Femrat, shënjestër e tragjedive në shoqëri

Opinione

Femrat, shënjestër e tragjedive në shoqëri

Nga: ADEA HASI Më: 8 gusht 2019 Në ora: 15:29
Foto ilustrim

Kohët e fundit jemi mësuar të dëgjojmë lajme nga më të ndryshmet, të papritura të shumta dhe pakënaqësi, dështime nga skena politike që po na zbehin çdo ditë e më shumë shpresën për të ardhme të ndritur në këtë vend. Mirëpo, fatkeqësisht më tronditëset janë rastet që janë shpeshtuar kohët e fundit, ku gratë po vriten nga burrat e tyre.

Gjithmonë në shoqërinë shqipëtare gruaja është parë më poshtë se burri dhe është konsideruar si pronë e tij. Shoqëria me rregullat e saja të trashëguara ka ditur të shkelë gruan në familje, punë dhe në çdo sferë jetësore. Gruaja është shtylla e familjes dhe baza e një shoqërie, mirëpo është e pashmangshme tendenca shoqërore për ta nënvlerësuar vazhdimisht. Eshtë e tmerrshme kur mendon që dominanca e burrit mbi gruan shkon deri në atë nivel sa t’ia marrë jetën. Dhe ky fenomen tashmë i përsëritur disa herë nuk ka ardhur sa hap e mbyll sytë, por ka ardhur si rezultat i neglizhencës dhe mospërfilljes së vazhdueshme.

Në familjet shqipëtare djemtë prej të vegjël dominojnë mbi motrat e tyre. Djemtë vlerësohen më shumë sesa vajzat që prej lindjes dhe mbështeten dhe inkurajohen prej familjes. Kurse vajzave gjithmonë ua prishin synimet dhe ëndrrat, ua humbin vullnetin dhe i dekurajojnë, duke u vendosur limite dhe duke i bërë të ndihen më pak të vlefshme se një mashkull, duke ua humbur vetëbesimin. Pastaj gratë mbesin të domunuara, tash nga burri i tyre. Vetë sistemi prodhon vazhdimisht dominancë mbi femrën.

 Këto tragjedi kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin sepse ka gabime në mënyrën e rritjes së vajzave dhe të djemve, ka gabime në mënyren se si edukohen ata dhe si inkurajohen të vazhdojnë jetën familjare dhe bashkëshortore.

Duhet që fëmijët të trajtohen të barabartë e të mos nxisin diferenca mes tyre, duhet që vajzat të mos konsiderohen si të “derës së huaj” por të konsiderohen si qenie të lira që mund të jetojnë ku të duan deri kur ato të duan e të mos nxiten drejt martesave të nxituara. Duhet që të mësohen të mos shkelin vetveten për dike dhe të mos durojnë dhunën e as padrejtësitë. Duhet që vajzave tu mësohet se nuk janë prona e askujt dhe jeta e tyre është me e vlefshme se gjithçka tjetër. Vajzat duhet të dinë të ngrisin zërin për veten e të mos vazhdojnë të heshtin.

Këto vrasje neve sot po na lëkundin bazat e një shoqërie që e konsideronim deri diku të sigurtë. Tashmë jemi të sigurtë se kjo shoqëri dhe ky mentalitet po prodhojnë rrezikshmëri, dyshime, jostabilitet dhe tragjedi. Duhet që këto të zëvendësohen me fjalët siguri, dashuri, besim, edukim dhe durim. Mendoj që keto janë bazat për një shoqëri të shëndoshë. Sepse edhe nëse ndryshohen ligjet, forcohet sistemi,  rriten sanksionet, një gjë do mbetet e pandikuar dhe kjo është kultura. Kultura paraqet rrënjën e një shoqërie, prandaj për një shoqëri të shëndoshë, të pastrohet kultura nga tendencat për pabarazi, diskriminime, shkelje, poshtërime, paragjykime dhe stereotipe.

Të kujtojmë se gratë janë arkitektet e shoqërisë njërëzore, prandaj të mos lejojmë mentalitetin e së kaluarës të pengojë punën dhe projektet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat