Kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës? - Bota Sot
Kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës?

Opinione

Kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 10 gusht 2019 Në ora: 11:41
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Derisa jemi në prag të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pas shpërndarjes së kuvendit më 22 gusht, mbesin të hapura shumë pikëpyetje. Përveç pikëpyetjes së madhe se kush dhe me kënd pritët të bëjnë koalicion, një hapësirë e madhe e mendimit të opinionit publik dhe mediave ka të bëjë se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Përderisa, thuaje të gjitha partitë aktuale në kuvend shfaqen me fanatizëm se kryeministri i takon partisë së tyre, edhe pse kjo nuk është çështje dëshire. Faktikisht, deri tani pothuajse kryeministri nuk ka qenë asnjëherë ai që ka marrë shumicën e votave të qytetarëve, respektivisht partia e tij, por ka ardhur si rezultat matematikës së koalicioneve. Ky precedent është krijuar që nga paslufta, kur LDK përkundër që kishte marrur mbi 58 % te votave ia dhuroi postin e kryeministrit PDK-së. Për të vazhduar pastaj kompromise të radhës.

Pavarësisht se kështu funksionon në çdo vend, pasi sistemi parlamentar i lejon këso gjëra, gjithsesi do të ishte e rrugës që partia që merr numrin më të madh të votave të ketë kryeministrin e saj. Kështu edhe përfaqësimi do të ishte më dinjitoz,  duke mos lejuar raste që sikur AKR me një deputet të ketë tri ministri, duke mos përfaqësuar askë. Në zgjedhjet e radhës duhet të krijohet një standard i ri që partia fituese të ketë kryeministrin,  ndryshe i humb kuptimi edhe fitores së asaj partie duke bërë nul votën e qytetarëve në atë parti. Gjithsesi t’i rikthehemi asaj se kush mund, apo edhe duhet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Derisa PDK këmbëngul se ”këtë radhë s`do e jap me qira postin e kryeministrit” , në anën tjetër edhe AAK pretendon se Ramushi duhet të jetë kryeministër. Në emër të patriotizmit ndaj Serbisë, dhe varfërisë dhe ikjes së qytetarëve nga Kosova kjo parti e arsyeton me taksën.

Për të vazhduar me Vetëvendosjen që nën sloganin me Albinin po vazhdon të zgjeroj apetitet për postin e kryeministrit, dhe në njërën anë më LDK që nuk është përcaktuar ende për emrin e kandidatit për kryeministër. Kjo e fundit po merr thirrje për të nominuar Vjosa Osmanin, e cila si asnjëherë më parë po merr mbështetje edhe nga partitë rivale, që deri tani s`ka ndodhur në Kosovë. Përtej këtyre emrave që përfliten s’duhet të befasohemi për ndonjë befasi, nga partitë më të vogla të cilat edhe mund të shfaqën me emrat e tyre për të mbetur në pushtet partitë e mëdha, e ato që janë aktualisht në pushtet janë më të interesuarat për mos të humbur privilegjet. Pavarësisht se kush do të jetë kryeministër, pasi është ende herët të mund të kemi një pasqyrë se kush mund të jetë, duhet që të jetë më ndryshe se kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Fillimisht kryeministri duhet të ushtroj funksionin e tij tek të gjithë ministrat, jo sikur z.Haradianj që ishte kryeministër vetëm për ministrat e partisë së tij. Mandej të ketë platformë të qartë për të zhvilluar vendin ekonomikisht, krijimin e një qeverie me pak ministri, por funksional,  çlirimi i drejtësisë nga ndikimi politikë, reforma të thella në arsim dhe shëndetësi, dhe politika sociale që mbështesin qytetarin e vendit. Kështu do të vendoseshin themelet e një shteti që kujdeset për qytetarët e tij, si dhe garantimi i ekonomisë familjare. Ka edhe shumë të tjera, por besoj se këto janë kruciale. Fatkeqësisht qeveria në ikje, hajninë e saj e ka mbuluar duke u marr me Serbinë, që nuk është fajtore për krimin dhe korrupsionin. Momentalisht qytetari i Kosovës nuk ka probleme me Serbinë, problemet janë me korrupsionin, mungesa e vendeve të punës si dhe klientelizmi në rritje. Derisa vera po ikën, me afrimin e vjeshtës Kosova do të ketë kryeministrin e saj të ri, me shpresën dhe besimin se s’do të jetë si Ramushi dhe Hashimi, që për interesa të tyre kanë rrëzuar shtetin. Kosova ka nevojë për energji të reja, për të hapur përspektivë dhe vendit t’i krijoj ecje në rrugën e drejtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...