Kush e hoqi flamurin kombëtar nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit - Bota Sot
Kush e hoqi flamurin kombëtar nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit

Opinione

Kush e hoqi flamurin kombëtar nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit

Xhavit Kryeziu Nga Xhavit Kryeziu Më 7 gusht 2019 Në ora: 08:55
Lidhja shqiptare e Prizrenit me flamurin shqiptar – para Doku fest-it dhe pas Doku festi-it

Që nga paslufta e këndej, në hyrje të kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka valëvitur me krenari flamuri kombëtar shqiptar. Se cili ka qenë karakteri dhe qëllimi i Lidhjes Shqiptare, mbajtur në Prizren më 1978, këtë e dimë. Se cili ka qenë qëllimi i pushtuesve turq e serbë, të cilëve gjithmonë u ka penguar flamuri kombëtar, edhe këtë e dimë. Mirëpo, atë që e dimë më mirë, dhe që ende e kemi të freskët në kujtesën tonë, është se gjatë vitit 1999, Serbia gjakatare e rrafshoi me tokë godinën e Lidhjes së Prizrenit, me qëllim të zhdukjes së çdo gjëje shqiptare në Kosovë.

Megjithëkëtë, tashmë jemi dëshmitarë të realitetit se planet dhe apetitet e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës janë këputur më 1999. Kjo u arrit falë sakrificës sublime të bijve dhe bijave më të mira të kombit shqiptar, të rreshtuar nën ombrellën e UÇK-së së lavdishme. Gjaku i tyre që ata dhanë për lirinë e atdheut dhe sakrifica sublime e popullit shqiptar janë bërë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës sonë të shtrenjtë.

Çlirimi i Kosovës nga zgjedha e okupatorit serbomadh, mundësoi valëvitjen e papenguar të flamurit kombëtar nëpër të gjitha vendet publike të vendit tonë. Përveç institucioneve publike dhe shtetërore të Kosovës, flamuri kombëtar me të drejtë është vendosur dhe valëvitet edhe nëpër lokacionet më të rëndësishme historike, aty ku janë mbjellë rrënjët e lindjes dhe të zhvillimit të përjetshëm të kombit shqiptar. Së këndejmi, flamuri kuq e zi dhe me shkabën e zez dykrenore në mes, u vendos me plotë të drejtë edhe aty ku e meriton më së shumti, në ballë të kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Mirëpo, pse këto ditë ai flamur nuk është aty?! Kush e ka hequr atë? Kush janë ata që fshihen pas turpit të pafalshëm dhe nuk guxojnë ta tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë? Pse flamuri kombëtar u hoq vetëm disa ditë para se të fillonte “Doku Fest”, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren? Vallë, dikush ka urdhëruar të hiqet flamuri? Kush është ai, apo cilët janë ata? Kush janë ata që kanë frikë nga vetvetja, të cilët duke pasur lakmi për pushtet antikombëtar guxojnë të luajnë me ndjenjat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës e më gjerë? Për kë janë shitur dhe për kë punojnë të tillët? Për ata që nuk u pëlqen asgjë shqiptare në Kosovë?!

Jo, ore jo! Flamuri kombëtar nuk guxon të hiqet nga kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Flamuri kuq e zi është fituar me gjak dhe atë e kanë ruajtur me nderë e krenari breza e gjenerata të tëra. Atë do ta ruajmë edhe ne, atë do t’ia lëmë pasuri edhe të tjerëve që do të vijnë pas nesh. Nëse jo pushteti, atëherë flamurin kombëtar e do populli shqiptar. Nëse flamuri shqiptar, si elementi më i shtrenjtë i kombit, nuk i pëlqen dikujt, atëherë ai e ka zgjidhjen shumë të lehtë – le ta kthejë kokën mënjanë, ose le t’i shikojë flamujt tjerë! Por, jo flamuj të tjerë në Prizrenit e Lidhjes Shqiptare pa këtë kuq e zi, flamurin më të bukur në botë!! Në Prizrenin shqiptar, ku para pak kohësh u vendosën bustet e të pavdekshmëve Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe Sylejman Vokshi, flamuri me shqiponjën dykrenare do të rrënjësohet dhe do të valojë përgjithmonë, i pëlqen apo s’i pëlqen dikujt!

Prandaj, është përgjegjësi dhe obligim i menjëhershëm për organet kompetente të komunës së Prizrenit që sa më parë ta kthejnë flamurin kombëtar aty ku e ka vendin – në hyrje të kompleksit të Lidhjes shqiptare. Ta heqim frikën para të huajve, dhe le ta kuptojnë ata se shqiptarët e Kosovës nuk mund të jenë ndryshe veçse shqiptarë!

Vendoseni flamurin menjëherë, jo pasi të mbarojë “Doku Fest”-i! Le ta shohë bota se ky vend është i shqiponjave. Të tjerët që jetojnë këtu, duhet t’u binden vullnetit të shumicës, si gjithkund në botë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...