Një memorial si stimulues i objektivave të politikës së jashtme të Turqisë - Bota Sot
Një memorial si stimulues i objektivave të politikës së jashtme të Turqisë

Opinione

Një memorial si stimulues i objektivave të politikës së jashtme të Turqisë

Nga: Azem Parllaku Më: 12 gusht 2019 Në ora: 10:12
Azem Parllaku

Në një vend si Shqipëria nuk është aspak çudi që, memoriale të ndryshëm shfaqen përzishëm dhe turpshëm. E tillë është dhe ngritja e memorialit kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, në 15 korrik të vitit 2016, veprim ky i cili ka ngritur pikëpyetje lidhur me rolin e Bashkisë së Tiranës. Përtej zërave pro dhe kundër opinioni publik duhet t'a ketë të qartë artikulimin e kahershëm të Tiranës zyrtare: se në hapësirën tonë rajonale po vepron ai aktori i tretë, i cili synon të shfrytëzojë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian. Një aktor që kërkon, të mbushë vakumin gjeopolitik në hapësirën ballkanike. "Ne nuk jemi mysafirë në Evropë, por pronarët e saj. Problemet që jetojmë kohëve të fundit me Bashkimin Evropian dhe disa vende evropiane janë konflikte aktuale politike". Duke theksuar se për rëndësinë e marrëdhënieve me perëndimin, Erdogan thotë se; "Përkundrazi, ne (Turqia) pozitën tonë e pranojmë si garanci të marrëdhënieve tona dhe të miqve tanë si plotësuese të njëra-tjetrës. Kjo është e vlefshme edhe për rajonet e Detit të Zi dhe të Mesdheut. Vendet që ndodhen në të katër anët e këtyre deteve janë fqinjët tanë, edhe pse nuk i kemi portat e përbashkëta, por e kemi detin e përbashkët". Interesat konfliktuese midis Bashkimit Europian, nga njëra anë, dhe rolit të ri të NATO-s në Europë, janë duke e influencuar drejtëpërsëdrejti pozicionin e Turqisë njëherazi në çështjet rajonale dhe në NATO. Presidenti turk Erdogan, i lodhur nga burokracia europiane për zgjerim, mëse njëherë ka thënë se, është Europa ajo që po na lodh me "një dashuri të pamundur". Përtej diskursit të thellësisë strategjike dhe referimit të thellësisë gjeografike dhe historike, kalkulimet e qarta gjeopolitike për pozicionin e Turqisë në Ballkan, po influencojnë në qasjet diplomatike përmes angazhimeve dhe aleancave rajonale. Aktualisht në Ballkan balanca e fuqive rajonale është në procesin e formimit, ndaj dhe Turqia ka preferuar të qëndrojë aktivisht e pranishme, mbasi rajoni është akoma tejet sensitiv dhe tregon paqëndrueshmëri të madhe sidomos në linjat kritike të gjeopolitikës. Davutoglu një diplomat i spikatur i shtetit turk, më herët ka artikuluar se, "Marrëveshja e Dejtonit, që i dha fund luftës boshnjake, përfaqëson vetëm një zgjidhje të përkohshme dhe nuk i adreson shkaqet e konfliktit. Përderisa edhe çështja shqiptare gjithashtu mbeti e pazgjidhur, Ballkani do të vazhdojë të jetë një zonë interesash konfliktuale dhe lufte fuqish në finalizimin e zonës mbrojtëse dhe të sigurisë evropiane".

Drejtuesit e shtetit turk në vijimësi i kanë mëshuar idesë se, trashëgimitë më të rëndësishme me ndikim në marrëdhëniet e fuqive të mëdha me Ballkanin janë; Ai aktiv gjerman në rajon, i zgjeruar nëpërmjet Austrisë dhe Hungarisë deri në Slloveni, Kroaci dhe Detin Adriatik. Ai i traditës sllavo-ortodokso-kristiane, me Rusinë si aktor kryesor, që e zgjeron influencën e saj mbi Bullgari dhe Serbi deri në Greqi, Detin Egje dhe atë Adriatik. Dhe e treta është trashëgimia osmane, e cila mbështetet thellësisht në grupet etnike në Ballkan që e identifikojnë veten ngushtësisht me kulturën osmane. Udhëheqësit e Ankarasë aleatë të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë të bindur se, Shtetet e Bashkuara nevojitej që të bëheshin me boshnjakët dhe shqiptarët gjatë krizës në Ballkan, në mënyrë që ta zgjeronin influencën e tyre dhe ta spostonin balancën rajonale në favor të tyre. Dhe kjo është arsyeja se pse është në interesin e Turqisë që ta ndjekë nga afër politikën ballkanike të Shteteve të Bashkuara.

Për të siguruar suksesin e saj në Ballkan dhe politikën botërore të fuqive, Turqisë i duhet që të vendosë një balancë midis kulturës politike të brendshme (nëpërmjet ruajtjes së imazhit të një vendi të moderuar islamik si shembull pozitiv për rajonin dhe i pajtueshëm me të drejtat njerëzore universale, liritë, parimet e demokracisë dhe lirisë) dhe çështjeve të jashtme (kur mbështet qartë opsionin islamik në rajon). Shqiptarët sipas politikbërësve turq, janë një komunitet që e ka ruajtur më së shumti trashëgiminë veçanërisht atë fetare, e gjithnjë e më tepër e ndiejnë veten ekonomikisht dhe kulturalisht të varur nga fuqia dhe influenca e Turqisë në Ballkan. Në këtë kuptim, mbështetja e popullsisë myslimane në Ballkan është imperativ për Turqinë që t’i arrijë objektivat e politikës së jashtme të saj.

Davutoglu një frymëzues i politikës së jashtme të Turqisë, kur merr në analizë konfliktin e armatosur në Kosovë nënvizon qartësisht se, Kosova kishte dhe ka një implikim të rëndësishëm për sigurinë e rajonit. Shqiptarët në Kosovë mbajnë kontakte intensive dhe të ngushta me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Në kundërshtim nga kriza boshnjake që u lokalizua kryesisht në Bosnje dhe Hercegovinë, problemi i shqiptarëve në Ballkan mund të ketë efekte shumë më të mëdha dhe mund të përhapet në të gjithë rajonin. Ai mund të përhapej lehtësisht në Maqedoni dhe të përbënte një problem në Shqipëri gjatë viteve 1998-1999. Në këtë kuptim, për shkak të strukturës së saj tejet sensitive etnike dhe fetare, problemi i Maqedonisë është çështje rajonale gjithashtu e rëndësishme për Turqinë. Fakti që ka një popullsi të madhe shqiptare në Kosovë e Maqedoni mund ta bëjë Serbinë dhe Greqinë tejet të përfshira në krizën lidhur me çështjen shqiptare. Përderisa Serbia, Greqia dhe Bullgaria kanë interesa që janë të kundërta me ato të Turqisë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, Turqia duhet t’i mbështesë komunitetet shqiptare në Kosovë e Maqedoni në pretendimin e të drejtave të tyre në rezistimin e presionit nga vendet e sipërpërmendura. "Krijimi i një aleance rajonale më të gjerë antiturke duhet të parandalohet" shprehet Davutoglu.

Një prej stimuluesve për aktivizimin e Turqisë në Ballkan është padyshim suksesi ekonomik dhe ngjitja e saj si një nga ekonomitë botërore. Për Turqinë, Shqipëria është një nga tregjet e preferuara të eksportit të mallrave, teksa kompani turke kanë realizuar dhe zhvillojnë projekte në sektorin minerar dhe ndërtimtari. Po kështu në Kosovë investimet e drejtpërdrejta turke kryesohen nga sektori bankar dhe minerar. Edhe pse prej vitesh është artikuluar se Turqia është një ndër partnerët strategjikë të Shqipërisë, deri më sot ende nuk ka një dokument që formalizon këtë partneritet. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Ankara, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në takimin me homologun e tij, Mevlut Cavushoglu, u dakortuan për nënshkrimin sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje. Turqia është shprehur e gatshme që të rrisë kontributin dhe asistencën në turizëm, energji, mbrojtje, siguri apo edhe bashkëpunim policor.

Dy janë rrymat më të fuqishme politike por edhe ekonomike e kulturore në Turqi, që investojnë në hapësirën shqiptare, njëra kontrollohet nga presidenti Rexhep Taip Erdogan dhe tjetra nga rivali i tij Fetullah Gylen. Për një pjesë të shqiptarëve turqit janë "vëllezër" për nga besimi fetar, ndërsa kritikët investimet turke në Kosovë dhe Shqipëri i shohin si tendencë "ripushtimi".

Dy rrymat fetare islamike guleniste e erdoganiste janë në garë, të parët kanë investuar kryesisht në arsim, të dytët më së shumti ndërtojnë xhami. Gulenistët anatemohen se po punojnë fort për mjegullimin e kujtesës sonë kombëtare, arsimtarët e medreseve dhe pedagogët e Universitetit të tyre, e shpjegojnë historinë sipas këndshikimit të pushtuesve osmanë. Në zinxhirin arsimor gulenist janë arsimuar mjaftueshëm nxënës e studentë, ku nuk mungojnë qindra prej fëmijëve të politikanëve dhe biznesmenëve shqiptarë. Ndërkaq erdoganistët shënjestrohen se janë ata që më së shumti frymëzojnë xhihad.

Erdogani adhurohet nga turq e joturq, po ashtu shihet me përbuzje dhe mëri. Arsyet se pse nuk e duan janë të shumta. Në Egjipt ende nuk ia falin se pse ndihmoi Vëllazërinë Myslimane dhe e quajti rrëzimin e tyre një puç. Në Rusi nuk e duan për luftën kundër Asadit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin si islamist në një kohë kur krahu konservator amerikan është i alarmuar nga rritja e islamizmit e gërshetuar me sulmet terroriste. 

Shqiptarët gjithashtu kanë arsyet e tyre. Disa e shohin si burim të rritjes së pranisë së Islamit në botën shqiptare. Të tjerë si një kthim të otomanizmit që kërcënon simbolet kombëtare shqiptare. Disa kanë simpati më të madhe ndaj Greqisë dhe e shohin afrimin me Turqinë si automatikisht negative. Disa janë thjesht alergjikë ndaj gjithçkaje lindore, pavarësisht nga feja dhe kombësia, e disa e shohin si mik e shofer të Edi Ramës e disa si mik të Berishës.

Dhjetëra xhami të reja, nëpër Shqipëri dhe Kosovë, si dhe restaurimi i gati të gjitha xhamive e objekteve tjera fetare të ndërtuara në kohën e pushtimit të Perandorisë Osmane, financohen nga donatori kryesor, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ajo është themeluar nga qeveria turke, dhe në Shqipëri dhe në Kosovë udhëhiqet nga Ambasada turke. Disa hulumtues të vëmendshëm kanë nxjerrë konkluzionin se, në të shumtën e rasteve, TIKA mban fshehtë financat, zyrtarisht nuk ka shifra se sa para investon.

Rrëshqitja që po evidentohet, të shtyn të mendosh, se po luhet “në mënyrë sovrane”, duke ndjekur interesat e lidershipit politik të Tiranës dhe Ankarasë. Çështja është se cilat janë këto interesa? Askush nuk di të thotë gjë për momentin në këtë grumbull lëvizjesh që ngjajnë pa sens dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...