Gjon Gjeka i Trieshit meriton nderimin kombëtar “Kalorës i Skënderbeut”

Opinione

Gjon Gjeka i Trieshit meriton nderimin kombëtar “Kalorës i Skënderbeut”

Gjekë Gjonlekaj/New York Nga Gjekë Gjonlekaj/New York Më 5 gusht 2019 Në ora: 07:07
Gjon Gjeka

Shtëpia e Gjon Gjekës dhe shtëpia jonë ishin afër. Gjon Gjekën e kisha njohur qysh në moshën 6-vjeçare, ngase isha nxënës parashkollor në klasën e tij. E kam thënë edhe më përpara se nga Gjoni kisha mësuar dhe recituar në publik këngën "Kamë mas kame në maje te gurit, bini djemë mas flamurit, pushka vlon e vlon, flamuri fluturon, kamë mas kame maje të gurit, jemi nipat e Dedë Gjo'Lulit, pushka vlon e vlon, flamuri  fluturon". Ata që kanë shkruar për  Gjon Gjekën thonë se kishte lindur në Shkodër në vitin 1887 dhe se aty e kishte kaluar fëmijërinë ku edhe kishte mbaruar shkollën fillore dhe në moshën 10-vjeçare ishte vendosur në Triesh, ku është njohur me emërin Gjon Gjeka i Gjekë Nishkut. Gjekë Nishku ishte njëri prej burrave më të mënçur dhe më të pasur të Trieshit. Për urtinë dhe pasurinë  e tij është folur shumë në Triesh.

Ata që e kanë njohur thonë se Gjekë Nishku ishte shumë I arsyeshëm. Për atë kohë Gjekë Nishku ishte një biznesmen i stilit perëndimor. Gjyshi im Pjetër Luka, personalisht më kishte dhënë emërin e tij. Babai i Gjekës Nishk Gila ishte ndër burrat më të përmendur të Trieshit.
Gjon Gjeka dallohej nga burrat e kësaj vëllazërie, sepse ishte si një qytetar evropian. Ai vishej bukur dhe i vetmi trieshian i moshës së tij që mbante kravatë në takime me rëndësi, bile mbante në kokë kapelën republikë. Shumica e malësorëve trieshianë e respektonin për elegancë. Nëpunësi i zyrës së vendit në Triesh, Marash Prëçi, ndërsa ishin duke shkuar në një mort në Kojë u kishte thënë shokëve në mënyrë ironike, shikoni se Gjon Gjeka paska venë sot kravatën!. Gjoni I zemëruar i ishte  përgjgjur:

"Kur Gjoni ka vënë  kravatë ti ke qënë në koqe të babës".  Atje ku ishin shumë njerëz  Gjoni fliste pak. Nuk ishte orator. Kurrë nuk mbante fjalime. Pavarësisht se kurrë nuk shkonte në kishë, nuk ishte ateist dhe jo se jo komunist. Bile zemërohej nëse dikush fliste kundër Krishtit. Gjon Gjeka ishte agnostik. Ai fliste bukur përpara ndonjë grupi të vogël malësorësh. Dukej si ata filozofët grekë që  gjithë ditën bisedonin me qytetarët e rëndomtë. Gjoni nuk i duronte pyetjet pa lidhje. Nëse ndodhte kjo, Gjoni mund të zemërohej, sepse nuk ishte tip politikani. Trieshi e nderonte si njeri të ditur. Ai mund të bënte gabime qesharake në punët e tij personale por të gjithë e mirëkuptonin, duke menduar se ishte si një djetar i humbur dhe i vetmuar. Shumë herë Gjoni luante role për t'u dukur edhe më i ditur se ishte. Ishte shumë i vështirë për dëme materiale. Në raste të tilla edhe mund të fyente familjen dhe farefisin. Përndryshe ishte shumë i matur. Familja jonë kemi bashkëpunuar me të në fushën e bujqësisë. Kur ishte fjala për ndarjen e misrit ose patateve ishte jashtzakonisht i ndershëm dhe i mirëkuptueshëm.Gjon Gjeka nuk shkonte në dasma, por shkonte rregullisht në vdekje.

Image

Në katundin tim vizitonte vazhdimisht Kolë Prelokën Gegaj e asnjë tjetër, ngase edhe Kolë Gegaj kishte qënë i arsimuar në Shkodër dhe në Podgoricë. Në katundin tim dhe në katundin  Stjepoh: Gjon Gjeka, Pal Toshi dhe Kolë Gega jetonin më mirë se të  tjerët. Gjon Gjeka ishte anti-komunist i vërtetë, por ishte i kujdeshëm sepse e kishte frikë regjimin.  Aty këtu edhe i sulmonte me fjalë komunistët në nivele personale, por jo shtetërore. Gjoni ishte inteligjent dhe për këtë mbijetoi pa shumë pasoja në periudhën komuniste të Jugosllavisë. Prej moshës 15-vjeçare e deri kur jam larguar nga vëndlindja për në Shtetet e Bashkuara kam qënë shumë i afërt me Gjonin.

Ngase kishim kullosat afër me Gjonin, qëndronim bashkë orë të tëra.  Ai më ftonte vazhdimisht në shtëpi për drekë. Për atë kohë shtëpia e tij ishte shumë e bukur, në një brijë të pjerrtë mali prej ku mund të shihej pjesa më e madhe e Trieshit. Gjon Gjeka ndonjëherë më ftonte për 28 nëntor, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Atë ditë gruaja e tij Prëna, një malësore shumë fisnike nga Selca e Kelmendit bënte ushqime më të mira se ditët e tjera.  Ajo e nderonte këtë ditë. Para se të shtronim drekën Gjoni afrohej pranë dritares së madhe dhe shikonte drejtë Veleçikut, Bukoviqit  e Rapshës dhe ishte shumë i emocionuar. Atje thoshte Gjoni "është shteti ynë". Kurrë në jetën e tij nuk më ka porositur që të mos tregoj për këtë manifestim në shtëpinë e tij. Më tregonte librat që kishte. Por librin "Historia e Shqipërisë" të Tajar Zavalanit e ruante më shumë se asnjë libër tjetër.

Në tryezën e tij kishte edhe "Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara të vitit 1949. Kishte dhe libra të tjerë por nuk i mbaj mend titujt e tyre. Ai kishte edhe disa fletore me dorëshkrime, bile mbaj mend një fletore të gjelbër, që ishte format i jashtzakonshëm. Aty kishte shumë shënime por kisha vështirësi me lexua dorëshkrimin e tij. Në njërën prej atyre fletoreve kishte lënë shënime përsonale për disa fise të Trieshit. Me rastin e 250-vjetorit të themelimit të Famullisë së Trieshit në gusht të vitit 2013, Patër Mirash Marinaj i kishte thënë Zërit të Amerikës se Gjon Gjeka kishte ruajtur disa shkrime kishtare të Kishës së Trieshit.  Në periudhën kur komunistët kishin marrë nën kontroll kishën ata i kishin hedhur në mbeturina pjesën më të madhe të tyre, por Gjoni pas disa ditësh kishte vajtur atje dhe i kishte nxjerrë nga ato mbeturina  një nga një dhe më vonë ia kishte dorëzuar Dom.Simon Filipaj. Gjon Gjeka mund të fliste natë e ditë për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai fliste me shumë dashuri e respekt për Bajram Currin, Dedë Gjo'Lulin dhe Luigj Gurakuqin.

Gjoni kishte respekt të jashtzakonshëm për Dr. Athanas Gegaj dhe Tajar Zavalanin, natyrisht se ai respekt ishte rezultat i veprave të tyre historike për Shqipërinë dhe për Skënderbeun. Ai mund të ketë qënë adhuruasi më i madh shqiptar i Skënderbeut. Gjon Gjeka e adhuronte më shumë Skënderbeun se Jezu Krishtin. Këtë pyetje ua bënte malësorëve kurdo e kudo. Në vitin 1916 Gjoni në bashkëpunim me poetin e mirënjohur arbnesh Josip Rela themeluan shkollën e parë shqipe në Triesh. Aty kishte filluar mësimet e para Lucë Prëloka Gegaj alias Dr. Athanas Gegaj, bile edhe babai im kishte qënë nxënës i tij për një kohë të shkurtër. Kush mund ta kishte imagjinuar se nxënësi i Gjon Gjekës Lucaj--Athanas Gegaj-- do të bëhej historian i famshëm i heroit tonë kombëtar. Para 51 vjetësh Trieshi kishte pagëzuar shkollën  tetëvjeçare me emërin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. S'ka asnjë dyshim se edhe Gjoni kishte dhënë kontribut të madh për emërimin e kësaj shkolle. Njëri prej nxënësëve të asaj shkolle në atë kohë Marash Kola Lucaj (kryetar I Fondit Humanitar Trieshi në Amerikë), që tani jeton në New York kishte qënë i pranishëm atë ditë në festën e emërimit. Marash Lucaj tregon për momentin e shpalljes zyrtare të emërit të kësaj shkolle, Gjon Gjeka ishte gëzuar aq shumë tregon Marashi, sa që kishte kërcyer nga ledhi duke brohoritur : " Unë edhe sikur të vdes në  këtë moment vdes i lumtur sepse sot u plotësua deshira ime më e madhe e jetës". Bile këto ditë Marash Lucaj, Nua Pali Dedivanaj nga Amerika dhe shumë bashkëvendas të tjerë nga Trieshi janë duke punuar për vendosjen e bustit të heroit tonë kombëtar në oborrin e shkollës së Trieshit.

Gjon Gjekë Lucaj ishte patriot i vërtëtë. Ishte apostull i shqiptarizimit në Malësinë tonë edhe më gjerë. Ai kudo shkonte bisedonte për çështjen shqiptare. Atje ku vërente gabime të mëdha bëntë vrejtje. Për shëmbull një mik i tij e kishte njoftuar se në Hot i kishin dhënë emërin shkollës tetëvjeçare "Bashkim-Vëllazënim"(Bratsvo-Jednstvo). Gjoni aty për aty u kishte thënë po ju Hoti jeni një fis e një vellazëri, dhe nuk keni pas nevojë me u vëllazëruar me emërin e shkollës. Si është e mundur që nuk keni gjetur një emër nga historia dhe kultura e popullit shqiptar? Ai kishte kontribuar shumë në arsimin dhe admministrimin e Malësisë. Ai ligjëronte për historinë ilire dhe arbërore. Edhe pse tërë jetën kishte qënë pro gjerman, emërimin e Wilhelm Vidit, princ të Shqipërisë nuk e kishte pëlqyer ngase nuk ishte shqiptar. Një javë përpara largimit tim nga vendlindja Gjon Gjeka më tha: "Kam dëgjuar se po shkon në Amerikë: "Udha e mbarë dhe të lutem mos e harro popullin shqiptar”. Gjon Gjekë Lucaj ka vepruar në kushte të vështira, sepse ambienti ku jetonte kishte besnikë patologjikë të Malit të Zi dhe më vonë të Jugosllavisë. Duhet thënë e vërteta se në Triesh vepronin grupe ekstreme antishqiptare dhe veprimtaritë kombëtare atje ishin të rrezikshme. Padyshim se Gjoni është ballafaquar me këto grupe të mbrapshta. Ato banda ekstreme projugosllave kishin vepruar deri kohët e fundit. Është koha t'i ndalojnë ato veprimtari antishqiptare dhe antinjerëzore. Mbase një ditë do të hapen dosjet e tyre ashtu siç janë hapur dosjet e shumë vëndeve të Evropës Lindore.

Shpresojmë që Evropa do t'i kërkojë Malit të Zi këto llogari përpara se të pranohet në Evropën e Bashkuar. Gjon Gjekë Lucaj vdiq me 14 maj të vitit 1978. Familjarët tregojnë se ishte përciellur me nderime të mëdha. Në mortin e tij kishin marrë pjesë shumë vajtorë e vajtore. Për Gjon Gjekën kishin mbajtur fjalime disa personalitete të arsimuara të Malësisë ku ishte shquar Gjergj D.Gjokaj. Disa ditë pas vdekjes së tij unë kisha botuar në gazetën "Dielli" të Bostonit një shkrim për jetën dhe veprimtarinë e tij kombëtare. Historia e Trieshit dhe e Malësisë nuk mund të shkruhet pa përfshirjen e Gjon Gjekës Lucaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat