Sa më parë të formohet ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Opinione

Sa më parë të formohet ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Nga: Mr.Bislim Aliu Më: 21 korrik 2019 Në ora: 11:47
Bislim Aliu

Tashmë është e gjithëdijshme për secilin qytetar të Kosovës, për pasurimin e pushtetarëve tanë që 20 vjet, duke e vjedhur dhe duke e zhvatur vazhdimisht shtetin dhe qytetarin e saj në mënyrën më çnjerëzore. Ata këtë e bënë lirshëm pa u friguar fare.

Për këtë anomali tejet të lartë dhe djallëzore, ata fare as që u skuqen nga turpi, për përfitimin dhe zhvatjen e pasurisë publike të Kosovës. Këta pushtetarë me veprimet e veta të jashtëligjshme dhe pa farë morali shpirtëror e njerëzor, ndaj shtetit dhe qytetarëve, e dëmtuan tërësisht edhe qelizën e fundit të shpresës, për zhvillimin e shtetit dhe për normalitetin e ecjes përpara. Kjo vazhdimisht u bë pa farë frike se do të ndeshën me ligjin dhe me drejtësinë. Kur realisht dihet se drejtësia është në duart e mafio- politikës,  gjer më tani ishte pak e besueshme se ligjshmëria do  t’i hetojë këta mafio-politikanë të pangopshëm.

Mendoj se pushtetarët si askush tjetër në  botë, nuk i kanë bërë keq vendit dhe popullit të vet, më shumë se sa pushtetarët tanë, duke e vjedhur dhe duke e kriminalizuar shtetin dhe popullin vazhdimisht dhe pa u ndalur fare! Ata, aq shumë e vodhën dhe e “ropën” për së gjalli vendin, saqë ia humbën edhe qelizën  dhe shpresën e  fundit të përspektives dhe zhvillimit të këtij vendi të rid he shumë të dashur.

Ata, nuk patën kurrfarë dashurie njerëzore e shpirtërore për Kosovën, që ajo të jetë shtet ligjor, ku seriozisht do të sundonte ligji, ligjshmëria dhe drejtësia. Këta mafio-politikanë të pandreqshëm dhe të pangopshëm , së pari e bllokuan ligjin dhe ligjshmërinë, për t’ia hapur vetës udhën e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe pse shpeshherë e zënë në gojë dhe e përmendin ligjin dhe ligjshmërinë, por më kot, ata janë mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi demokracinë. Dhe, në këtë mënyrë, ata pa fije turpi, pushtetarët tanë, e keqpërdorën në mënyrën më çnjerëzore dhe më barbare duke e zhvatur paranë e shtetit dhe të popullit.

Këta “supërmenë” të padinjitetshëm dhe pa ndjenja shpirtërore e morale për shtetin, u treguan skajshmërisht të panjerëzishëm për popullin dhe për mirëqenien e tij. Ata në tërësi e harruan popullin dhe vuajtjet e tij dhe  menduan vetëm për vete, për familjet e tyre dhe për klanet mafioze e oligarkike të partive të tyre. Me këto veprime të padinjitetshme, pushtetarët tanë, e humbën autoritetin, dashurinë, njerëzinë nga populli, nga ligjshmëria dhe nga realiteti kosovar në përgjithësi.

 Nëse dëshirojmë shtet ligjor, duhet të funksionojë ligji dhe ligjshmëria. E nëse dëshirojmë shtet të së drejtës, duhet të funksionojë drejtësia. Megjithatë, të gjithë e dim se në çfarë niveli ato funksionojnë. Atëherë pra, institucionet tona duhet që sa më parë, ta formojnë ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të cilët pushtetarët tanë miljoner, e kanë krijuar në kurriz të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.

S’do mend se Kosova qe 20  vjet, nga pushtetarët tanë mafioz, është vjedhur dhe është plaqkitur skajshmërisht, pa fare frike; as nga ligji, as nga gjyqësia, as që menduan për shtetin dhe për popullin, por menduan, vetëm për vete, për familjen e tyre dhe për partinë të cilës i takojnë.

 Andaj pushtetarët tanë me këtë “politikë diskriminuese” e kanë vënë shtetin dhe popullin, në një gjendje tenebroze dhe amorfe,  ku populli po vuan me të madhe ekonomikisht dhe shpirtërisht. Ata me këtë mentalitet të zhvatjes dhe të përfitimit, pa farë llogarie para popullit, ia humbën shpresën e fundit këtij populli, e sidomos të rinjve, për të jetuar dhe për të punuar në Kosovë që aq shumë e deshën dhe u gëzuan për pavarësinë e saj.

Dhe shih për këtë “fenomen” tejet korruptiv, Kosova vazhdimisht gjendet si vend me korrupsion  tejet të lartë në arenën ndërkombëtare. Për këtë anarki korruptive, po kërkohet nga institucionet tona, që sa më parë, Kosova ta ketë ligjin Anti Mafia, apo thënë më ndryshe, ligjin që lejon konfiskimin e pasurisë që është fituar në mënyrë të paligjshme.

Populli qe sa kohë është duke pritur një ligj të këtillë, që do t’i sanksiononte pushtetarët tanë të papërgjegjshëm që u pasuruan dhe u bënë miljoner në kurriz të shtetit dhe të qytetarëve të saj.

Dhe, sigurisht ka ardhur koha që të veprohet realisht, kundër pushtetarëve mafioz, të cilët fare nuk menduan për shtetin dhe për popullin, por që me veprimet e veta e shkatërruan shtetin dhe ia mbyllën udhën e përparimit dhe udhën e gëzimit popullit, për të jetuar dhe për  të punuar lirshëm në vendin e vet. Shteti me këtë ligj do ta konfiskonte pasurinë e pushtetarëve dhe atë do t’ia kthente popullit dhe shtetit nga të cilët pa mund ia vodhën djersën e tyre vazhdimisht.

Kjo sigurisht, sa më parë duhet të bëhet, nëse dëshirojmë shtet ligjor dhe shtet të së drejtës. Këtë drejtësi, moti është duke e pritur populli. Pra populli kërkon ligj dhe ligjshmëri, drejtësi dhe demokraci.

Ndaj, vetëm në këtë mënyrë do të shpëtohej shteti dhe populli. Me këtë do të vinte rendi dhe ligji, ligjshmëria dhe drejtësia. Të konfiskohet pasuria e vjedhur nga populli dhe nga shteti dhe t’i kthehet shtetit dhe popullit. Populli këtë po e pret me padurim.

Përndryshe kështu siç po veprohet, por edhe po punohet vazhdimisht, jemi larg ligjit e ligjshmërisë, larg drejtësisë, ardhmërisë dhe demokracisë. Andaj, popull, në zgjedhjet e ardhshme votoni njerëzit e duhur, të pakorruptuar, me dinjitet të lartë, që e duan shtetin dhe popullin sinqerisht. Pra ata votoni, meqë ata i duhen shtetit sot e gjithmonë . . .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat