LDK-së, i duhet një lider i ri që kjo parti me u ripërtëri !

Opinione

LDK-së, i duhet një lider i ri që kjo parti me u ripërtëri !

Dedë Preqi Nga Dedë Preqi Më 2 gusht 2019 Në ora: 11:54
LDK

LDK, sikur po ecën me hapa të lodhur kohën e fundit, e cila dikur në krye me presidentin Rugova, ishte si një shkëndijë e parë e pluralizmit dhe e cila u printe të gjitha partive tjera, si lauresha e lirisë  dhe demokracisë së popullit në Kosovë.

Atëherë, përjetimi i zhgënjimit pas presidentit historik, do të ishte si diçka e pa pritur, që e ka ngulfatur këtë parti, edhe pse në mesin e saj ka njerëz të dijes dhe kulturës, njerëz të ekonomisë dhe politikës nga të dyja gjinitë, që timonin e kësaj partie do ta drejtonin me sukses dhe dinjitetshëm.

Apo, ndoshta po bëhet një përpjekje brenda përbrenda saj, vetëm e vetëm që të ta kuptojmë se lideri i saj i vërtetë që duhet ta udhëheq këtë parti akoma është në pritje, i cili do ti japë stimulim dhe kurajë kësaj partie historike, që të zbulohen detyrat e karakterit të saj, për të udhëheqë shtetin e Kosovës.

Kush do të jepte një shpjegim të qartë, se kush do të jepte llogari, pse Kosova po bëhet kampion i gjendjes së mjerimit në rajon nga kushtet që janë bërë dëshpëruese, për deri sa në qeverinë e saj janë instaluar njerëz të politikës së mbrapshtë, që nuk kanë plane e programe të mirëfillta për të zhvilluar vendin, atëherë çfarë përfitojnë qytetarët prej të tillëve, duke e ç`veshë si kalaveshin e rrushit buxhetin e shtetit.

Kampione e të gjitha krimeve, e të gjitha bandave korruptive dhe e të gjitha skandaleve tjera, që i kanë ndodhur shtetit të Kosovës, në listën e këtij « prioriteti » i prinë PDK, në krye me grupin e shkatërrimit të këtij vendi të ashtuquajtur « pronto », i cili mbijeton dhe vepron akoma në kurriz të këtij populli.

Kosova dhe popullata e vuajtur e këtij vendi nuk e meriton që të bëhet lodër e fatit të vet, dhe të nëpërkëmbët rinia dhe e ardhmja e tyre, duke mos gjetë pakëz shpresë dhe përspektivë në vendin e vet. Ne besonim se jemi dikushi dhe sa të pamvarësohemi dhe e marrim vetë shtetin tonë në dorë, vetëdija e vlerës së brendshme do të ngulitet në gjëra të larta njerëzore dhe shtetërore dhe nuk do të lëkundet në asnjë mënyrë.

Por, çka ti bëjmë asaj që nuk po ndodh gjerë më tani në shtetin e Kosovës, ku trajtohemi si askushi nga vetvetja, sepse udhëheqjen e shtetit po e dirigjojnë jo njerëzit e duhur, që ia dojnë të mirën këtij populli dhe vendi, por shtetin po e udhëheqin një grup i hajnave dhe bandave korruptive, të cilët përveq tjerash ia kanë hargjuar edhe metalikët e saj rezervë, jo për nevojat e qytetarëve të vendit, por për nevojat dhe lukset e veta klanore e partiake.

Reagimet e qytetarëve të Kosovës janë të arsyeshme dhe të qarta drejtë asaj që do të favorizojnë një autoritet dhe një zë të fuqishëm njerëzor, i cili nuk lejon të degradohet vlera dhe e ardhmja e këtij populli përmes kësaj klase shkatërruese dhe shëmtuese, duke pasur në gjirin e vet një pasuri të madhe të vlerave dhe kapaciteteve intelektuale nga rinia e këtij vendi, e cila ka mbet anash pa u shfrytëzuar.

Përderisa partitë politike të vendit do garojnë me njëra tjetrën në zgjedhjet e pritshme, dhe ajo parti që do e fitojë shumicën dhe kryeson për të udhëheqë vendin, që në këtë rast bëhët fjalë për LDK, duhet në rend të parë të bëjë një reformim të domosdoshëm në strukturën e saj të brendshme dhe zgjedhjen e liderit të ri të saj. Jo vetëm që i ka ardhur radha për të qeverisë vendin, por vetëm kjo parti  do të ishte me traditë dhe shpresëdhënëse për t’ia kthyer dinjitetin këtij populli dhe këtij vendi.

Dhe lirimi i Isa Mustafës nga detyra kryetari të LDK-së, do të ishte gjesti më mirësjelljes dhe më i frytshëm, jo vetëm për ardhmërinë e kësaj partie, por edhe për ardhmërinë e gjithë vendit, duke ditur se pazaret e mëhershme ishin të dëmshme dhe kishin një kosto të madhe, jo vetëm për personin dhe partinë, por edhe ndaj qëndrimeve tjera me përgjegjësi shtetërore.

Derisa brengosja më e madhe e pyetjeve do të ishte se, a do të mbijeton kjo rrethanë e këtyre opinioneve, dhe nëse jo, atëherë e gjithë kjo brengosje e qytetarëve të vendit nuk do të kishte kuptim, dhe përgjigja e tjetër do të ishte sikur do ia zënë frymën dikush kësaj partie me një qëllim të caktuar dhe te kjo parti do përsëritet fals fjala « rugovizëm » .

Në një kuptim tjetër, në kontekstin e asaj që LDK, në rend të parë do t’a pushonte një garniturë të hargjuar brenda kësaj partie dhe tjetra që do ishte i një rëndësie të veçantë në rrolin e qeverisjes së vendit, që do ti neutralizonte shumë të këqija dhe pazare të ndyta dhe të dëmshme në mes grupeve të ndryshme partiake, dhe do të ishte më se e arritshme, që timonin e kësaj partie ta merrte një person i gjinisë femër, e cila tani më është e qartë rroli dhe aktiviteti i saj në këtë parti dhe në rrolin konstruktiv që synon për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat