Pse për momentin Lidhjes Demokratike të Kosovës i duhet Fatmir Sejdiu?

Opinione

Pse për momentin Lidhjes Demokratike të Kosovës i duhet Fatmir Sejdiu?

Nga: Prof. dr. Enver Bytyçi Më: 2 gusht 2019 Në ora: 21:42
Prof. dr. Enver Bytyçi

Nesër Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë kryetarin e saj të ri! Kjo parti politike, më progresivja në historinë e Kosovës, e drejtuar në fazën e parë të jetës së saj nga personaliteti më i spikatur politik shqiptar, Ibrahim Rugova, është këto kohë në kërkim të dikujt që do ta udhëheqë drejt konsolidimit të saj.

Sot është mbledhur kryesia e kësaj partie dhe i ka kërkuar zotit Mustafa të rikandidojë përsëri për të qenë kryetar i saj. Disa anëtarë të kryesisë madje e kanë lutur Isën që të mos largohet. Kjo kërkesë e servilëve serial të kryetarëve në fakt i ka çoroditur kandidatët për kryetarë. Katër kandidatët, Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, në raport me ambicien e tyre për këtë post kanë qenë të zhgënjyer prej kërkesës që Isa Mustafa të ri-ngjitet në krye të LDK-së.

Unë nuk e njoh statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nëse kryesia e një partie, cilado qoftë ajo, përcakton se kush duhet e kush nuk duhet të kandidojë për kryetar të partisë, atëherë kuvendi kombëtar është krejt formal. Prandaj e shoh si problematike thjesht dhe diskutimin e çeshtjes. Por më shumë se kjo publiku i Kosovës ka interes të veçantë që Lidhja Demokratike të rikthehet fuqishëm. Dhe ajo mund të rikthehet kur shkëputet përfundimisht nga ndikimet e partisë në pushtet PDK-së dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Partitë politike të ndikuara nga Thaçi janë automatikisht të ndikuara edhe nga Beogradi. Çlirimi përfundimtar i Kosovës nga Serbia nuk do të vijë derisa ky vend dhe partitë politike të Kosovës, përfshirë LDK-në, të çlirohen prej ndikimit të Hashim Thaçit!

Teorikisht këtë akt mund ta udhëheq secili nga kandidatët e publikuar në media. Por anëtarët e LDK-së duan garanci, se kurrë më partia e tyre nuk bëhet e nuk mund të bëhet patericë e Hashimit. Nga analiza e qëndrimeve publike dhe e veprimtarisë së përbashkët me PDK-në rezulton se kandidatët në fjalë kanë përvoja të ndryshme. Lutfi Haziri mund të penalizohet jo pse ai ka qeveris me Hashim Thaçin, por se shpesh herë është bërë interpret i ideve dhe projekteve të tij proserbe, përfshirë dhe shkëmbimin e territoreve. Ai bashkë me Agim Veliun kanë mbështetur fuqimisht Isa Mustafën në vendimet që ai ka marrë për të bashkëpunuar pa kushte ose me kushte të dhunuara me Hashim Thaçin.

Vjosa Osmani ka një histori ndryshe. Eshtë karizmatike dhe duket se ka një popullaritet të pakontestueshëm. Në të vërtet deklaratat e saj janë në shumicën dërmuese të tyre shpresëdhënëse. Por Vjosa duhet të sqarojë LDK-istët se cila është lidhja e saj me Sorosin, nëse është një sjellje normale e saj, apo ka më shumë se kaq. Sepse takimi me Alex Sorosin në kulmin e debatit për ndarjen e Kosovës ishte një akt i gabuar i saj. Sorosi për shkak të Trepçes synon me çdo kusht ndarjen e Kosovës dhe të takohesh me të në turneun që ai ndërmori për takime me Vuçiçin, Thaçin e Ramën, pikërisht në funksion të ndarjes së vendit, ishte një akt politik krejt i gabuar. Të jem i sinqertë, ajo ka mbjellë hije dyshimi, pasi që një lidhje me Sorosin është automatikisht lidhje edhe më treshen Rama-Thaçi-Vuçiç. Askush nga ne nuk do ta dëshironte që një politikane kaq e arrirë të krijojë dyshime si këto. Megjithatë unë do të isha shumë më tepër optimist nëse LDK-në do ta merrte Vjosa Osmani, sesa Isa, Luta apo Agimi.

Por për momentin them se ish-presidenti Fatmir Sejdiu i jep Lidhjes Demokratike të Kosovës një jetë të re e dinamike për shkak të përvojës, dijenisë, urtësisë dhe mos-kapjes prej klanit të Prontos. Kundërshtarët e tij e kanë lexuar mbajtjen e mikrofonit nga ana e tij në një rast të caktuar para Thaçit, si shenjë servilizmi e nënshtrimi. Ata që nuk dinë të lexojnë veprimet, lexojnë gabim edhe simbolikat. Ai mikrofon në dorën e zotit Sejdiu para Thaçit ka krejt kuptim tjetër. Është një gjest qytetarie nga an e tij, sepse kur dikush ia la në dorë mikrofonin, ai nuk mund të bënte ndonjë veprim tjetër të shëmtuar.

Fatmir Sejdiu me urtësinë e tij nuk hedh në erë interesat e shtetit për një ego të tij. Por ai ka pranuar të sakrifikohet kur ka qenë në diskutim fati i Kosovës. E kam shkruar dhe herë tjetër, kur u rekomanduan bisedimet e ashtuquajtura teknike me Serbinë, Sejdiu reagoi ashpër kundër këtyre bisedimeve, sepse në konceptin e tij nuk ka bisedime teknike midis shteteve dhe politikanëve. Ndërsa Thaçi e mori përsipër procesin dhe i garantoi ndërkombëtarët për këtë. Kësisoj mori mbështetjen e tyre për likuidimin politik të Sejdiut, të cilin e shihte si rival të pakontestueshëm. Mbështeti  Mustafën dhe shumë bashkëpunëtorë të tij në LDK, me qëllim që të firmosë marrëveshjet politike që e ç’bëjnë shtetin e Kosovës. Dorëheqja e Prof. Sejdiut pas deklarimit të Gjykatës Kushtetuese, pa pritur zbatimin e procedurave të shkarkimit, ishte gjest fisnik, me të cilin duhet të mburren edhe shtetet demokratike të mirëfillta. Kjo dorëheqje është garanci se LDK në drejtimin e tij nuk do të jetë vegël e Hashim Thaçit e për pasojës as pjesë e lojës serbe në Kosovë.

Për këtë arsye gjykoj dhe vlerësoj se për një mandat të ardhshëm Fatmir Sejdiu i duhet LDK-së më shumë se kushdo tjetër. Ndërkaq ai e ka për detyrë që Vjosa Osmanin dhe disa politikanë të rinj ë LDK-së t’i mbështesë dhe t’i mbajë afër, me qëllim që të shfrytëzojë kapacitetet dhe energjinë e tyre, por edhe që Lidhja Demokratike të garantojë një të ardhme të sigurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat