruar nga Hashim Thaçi me 26 gusht 2015 në Vjenë të Austrisë, të cilën 82 deputet e Kuvendit e ratifikuan, duke u pajtuar me aktin e tradhtisë kombëtare që po ia bënin të gjithë së bashku popullit dhe shtetit të Kosovës..!?

Për fund, dhe jo përfundimisht, e themi se çdo akt, punë apo veprim që ngitet mbi bazën e interesave personale, familjare dhe grupore, duke e keqpërdorur dhe shfrytëzuar çdo mirësi dhe meritë të popullit për liri dhe shtet ndërtim, duke pasur si motiv kryesorë pasurimin enormë ekonomik si dhe ambiciet e sëmura për të bërë me çdo kusht karrierë politike në dëm të interesave të popullit dhe integritetit territorial të vendit, mbase për t’i realizuar vetëm qëllimet personale përmes posteve dhe privilegjeve të larta politike dhe shtetërore, domosdo se fundin e karrierës politike e ka të zymtë, të dhimbshëm dhe tragjikomik..!?                  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat