Demokracitë e Facebook-ut dhe Antinjeriu

Opinione

Demokracitë e Facebook-ut dhe Antinjeriu

Nga: Adriana Istrefi Më: 22 korrik 2019 Në ora: 07:23
Adriana Istrefi

Jemi të lirë... Sot përjetimi i lirisë e ka tejkaluar lirinë prej vërteti. Sot liria është thyer në mijëra copëza të antinjeriut modern. Sot liritë e mëdha përjetohen vetëm atëherë, kur akti i të menduarit liri përkthehet në banalitet. Njeriu modern është kthyer në një metamorfozë antivlerash të cilat shiten si vlera në tregun e suksesit që shkon deri në oborrin e shtëpisë së tjetrit.

Nëse në shekullin e kaluar flitej për gotën gjysmë plot të një optimisti, sot ne flasim për trutë bosh dhe rëndesën e tangërllëkut që flet gjuhën e njeriut modern. Sot ne kemi gjithëfarë soji e mishmashi, me ngjyra dhe pa ngjyra, barkbosh dhe brekëgrisur që i vërtiten lirisë së tjetrit me dorën e pushtetit. Sot vlerat nuk janë më të përcaktuara sepse sot ne nuk flasim për lëvizje populiste apo sovrane, ne jemi në epokën e shoqërisë politike.

Nëse në shekullin e kaluar roli i njeriut ishte të qenurit individ human, sot humanizmi është thjesht një maskë dixhitale 10 centëshe në mediat sociale. Shoqëria moderne është kërrusur kaq shumë nga individualizmi ekstrem saqë Tokëvilli duket sikur është ringjallur me despotizmin që po prodhohet sot. Sot kemi njerëz, ku përjetimin lirisë e kanë thjesht akt imagjinate duke prodhuar individë të heshtur, të kequshqyer, të dhunuar nga vetë qenia e tyre e kthyer në një flamur të shkymë.

Nëse në shekullin e kaluar, arti ishte ushqim për shpirtin, sot të quajnë të çmendur nëse lexon Balzakun. E kjo nuk është çudi në një epokë dixhitale, ku debati i lindur në facebook prodhon histori, famë, vlerë, lëvizje e madje madje mitingje.

Nëse në shekullin e kaluar ``Makiaveli`` lexohej ashtu siç ishte, sot shërben si një doktrinë për të kapur pushtetin e kthyer në dinasti. Sot një ligj nuk është më rregullator i shoqërisë, por e drejta pozitive që shfajëson gjithmonë më të fortin. Epoka e statusit të skllavit është rikthyer sërish në një formë të moderuar të një demokracie facebook-u që matet përmes komenteve.

Nëse në shekullin e kaluar, të bërit luftë shihej si një deficion të kërkimit të paqes, sot paqja është mania për të qenë Tjetri, Askushi, Dikushi pa emër. Të paturit dinjitet do të thotë të jesh i mjerë ndërsa të jesh Servil do të thotë të krenari. Një gërryerje e njeriut e ka kthyer në një antinjeri, ku gjithçka bëhet vetëm për euforitë e rradhës, në një demokraci të shtrembëruar.

Nëse në shekullin e kaluar, edukimi ka qenë mision dhe arsimi shkalla më e lartë e mjeshtërimit, sot jo vetëm që kemi një shoqëri ç´edukuese, por më shpejt të vjen diploma në shtëpi sesa ndodh i gjithë procesi i arsimimit.

Nëse në shekullin e kaluar, shpikjet e reja lulëzonin në emër të humanes, sot jo vetëm nuk kemi çfarë të shpikim, por jemi bërë përsëritës të vetvetes duke prodhuar zëra që nuk degjohen, shumë vesh të shurdhër dhe një filozofi boshe.

Nëse në shekullin e kaluar, shihej për nga e ardhmja, sot e ardhmja është vetëm e zezë, pa formë, anjerëzore, antihumane, pakurrizore, dhe vetëm politike, çudibërëse, shpotitëse dhe mbytëse.

Sot dhe vetëm sot tymnaja e pushtetit prodhon iluzione shkatërrimtare të një Njeriu që ka vdekur që në lindje, që kurrë nuk ka prodhuar ëndrra fëminore, por vetëm një mplakje të shpirtit, ndjenjës dhe heroizmit për të prodhuar guxim për të jetuar.

Mbase kjo sot nuk duhet jetuar…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat