Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së - Bota Sot
Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së

Opinione

Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së

Nga: Prof. Ass. Dr. Nijazi Halili Më: 22 korrik 2019 Në ora: 09:29
Prof. Ass. Dr. Nijazi Halili

Kosova ka ngecur në rrugën e saj drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ky ishte një konkluzion i dalë nga një konferencë e titulluar “Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së”, të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Dialogu me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura janë potencuar si sfidë kryesore që po e mbajnë Kosovën peng të ecë tutje, qoftë në proceset integruese apo atë të liberalizimit të vizave.

Krimi i organizuar, korrupsioni dhe pastrimi i parave të ardhura nga veprimtaria kriminale mbeten ndër fenomenet më shqetësuese që kanë kërcënuar dhe vazhdojnë të kërcënojnë shoqërinë dhe shtetet, veçanërisht vendet e rajonit të Evropës Juglindore, e në veçanti vendin tonë.

Aspiratat e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore për tu bërë pjesë e proceseve të integrimit në familjen Evropiane, i ka vënë këto vende përballë sfidave mjaft të vështira si dhe kushteve të panegociueshme nga ana e Bashkimit Evropian.

Një ndër kushtet kryesore është lufta e vazhdueshme dhe pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave të ardhura nga veprimtaria kriminale, si fenomene kërcënuese që kanë pasoja serioze në zhvillimin e shoqërisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, progresin social dhe ekonomik, dhe sigurinë e përbashkët rajonale.

Pavarësisht disa karakteristikave të veçanta për disa vende të rajonit, fenomene të tilla si krimi i organizuar, korrupsioni dhe pastrimi i parave kanë dimension rajonal, për shkak dhe të rrethanave historike, ekonomike, gjeografike, shoqërore dhe kulturore.

Si të tilla dhe zgjidhja e këtyre problemeve duhet të jetë rajonale. Përafrimi dhe harmonizimi i legjislacionit, marrëveshjet, konventat, protokollet, aleancat dhe organizatat rajonale, shkëmbimi i informacionit në nivel rajonal, strukturat, aktivitetet dhe përpjekjet e përbashkëta, janë gurët e themelit të bashkëpunimit rajonal në luftën e suksesshme kundër krimit organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Në kushtet kur krimi i organizuar ballkanik, korrupsioni dhe pastrimi i parave paraqesin një shqetësim ndërkombëtar, bashkëpunimi rajonal në të drejtën penale më shumë se sa për instrumentet diplomatike ka nevojë për veprime operuese dhe rezultate konkrete.

Autori është anëtar i Akademisë Shqiptare Amerikane për Shkencë dhe Arte me seli në New York USA.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...