Letër publike për Hashim Thaçin, president i Kosovës

Opinione

Letër publike për Hashim Thaçin, president i Kosovës

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 29 korrik 2019 Në ora: 08:10
Hashim Thaçi

Kjo është e vetmja mundësi që mund të bëj diçka në mënyrë sensibilizuse për shokun tim të ngushtë Mr. Ukshin Hotin.

Sa e njoh unë Mr. Ukshin Hotin, po ta kisha afër tani që po i shkruaj këto rrjeshta, shpirti i tij solidar do të më thoshte le të zbardhet e zbulohet fati i tërë të zhdukurve tjerë e më në fund i imi.

Kështu mendonte e vepronte Mr. Ukshin Hoti gjatë tërë punës dhe angazhimt të tij gjersa ishte në liri, duke u kujdesur më parë për të tjerët e më pas për veten e tij.

Image
Mr. Ukshin Hoti

Këtë shpirt të tij solidar Mr. Ukshin Hoti e dëshmoi në çdo rast edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burg nëpër kazamatet e Serbisë dhe të ish Jugosllavisë.

Mr. Ukshin Hoti edhe në kushtet e burgut, sa herë që verente kur gardianët e burgut i malltretonin të burgosurit e tjerë, nuk rinte indiferent, por reagonte ashpër ndaj gardianëve të burgut, i vetëdijshëm se për këtë do të dënohej me vendosjen në qeli vetmuese.

Zoti Thaçi, e themi me bindje të plotë se, për 20 vitet e kaluara, po të kishit patur interesim dhe dëshirë do ta kishit zbardhur e zbuluar fatin e Mr. Ukshin Hotit dhe të personave tjerë të rrëmbyer nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore të Serbisë, fati i të cilëve ende nuk dihet.

Në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel pika e parë e rendit të ditës duhej të ishte zbardhja e fatit të personave të rrëmbyer nga ushtria, paramilitarët dhe policët e Serbisë gjatë agresionit gjenocidal të Serbisë në Kosovë në vitet 1998/1999.

Jemi më se të bindur se Serbia para ndërmarrjes së çdo aksioni i ka parapërgatitur planet dhe listat për kryerjen e operacioneve ushtarake, paramilitare dhe policore në Kosovë.

Mr. Ukshin Hoti ishte personalitet dhe intelektual i mirënjohur shqiptar dhe ndërkombëtar.

Mr. Ukshin Hotin e njihnim shumë mirë edhe autoritetet shtetërore dhe agjenturat e Serbisë, për këtë nuk ka asfarë dyshimi, sepse ndryshe nuk do të burgosej aqë herë dhe nuk do të vuante padrejtësisht aqë vite burg.

Zoti Thaçi, me siguri që jeni i informuar se Mr. Ukshin Hoti vuajtjen e dënimit me burg e ka përfunduar në burgun e Dubravës dhe është dashur të lirohet të hënën më 17 maj 1999, ndërsa drejtoria e burgut Mr. ukshin Hotin e ka liruar të djelën më 16 maj, një ditë para dhe që ka qenë ditë jopune.

Që atë ditë që thuhet se Mr. Ukshin Hoti është liruar nga burgu, pasi edhe është përshëndetur më shokët e burgut, Mr. Ukshin Hotit i humbet çdo gjurmë.

Rasti i Mr. Ukshin Hotit është rast i veçantë e konkret dhe se ka mundur të zbardhet shumë lehtë e shpejt, dhe brenda ditës.

E themi me bindje të plotë, se po të kishit patur interesim dhe dëshirë në 20 vitet e kaluara rasti i Mr. Ukshin Hotit do të ishte zbardhur tërësisht, e pas kësaj do të fillonte të zbërthehet edhe zinxhiri i zbardhjes së fatit edhe të personave tjerë të rrëmbyer e të pa gjetur.

Mbesim në shpresë që autoritetet e Serbisë ta kenë izoluar Mr. Ukshin Hotin në ndonjë vend të sigurtë, që më pas të bëjnë pazare diplomatike me Kosovën.

Serbia hisorikisht është e njohur se për çdo veprim ushtarak apo policor ka bërë përgatitjet paraprake për aksionet dhe veprimet. Për këtë me siguri që në Serbi gjenden skemat, planet dhe listat e caktuara për veprim.

Zoti Thaçi, lidershipi i sotëm i Serbisë me në krye Aleksandër Vuçiq, e kanë të njohur mirë rastin e Mr. Ukshin Hotit.

Në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, i keni kapur çështjet nga bishti, në vend që ti kapni nga koka.

Mr. Ukshin Hoti u takon intelektualëve e atdhetarëve të paepur për çlirimin e Kosovës, ndaj nuk është dashur që zbardhja e fatit të Mr. Ukshin Hotit të lihet kaqë gjatë pas dore.

Shpesh e dëgjoja nga Mr. Ukshin Hoti, se profesioni i diplomatit është i vështirë, dhe se për këtë lypset përgatitje pëkatëse profesionale, leximi i domosdoshëm i tre librave tepër voluminozë të Historisë së Diplomacisë, ngritje e vazhdueshme profësionale dhe ndjekje e vazhdueshme e gjeopolitikës ndërkombëtare, për të patur qëndrime dhe veprime të duhura ndaj sfidave që paraqiten.

Mr. Ukshin Hoti gjer sa ishte në liri dha kontribut maksimal për lirinë e Kosovës.

Nuk e kurseu veten edhe kur e vuante dënimin me burg. Këtë e dëshmoi edhe me letrat që nga burgu i Nishit ia dërgonte motrës së tij Myrvetes, e që u botuan në mëdiat në Tiranë e gjetiu.

Këtë e dëshmoi edhe me përgjigjet që u dha pyetjeve të shkrimtarit Ismail Kadare nga burgu i Nishit, e që u botuan në vitin 2000 në Tiranë në librin me titull Ismail Kadare-Ukshin Hoti “Bisedë përmes hekurash”.

Zoti Thaçi, pas lirisë e pavarësisë së Kosovës Ju u bëtë kryetar partie, pastaj kryeministër dhe president i Kosovës.

Zhvilluat bisedime në Bruksel ne aleksandër Vuçiqin, presidentin e Serbisë, dhe për çudi nuk u shkoi ndërmend, apo nuk deshtët që ta veni në tavolinë në Bruksel zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit.

Vënia në tavolinën e bisedimeve në Bruksel zbardhja e fatit të Mr. Ukshin Hotit, do tu nderonte Juve personalisht, Kosovën dhe tërë shqiptarët kudo që ndodhen.

Zoti Thaçi, ky mosinteresim i Juaji për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit përbën një turp të madh, që nuk mund ta shpëlajë as Bistrica, as Vardari, as Radika, as Drini i Zi, Drini i Bardhë, dhe as Buna e as Vjosa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat