Përse Rama nuk mund t’i plotësojë dëshirat e Erdoganit?

Opinione

Përse Rama nuk mund t’i plotësojë dëshirat e Erdoganit?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 28 korrik 2019 Në ora: 20:00
Edi Rama dhe Erdogan

Në një hark të shkurtër kohor, saktësisht prej 10 ditësh, ka një rigjallërim të raporteve personale dhe zyrtare mes presidentit të Turqisë, Taip Rexhep Erdogan dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Duke iu larguar këtij kufiri kohor, dihet se lidhjet apo miqësia mes tyre janë disavjeçare dhe “vëllazërore”.  Kapur tek këto marrëdhënie të ngushta e të përzemërta personale dhe qeveritare, në media është folur dhe shkruar( edhe nga unë) se Edi Rama ynë e shikon apo e vlerëson Erdoganin si një nga shembujt dhe përvojat më të freskëta e më të afërta për t’u bërë i plotpushtetshëm, absolutist, autokratist, sulltan...

Është lehtësisht e vetëkuptueshme se ngjarjet e këtyre 10 ditëve në linjën Ankara-Tiranë nuk kanë pasur këtë qëllim. Sepse, tanimë, sidomos pas gjasme zgjedhjeve të 30 qershorit, Edi Rama, jo vetëm e ka arritur “profesorin”, por ia ka kaluar dhe nuk ka më se çfarë të kopjojë apo të marrë vullnetarisht  dhe bujarisht prej Erdoganit. Ajo që me shumë gjasa duhet të bëjë më shumë përshtypje në të dy kryeqytetet, por edhe në Uashington, Bruksel, Berlin, Paris, Londër...është se ky intensifikim i raporteve personale, zyrtare, gjysmë zyrtare apo fare jo zyrtare...mes Erdoganit dhe Edi Ramës erdhi pikërisht në pikun e konfliktit diplomatik Turqi-SHBA për shkak të blerjes nga Turqia të raketave ruse.

Më 19 korrik 2019, nëpërmjet një publikimi në “Instagram”, kryeministri Edi Rama,  pa lajmëruar më herët dhe zyrtarisht nëpërmjet ERTV-së  dhe mediave të tjera, njoftoi  se ishte takuar dhe kishte ngrënë drekë me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në rezidencën e tij në Marmaris.  Sipas agjencisë Anadolu dhe njerës prej fotografive konfirmohet se në takim ishte i pranishëm edhe dhëndri i Erdogan, Berat Albajrak, njëkohësisht edhe ministër i Ekonomisë dhe Financave.

Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e shtypit e presidentit turk, të dy krerët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, duke e cilësuar takimin si mjaft "privat". Prania e ministrit turk të financave është komentuar si kërkim ndihmash financiare nga Shqipëria. Kjo mund të jetë e nxitur edhe nga fakti se qeveria turke, personalisht Erdogan, është treguar shumë më tepër bujar, me projekte shumë më të mëdha, sidomos  në infrastrukturë, me Serbinë dhe Aleksandër Vuçiçin se sa me Shqipërinë dhe Edi Ramën.

Siç dihet publikisht, kjo drekë e beftë e Edi Ramës tek Erdogani  u kritikua nga analisti i mirënjohur amerikan Alon Ben Meir, i cili u shpreh se Edi Rama është i vetmi politikan evropian që "ulet në prehrin e liderit turk". Nuk përjashtohet edhe pista që Edi Rama mendon  të bëjë lojën e tij, në formë presioni  ndaj Brukselit,  në prag të vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE. Kujtesa dhe arkivi mediatik na ndihmon të kujtojmë se edhe  më 8 dhjetor 2019, kur Shqipëria ishte në “ethet” e protestës masive studentore, mediat turke raportuan për një vizitë “blic” të Ramës tek Erdogani, pa u dhënë  ndonjë informacion më i detajuar për këtë takim. Por, vizita e kryeministrit Edi Rama në Turqi dhe takimi i tij i paparalajmëruar me Erdoganin,  më 19 korrik 2019, rastis edhe me acarimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Turqisë. Dihet se prej muajsh të dy vendet, nëpërmjet presidentëve të tyre Trump dhe Erdogan grinden pёr shkak tё blerjes nga Turqia në Rusi të sistemit rus tё mbrojtjes nga raketat, me justifikimin se prej vitesh nga SHBA, gjatë dy mandateve të presidencës Oboma, nuk iu mundësua blerja e raketave amerikane “Patriot”. Meqenёse Turqia më 12.07.2019 mori pjesёn e parё tё kёtij furnizimi rus, SHBA u kundërpërgjigj  me masa konkrete.

Kjo nënkupton se acarimi i raporteve SHBA-Turqi nuk është thjeshtë për një prishje të një marrëveshjeje tregtare dhe ushtarake, por, më së tepërmi, nga rrëshqitja e pandalshme shumëformëshe e Erdoganit në “prehërin  dhe duart e Putinit”. Në këto kushte, “dreka vëllazërore” Erdogan-Rama, më 19 korrik 2019, në rezidencën e Marmarisit, lë hapësirë të interpretohet në Uashington dhe Bruksel  edhe si karshillëk i të dyve ndaj tyre. Por, vizita më 28 korrik 2019 në Tiranë e  Ministrit të Punëve të Brendshme të Turqisë, Süleyman Soylu, jep shkas të mendohet se takimi  Erdogan-Rama më 19 korrik, nuk është përqëndruar vetëm tek marrëdhëniet qeveritare dhe ekonomiko- tregtare mes dy qeverive dhe vendeve.

Referimi vetëm edhe në deklarimin e ministrit të brendshëm turk se “Qasja e zotëri kryeministrit(Rama), por edhe e ministrit të brendshëm(Sandër Lleshaj), për këtë çështje (FETO) me të vërtetë na bëri të lumtur neve si shtet, edhe mua personalisht. Besoj se procesi në luftën kundër organizatës terroriste, qoftë në Shqipëri e qoftë në vendet tjera, do të rezultojë me sukses në favor të Turqisë”, lejon të mendohet se Edi Rama, në këmbim të mbështetjes ekonomiko-financiare dhe të projekteve në këtë fushë,  ka

bërë premtime apo lëshime.  Nënkuptohet edhe nga fjalët e ministrit të brendshëm turk, kryesisht  në drejtim të  vlerësimit dhe të qëndrimeve ndaj institucioneve arsimore jopublike të Gylenit në Shqipëri apo organizatës FETO. Edhe kjo nuk është as e re dhe as e papritur. më 2 maj 2018, gjatë një interviste me Ilva Taren, kryeministri Rama u shpreh:

“Unë di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë të një qeverie të zgjedhur në Turqi është një rrjet i rrezikshëm. Kur vjen puna tek Shqipëria, ne sigurisht që njerëz të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet i mbajmë në vëzhgim...” Kryeministri Rama ka mbështetur kështu publikisht qëndrimin e presidentit turk Erdogan, i cili e konsideron predikuesin Gylen dhe organizatat e lidhura me të si organizator të gjasme grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016, edhe pse ai nuk ka ofruar prova të qarta e të besueshme për vërtetësinë e tentativës për grusht-shteti e për  qenien e Gylenit si frymëzues, drejtues dhe financues i tij. Ky është një deklarim aspak i mbështetur në qëndrimet e organizatave ndërkombëtare të Sigurisë,si OKB, OSBE etj, të cilat kanë kundërshtuar zyrtarisht edhe me shkrim gjuetine që ka ndërmarrë Erdogani ndaj mësuesve të shkollave të udhëheqësit shpirtëror, Gylen. Ky deklarim i kryeministrit Rama mbart edhe mesazhin paralajmërues për  fundin e pronësisë së rrjetit Gylen në kolegje dhe në universitetin” EPOKA”, duke çuar, së pari,  në mbylljen e këtyre institucioneve shqiptare, mbasi ato janë të miratuara nga qeveria shqiptare dhe te kontrolluara nga Ministria e Arësimit. Dhe së dyti,  në detyrimin për shitjen e kolegjeve tek organizata e biznese të tjera, kryesisht shqiptare, tek oligarkë me lidhje shumëformëshe me qeverinë e “rilindjes” dhe me Edi Ramën personalisht. Por një veprim i tillë do të sillte një mosmiratim  masiv nga populli shqiptar, sepse me mijra fëmijë të tyre janë arsimuar dhe edukuar në këto shkolla me vlera të medha edukative dhe mësimore. Dihet prej vitesh se  një pjesë e madhe e atyre nxënësve kanë vazhduar studimet e larta dhe janë diplomuar me rezultate të larta  në universitetet më të rëndësishme  të SHBA-së,  Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës etj. Merret me mend se pas shit-blerjes të institucioneve të Gylenit në Shqipëri do të pasojë edhe zëvendësimi kokë më kokë i gylenistëve liberalë me erdoganistë fanatikë, dukuri që mund të përjetohet nga ne edhe si rënie nga shiu në breshër. Si vend anëtar në NATO dhe me statusin e kandidatit në BE nuk besoj se qeveria shqiptare nuk do të bënte gabimin e autoriteteve shtetërore të Kosovës, në mars 2018 dhe të qeverisë së Gabonit një muaj më vonë  për t’u dorëzuar autoriteteve policore turke të ashtuquajturit “gylenistë”. Qeveria shqiptare dhe Edi Rama bëjnë mirë të mendohen thellë e gjatë, në dobi të vendit, nëse vendosin t’i  plotësojnë kërkesat juridikisht të paargumentuara me prova konkrete  të Erdoganit dhe të ambasadave dhe konsullatave të tij nëpër vendet e tjera të botës.  Kështu qeveria shqiptare, ndërsa pret me padurim hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE,  do t’i kundërvihet hapur edhe SHBA-së dhe BE-së, që janë deklaruar publikisht kundër akuzave të Ankarasë zyrtare dhe  plotësimit të kërkesave të Erdoganit për Fethullah Gylenin dhe të gjithë njerëzit, që kanë punuar dhe punojnë si drejtues, pedagogë, rrogëtarë nëpër institucionet e tij. Në të vërtetë, shumica e tyre janë pa njohje dhe pa lidhje me Gylenin si individ dhe si organizatë, punonjës dhe njerëz korrektë, të mbrojtur nga konventat evropiane për të drejtat e njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat