Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur udhëheqës politik më të pashkolluar..!?

Opinione

Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur udhëheqës politik më të pashkolluar..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 31 korrik 2019 Në ora: 09:33
Rexhep Elezaj

Kosova e pasluftës, përjashto dy intelektualët dhe politikanët e vetëm, Dr. Ibrahim Rugovën dhe akademik Fehmi Aganin, nuk ka pasur asnjëherë udhëheqës politik më të pashkolluar se tash, dhe ky ishte fati më i keq në historinë e saj të re, sepse sundimi dhe rendi kushtetues, përkatësisht udhëheqja me popullin dhe shtetin ra në dorë të politikanëve të paarsimuar, dhe, ç’ është më e keqja në pushtet erdhën njerëz të pa përvojë fare në politikë dhe shtet ndërtim!

Marrja dhe kapja e shtetit menjëherë pas çlirimit të Kosovës përmes politikave shantazhuese dhe kërcënimeve me luftë civile në emër të vlerave të luftës, kur ishte në pyetje fillimi i ndërtimit të shtetit dhe rendit ligjor-kushtetues me politikanë dhe udhëheqës të dalë kryesisht nga lufta, por të pashkolluar dhe të papërvojë politike, tani pas 20 viteve u bë krejtësisht e qartë, se gati të gjithë politikanët pa dallim nuk i kishin përgatitjet e duhura shkollore, por as ato politike për të udhëheq me shtetin, ashtu siç nuk ishin të aftë të punonin me profesionalizëm në ngritjen e institucioneve shtetërore të Kosovës!

Këtë vlerësim negativ për mungesën e përgatitjeve profesionale të liderëve partiakë dhe politikë shqiptarë e kanë dhënë qysh me kohë institutet hulumtuese-shkencore vendore dhe ndërkombëtare, një vlerësim ky shumë i sakët, qoftë nga aspekti shkencor, qoftë nga ai profesional, ani se disa “komandantë” të pashkolluar dhe të papërvojë politike dhe ushtarake mund të hidhërohen, ose mund të mos pajtohen me këtë fakt, por në anën tjetër askush në botë nuk mund t’ua mohojë vullnetin, patriotizmin, sakrificën dhe luftën e bërë në front për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës!

Pra, fjala është për deficit arsimor dhe profesional tek shumica e politikanëve shqiptarë, të cilët në 20 vitet e kaluara ishin vendosur në krye të institucioneve dhe shtetit të Kosovës, e që u treguan të paaftë për të udhëhequr me politikën nacionale dhe shtetin e ri të Kosovës, sepse nëse shikohet historia e etatizmit dhe e formimit të shteteve, duke filluar nga bazat fillestare juridike-administrative, del i qartë edhe konstatimi, se shteti më i ri në Evropë, pra Republika e Kosovës, nuk e pati fatin e mirë që në krye të institucioneve shtetërore të saj të vijnë udhëheqës kredibël, të shkolluar dhe të aftë profesionalisht për ta ndërtuar shtetin ligjor, ku do sundonte e drejta e barazisë për secilin qytetar njësojë, ku nuk do kishte më klasë të privilegjuar politikanësh dhe oligarkësh, ku ligji dhe drejtësia do të zbatoheshin njësoi ndaj çdo qytetari dhe pa kurrfarë dallimi-diskriminimi social, ekonomik, etnik, regjional, racor dhe politik..!?

Një barazi të plotë, një sistem ligjor dhe demokratik, një rend kushtetues me sistem të mirëfilltë parlamentar, një rend demokratik dhe një shoqëri të lirë dhe moderne ku të gjithë do ndjeheshin njësojë të barabartë para ligjit, etj., mjerisht klasa politike e deritanishme nuk arriti ta ndërtojë dhe as ta implementojë në Kosovën e lirë dhe sovrane, kryekëput për shkak të mungesës së arsimimit, kulturës dhe aftësive profesionale, pa të cilat ka qenë absurde të kishim një lidership të aftë, të ndershëm, të moralshëm, atdhedashës, etj. Sepse, mungesa e këtyre vlerave tek kasta politike shqiptare, nominalisht ka prodhuar injorancë, arrogancë, ngecje në reformat partiake, shpirtngushtësi, nervozizëm, hakmarrje, konkurrencë primitive në luftën për pushtet, e deri tek vjedhja teknike-shekullore e votave gjatë zgjedhjeve lokale dhe parlamentare..!?

Se ishte fat i keq për Kosovën dhe shtet ndërtimin e saj ardhja në pushtet pas vdekjes së presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës (2006) e disa komandantëve të luftës, jo pse ishin dalë nga lufta, por për faktin e vetëm, sepse ishin të papërgatitur politikisht dhe profesionalisht që të udhëheqnin me sukses shtet-bërjen e Kosovës, gjë të cilën e kanë faktuar raportet negative të institucioneve ndërkombëtare për punën e tyre, si; OESB-ODIR-it, Bankës Botërore, KFOR-it, FMN-së, PISA-së, KS të OKB-së, etj. !?

Kosova e pasluftës si shteti më i ri në Evropë kërkonte njerëz me përvojë dhe ekspertë të shquar në të gjitha fushat e shtet ndërtimit, duhej të udhëhiqej nga politikanë me dinjitet, të moralshëm dhe të përgatitur profesionalisht, gjë e cila ende nuk ka ndodhur as pas 20 viteve pas çlirimit, sepse në institucionet shtetërore të Kosovës punojnë njerëz të pashkolluar, por edhe ata që janë të punësuar aty nuk i ushtrojnë profesionet e veta konform profeioneve që kanë, sepse punojnë në vende të gabuara pune për të cilat nuk janë fare të kualifikuar..!?

Shih vetëm rastin e Ministrisë për punë të jashtme, se çfarë kuadrosh dhe stafi jo profesionist ka angazhuar kjo ministri, si dhe çfarë niveli të përfaqësuesve diplomatik ka dërguar në ambasadat dhe konsullatat tona në botë (me dy-tri përjashtime), se çfarë strategjie shtetërore ka hartuar në planin e politikës së jashtme të Kosovës, si shtylla e tretë e funksionimit të shtetit! Prandaj, nuk duhet çuditur pse kanë ndodhur gjithë ato dështime në punën e MPJ-së, në veçanti në prezantimin dhe anëtarësimin e Kosovës në forumet dhe organizatat ndërkombëtare, siç ishte dështimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, pastaj mos arritja e asnjë njohjeje të re për pavarësinë e Kosovës, etj. Mbase, kudo në botë pas tërheqjes së njohjeve nga disa shtete afrikane, ministri i jashtëm do jepte dorëheqje të menjëhershme, përveç se jo në Kosovën e oligarkëve analfabetë dhe të pashkolluar, dhe kështu dështim pas dështimi..!?

Shih gjendjen e mjerueshme në ekonomi pa asnjë fabrikë të re, sektori shëndetësor është në gjendje të mjerueshme, pa spitale të nevojshme dhe ekipe të afta mjekësore, ndërsa për bujqësinë mos të flasim fare, sepse aty është një gjendje katastrofë, pranë gjithë atyre resurseve të begatshme që ka vendi ynë i pasur me çdo lloj asetesh ekonomike si dhe burime të pasurive natyrore, dhe kështu me radhë !

Po të marrim dhe analizojmë çdo lëmi dhe fushë zhvillimore që është udhëhequr nga qeveritë e deritanishme, rezulton qartë se asgjë nuk është punuar mirë dhe si duhet, ka munguar racionaliteti në shtet ndërtim, prona shoqërore dhe private është shkatërruar gati tërësisht, nuk është punuar fare me nikoçirllëk, pothuajse gati asgjë nuk është ndërtuar mbi baza ligjore dhe kritere bashkëkohore, as në nivel të vendit as në atë komunal, dhe kështu me radhë. Sepse me shtetin kanë udhëhequr njerëz të pashkolluar, të pa përvojë, madje të pamoralshëm, të pangopshëm për pushtet dhe pasurim marramendës pa punuar asnjë ditë në jetën e tyre, etj., etj...!?

Prandaj, e kemi gjendjen të këtillë çfarë e kemi sot në Kosovën e shekullit 21, krejt kjo si pasojë e kësaj logjike gllabëruese, të korruptuarëve, të inkriminuarve në lloj-lloj krimesh, politikanë të zhveshur nga vlerat morale dhe kombëtare, një klasë kjo analfabetesh politikë të cilët nuk dinë as një fjalim të vetëm ose fjalë rasti ta shkruajnë vetë (gjithherë ua shkruajnë të tjerët), ngase nuk e njohin mirë shkrim-leximin në gjuhën shqipe, e lere më në gjuhë të huaja..!?

Andaj, pa largimin e kësaj klase oligarkësh të pashkollë, si shkaktarë kryesorë për ngecjen e Kosovës në çdo fushë zhvillimore si dhe në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe ardhjen në pushtet të gjeneratës së re të shkolluar, Kosova kurrë nuk do bënë asnjë hap përpara. Sa më para që këtë ta kupton populli dhe votuesi ynë i ndershëm, aq më shpejt Kosova, vendi ynë i shenjtë, do fillon të niset drejt integrimeve euro-atlantike!

Zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme që pritet të mbahen shpejt, janë shansi më i mirë dhe historik për ta larguar këtë kastë të mbrapshtë politike nga udhëheqja me shtetin dhe popullin e shumëvuajtur shqiptar..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat