Kur policët ta kurdisin kundërvajtjen në trafik!

Opinione

Kur policët ta kurdisin kundërvajtjen në trafik!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 9 gusht 2019 Në ora: 09:10
Gani Mehmetaj

Kur ma kurdisen mua emër i njohur publik, athua sa mërgimtarë i gjobisin në këtë mënyrë? 

Pasdite vonë (7 gusht 2019 ) në rrugën kombëtare Veternik-Bresje, polici i trafikut na ndali dhe e veçoi veturën tonë nga mbi 15 vetura para nesh e së paku 20 vetura prapa nesh. Dukej si kurdisje. Ishim në kolonë, në shiritin për ngadalësim, ndërsa veturat për shkak të dendësisë kishin distancë 30-40 metra. Sipas policit Esat (numri 9360), paskemi vozitur me shpejtësi 124 km në orë. që ishte gënjeshtër. S'kishe si zhvilloje shpejtësi mbi 80 km, sepse s'të lejonin veturat para.

Djali im që voziste veturën e kundërshtoi i irrituar nga padrejtësia, ndërsa polici kinse i fyer, i tha: pse unë po rrej a? Taktikë e vjetër policore për provokim e kacafytje. Ndërhyra t'i qetësoja gjakrat. Kisha parasysh se polici që na ndëshkonte me kurdisje a për të shtuar kuotën e dënimeve, mund të thërriste njësinë speciale dhe të ma rrihnin djalin parasysh. Ai që ta kurdis shpejtësinë shton edhe njëqind shpifje të tjera. Polici tjetër Ismet që ua kishte kthyer të prapmet veturave në qarkullim vetëm shkruante në formular.

Me mirësjellje iu prezantova, i tregova që edhe djali im është emër publik, se nuk ka ecur më shumë se 80 km në orë, isha dëshmitar . Dy  herë i thash matësin e shpejtësisë nuk e keni në rregull.  Dy herë e mohoi flashkët, madje nisi të mi jepte disa arsyetime koti, sikur fshihte diçka, sepse ai e dinte që me veturën BMV nuk zhvilluam shpejtësi më të madhe se 80 km. Pasi u nisem mu kujtua se ai e ka regjistruar dike më herët dhe me atë numër i kap edhe viktimat tjera. Sa viktima i ka gjobitur me atë shpejtësi, duhet ta konstatojë Komisioni Disiplinor i policisë.    

Nga inati, mora timonin, e bëra një qark dhe u ktheva në vendin "e krimit", mata shpejtësinë me të cilën lëvizëm më parë, doja t'ua dëshmoja policëve se e kanë gabim, mirëpo policët kishin ikur, siç duket e kryen kuotën e dënimeve, kapën viktima sa deshën dhe u futën në ndonjë kafene ta gëzonin me birra. Pos dënimit na lanë pa shkuar në Prizren, në Dokufest, ku ishim nisur, djalin ma çrregulluan, sepse nuk e merrte vetën, nuk pajtohej si ia kurdisi polici Esat, ndërsa mua nuk ma fali pse nuk e kundërshtova ashtu si e meritonte dhe pse nuk e lejova të ballafaqohej ai me policin që ia kurdisi.

Policin Esat sa t'ia marr shënimet e plota, do ta padis në Gjykatën Themelore për kurdisje, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pengim të lëvizjes së lirë. Ndërsa nga përgjegjësit e tij kërkoj ta suspendojnë, sepse ai nuk duhet të jetë polic.

Kur ma kurdisen mua emër i njohur publik, athua sa mërgimtarë i gjobisin në këtë mënyrë?

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat