Kryesia në largim e LDK-së, nuk ka të drejtë konsensusi e vendimi për kryetarin e ardhshëm të LDK

Opinione

Kryesia në largim e LDK-së, nuk ka të drejtë konsensusi e vendimi për kryetarin e ardhshëm të LDK

Idriz Zeqiraj  Nga Idriz Zeqiraj Më 2 gusht 2019 Në ora: 15:11
LDK

E turpshme! Kryesia në largim e LDK-së, po vepron njësoj si ish-kryeministri mjeran, aksidental e fatal, Ramush Haradinaj, i cili pretendon të vazhdojë sundimin profan, edhe pas largimit të parevokueshëm!

Duke parë se delegatët e Kuvendit të 9-të Zgjedhor të LDK-së, nuk do ta pranojnë turpin e heshtjes, të delegatëve të Kuvendit të 8-të farsë "zgjedhor", vazhdojnë të intrigojnë e kalkulojnë, paligjshëm e turpshëm, për një farë - Konsensuesi -, për ta vazhduar privatizimin e partisë, me sundimin e tyre klanor e nepotik!

Ajo është kryesi në largim, që ka heshtur, madje, edhe aprovuar, nën presionin e kryetarit dhe klanit të tij, vendime fatale për LDK-në dhe Kosovën. Si e tillë, ajo duhet ta pezullojë çdo përpjekje, për të marrë kompetencat që, tashmë, janë pronë e delegatëve të Kuvendit të 9-të Zgjedhor të LDK-së, siç janë zgjedhja e kryetarit dhe të strukturave tjera partiake.

Ftojmë anëtarët e Kryesisë, kryetarët e komunave, grupin e deputetëve, të mos bëhen pjesë e ligësive dhe paligjësive të klanit brenda Kryesisë, i cili ka shpërfillur, anashkaluar dhe injoruar, jo vetëm anëtarësinë e LDK-së, por edhe strukturat vendimmarrëse të LDK-së.

Kandidaturat shpallën në Kuvend, nga mesi i delegatëve dhe jo me konsualitetin kundra-demokratik të klanorëve. Asnjë konsensues, nuk mund dhe nuk duhet t`i zëvendësojë tri parimet bazë të demokracisë: debatin e lirë demokratik në Kuvend, konkurrencën me shumë kandidatë, për të gjitha nivelet e strukturave vendimmarrëse të LDK-së si dhe votimin e fshehtë e demokratik në Kuvendin Zgjedhor. Janë egoistët dhe karrieristët, që, me porosi të SHIK-ut, duan ndarjen e LDK-së dhe jo delegatët e zgjedhur, për në Kuvendin e 9-të Zgjedhor.

Anëtarët e Kryesisë, jashtë-klanorë, kryetarët e komunave, grupi simpatik i deputetëve, të pamundësojnë çdo konsensues jo ligjor, jo parimor.

LDK-ja, prej 9-të vitësh, është privatizuar nga klani, brenda Kryesisë Qendrore. Shpronësimi i LDK-së, është i domosdoshëm, sepse kjo është kërkesa ngulmuese e anëtarësisë, elektoratit dhe e shqiptarëve atdhedashës të kudondodhur.

Grupi i angazhuar për reforma, përfshi edhe Vjosë Osmanin, nuk duhet të joshet me postet ëndërruese, duke hequr dorë nga detyra fisnike e shpronësimit të LDK-së, përkatësisht, kreun e saj. Me - Konsensuesin - e nismuar nga klani Mustafa, nuk ka asnjë motiv, për ta shtuar e masivizuar anëtarësinë dhe elektoratin numerikë të LDK-së, të cilët, abstenojnë, për shkak të privatizimit klanor e nepotik të partisë, dikur, krenare të Presidentit Rugova.

Klani prepotent, mujëshor, duhet të heq dorë nga oreksi komandues i mëtejmë, Vështirë të shpresohet, e aq më pak, të realizohet ngritja e LDK-së, pa përfshirjen në struktura të partisë, e themeluesëve dhe të bashkëpunëtorve të kryetarit Rugova, të përzënë, dhunshëm e turpshëm, nga veprimtaria aktive në parti si dhe të gjakuesëve të reformave, pjesë aktive e partisë.

Kryeveprimtarja e zëshme e LDK-së dhe e çështjes kombëtare, Donikë Gërvalla, është faktor domëthënës, për motivimin dhe angazhimin të sërishëm, të rugovistëve të bërryluar dhe të anatemuar nga klani aktual, cinik e ironik, privatizues të LDK-së. Kujtoni, për një çast, fushatën brilante të saj, në Deçan e Klinë, që eklipësoi, errësoi xhuxhllëkun e klanorëve. Dhe, duke u penduar pse ia dhanë fjalën, e heshtën në qendrat tjera fushatore!

Është detyrë e këtij Kuvendi, ta bëjë pajtimin e madh, pa mëri e hakmarrje të mëtejmë, të të gjithë kontribuesëve, të hershëm dhe të vonshëm të LDK-së. Për ta bërë këtë, nevojitet kërkim-falja, për fajin, tashmë, të bërë, qoftë edhe pa fjalë, por, me veprime, siç është rezervimi i vendeve, në strukturat vendimmarrëse të LDK-së, të përfaqësuesëve meritorë të këtyre kategorive.

Pa këto veprime, të delegatëve të Kuvendit të 9-të Zgjedhor, postet shtetërore e pushtetare, që klanorët po i "dhurojnë" tani, për ta shmangur konkurrencën për kreun e LDK-së, rrezikohen të mbetën iluzive, imagjinare e fiktive!

LDK-ja në rrezik! Nuk mund të bëhet kryetari i dhunshëm, Isa Mustafa, shpëtimtari i saj, kur ai, artificialisht, bëri ndarjen dhe përçarjen e madhe brenda partisë, duke ia kundërvënë brezin e vjetër, brezit të ri! Kjo ishte një shpikje dhe shpifje e rrezikshme, që vazhdon t`i kushtojë shumë LDK-së.

Shansi për ndryshim, në Lidhjen Demokratike, nuk duhet humbur! Delegatët e Kuvendit të 9-të Zgjedhor, duhet ta marrin këtë përgjegjësi historike. LDK-ja është në prag të mundësive të mëdha, nëse strukturat vendimmarrëse të saj, spastrohen nga elementët SHIK-as të PAN-it supër-kriminal. Urojmë për mirëkuptim! Punë të mbarë Kuvendit të 9-të Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat