Nonda Bulka një prej korifenjve të letërsisë shqipe - Bota Sot
Nonda Bulka një prej korifenjve të letërsisë shqipe

Opinione

Nonda Bulka një prej korifenjve të letërsisë shqipe

Nga: Alfred Papuciu Më: 15 gusht 2019 Në ora: 11:25
Alfred Papuciu

Sa më shumë ikin vitet, për mua mbetet i paharruar profesori i letërsisë frënge në Fakultet, Nonda Bulka.

U mbushen 113 vjet nga lindja e njërit prej korifejve të letërsisë shqipe, shkrimtarit Nonda Bulka. Kushdo që ka patur fatin të bisedojë me të, të dëgjojë fjalët e tij, të shohë fytyrën e tij të vrarë nga jeta, por të qeshur, ndjen një nostalgji të thellë, pasi ai nuk ndodhet më midis nesh, qysh nga viti 1972. Arbëri, siç e quante ai veten me krenari, mbetet gjithmonë pranë nesh. E shihje gjithmonë të menduar me ato flokët e tij të gjatë, që e fisnikëronin atë burrë jo shtatgjatë, me një shikim të mprehtë dhe me sy të kaltër. Në jetën e tij të shkurtër 66-të vjeçare (1906-1972), ai kishte qënë një prej penave më të mira midis shkrimtarëve të sërës së vet. Kishte shkruar shumë, por botuar pak. Kishte shumë për të thënë, por fliste pak. „Letërsia, shprehej ai në leksionet që na jepte në gjuhën frënge, „është mënyrë e të shprehurit, thellë, si dhe pasqyrë e vërtetë e mjedisit social“.

Duke qënë një prekursor i letërsisë së viteve 30, ku ai kishte kritikuar hapur dhe me satirë regjimin feudal dhe padrejtësitë e kohës, Nonda Bulka më tepër ju kthye veprave të tij të atyre viteve, në mënyrë që të mos sulmonte drejtpërdrejt mangësitë e regjimit komunist dhe mungesën e të drejtave të njeriut. Ai kishte shumë merita, por kurrë nuk u mburr dhe nuk kërkoi aq sa në të vërtetë i takonte! Ishte trim dhe krenar që ishte shqiptar, gjë që e kishte shprehur edhe gjatë kohës që kishte bërë burg në Kështjellën e Ali Pashë Tepelenës. Më 1934 botoi me pseudonimin e tij Chri-Chri shkrimet e tij therëse, fejtone dhe skica, nën titullin « Kur qan e qesh biblili ». Bashkëpunoi tek « Besa », « Flaga »,«  Rilindja » (Korçë), « Bota e re » (Tiranë), « Diana ». Profesor Nonda bashkëpunoi dhe me gazetat dhe revistat « Arbënia », « Përpara », « Përpjekja shqiptare » etj., ku trajtoi probleme të shumta politike dhe shoqërore. Vite më pas çlirimit ai ju përkushtua punës si pedagog i gjuhës shqipe dhe frënge, por dha dhe një ndihmesë të çmuar me shkrimet e tij therëse në revistën « Hosteni ». Në vitin 1962 botoi « Bota siç ish kur qante dhe qeshte bilbili », si dhe një numër vëllimesh në prozë, por që janë më tepër publiçistikë letrare. Poezitë e Nonda Bulkës janë me tipare origjinale dhe që transmetojnë emocione të veçanta. Ato përbëhen shpesh nga vargje të figurshme e të ndjera, ku shprehet dhimbja dhe gëzimi, satira dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Ato shquhen për vargëzimin klasik, për ekuilibrin midis thënies dhe domethënies. Ato shprehin temperamentin e autorit, gazmor dhe meditues, i zemëruar me të paudhin, por vrasës me pambuk…Shkrimtar realist dhe satirik, ai me veprën e tij luajti një rol të veçantë për zhvillimin e satirës dhe të një letërsie sociale me frymë demokratike. Nonda Bulka mbante lidhje të forta me vendlindjen, dhe shprehte me pathos dashurinë për njerëzit e thjeshtë të Përmetit, të cilët e bënë edhe „Qytetar Nderi“.

Para 54 vitesh, në vitin 1965, kur i thashë njëherë profesorit tim të nderuar të letërsisë frënge në Universitet, me të cilin kuvendoja shpesh, se e kishin cilësuar jo më kot: « Biblil i Përmetit », ai m’u kthye duke ndezur si zakonisht atë gjysëm cigaren e tij : « Dëgjo, i dashur Fredi, Përmeti dhe Shqipëria kanë patur dhe kanë njerëz të shquar, më tepër se unë ». „Megjithatë, vazhdoi ai, unë jam arbër dhe arbëri është gjithmonë i lashtë dhe është gjithmonë i ri“. I kujtoj këto fjalë të profesorit tim të nderuar, Nonda Bulkës që shprehin botën e tij shpirtërore, të mishëruar në veprat e tij madhore që do të mbeten në duart e lexuesve, në jetë të jetëve. Ato shprehin pavdekësinë e profesorit, shkrimtarit, poetit, humoristit, njeriut-njeri, fisnik; profesorit që vinte në Fakultet, si flutur, me biçikletën e tij „Bianki“. Ashtu i thjeshtë siç ishte dhe mbeti gjithë jetën e tij të shkurtër.
Atëhere nuk e zgjata, pasi nuk i pëlqente lavdërimet. Por tani që ai nuk është më midis nesh, i lejoj vetes t’i thurr lavde atij njeriu të madh, por tepër modest. Edhe kur bënte vërejtje për ndonjë shkrim të botuar apo shkruar nga studenti i tij, përpiqej që të « vriste me pambuk ». Bënte vërejtje shoqërore, por me tepër takt dhe maturi. Dhe të nxiste të shkruaje dhe të botoje.
Nonda Bulka, nuk i duroi asnjëherë padrejtësitë shoqërore, bile edhe kur ishte me ne si profesor letërsie. Nuk e përtypi mirë meskinitetin e një pedagogu profan N. që pengoi një grup të studentëve të tij të vazhdonin studimet jashtë shtetit, në Francë, pasi sipas atij pedagogu « ishin akoma të rinj »(?!). Nonda ishte ngritur kundër, por ai pedagogu me ofiq i vitit…1966 « kishte fituar » me argumentat e tij banale. Merrej edhe me përkthime nga letërsia frënge, të cilën na e shpjegonte me aq pasion e bukuri. Shpesh qëndronin me sy të ngulur te shikimi i tij serioz, te pamja e tij njerëzore, shprehëse dhe e zgjuar, kur na tregonte me elokuencë për Hygoin, Rabelenë, Dumasin, Merimenë, Lamartinin, Mopasanin, si dhe pena të tjera të shquara të letërsisë franceze, atje në katin e dytë të Fakultetit të Histori-Filologjisë. Megjithëse ishte një nga personalitetet e shtypit të viteve ’30, polemist i shtypit të atyre viteve, ai fatkeqësisht është përmendur pak nga kritika e viteve të mëvonshme ose mund të themi se është anashkaluar pa të drejtë. E vërtetë se ishte modest së gjalli dhe nuk pranonte të jepte intervista apo të afishonte dijet, zgjuarsinë e tij të pamasë, por meritat e tij njihen nëpërmjet poezive, prozave poetike e sidomos skicave humoristike. Vepra e tij është tepër aktule.   Nonda Bulka njerëzori, i urti, i dashuri, i dhëmshuri, e meritonte më tepër të përmendej jo vetëm për to, por edhe për përkthimet me vlerë nga shkrimtarët francezë, për përmbledhjet e « Tregimeve të moçme shqiptare » të Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko), etj etj. Nga skicat, fejtonet dhe shkrimet e tij më të mira mbaj mend « Intervistë me Shën Pjetrin », « Mësim gjeografie », « Vija e vdekjes », « Kujtime tragjikomike », « Përralla abisine » etj. Profesor Nonda ishte tepër mirënjohës dhe gjatë kohës që kurohej në Rumani la këtë shënim : « Atdhetarit veteran Dhimitër Kristesku, i dhuroj këtë vepër modeste, në shënjë mirënjohjeje, për mikpritjen, dashurinë dhe ngrohtësinë që ka treguar ndaj meje, me gjithë familjen e tij » (Bukuresht, 31 maj 1972). Gjyshi i sime shoqeje, Dhimitër Kokoneshi që e kishte patur profesor Nondën  shok të ngushtë, pasi qëndronin bashkë në pushime në Pogradec, tregonte se ishte njeri me karakter, nuk mashtronte kurrë kur luanin sëbashku me letra, apo edhe e quante tepër modest, kur shokë të tjerë të një moshe pak a shumë të avancuar, nxirrnin meritat e tyre të « Luftës ». Ai vetëm buzëqeshte dhe vështronte me shikimin e tij të mprehtë, por tepër domethënës…U nda nga ne nga kjo jetë, më 14 nëntor 1972, pasi e breu sëmundja e pashërueshme, njeriun e mirë, të çiltër, të madhin Nonda Bulka.

Kam shumë kujtime nga profesori im i paharruar Nonda Bulka. Gjatë viteve të Fakultetit, nga bisedat e çiltëra me të, kur pushonte pak të pinte gjysmën e cigares, apo kafen ekspres, apo atje në apartamentin e tij të vogël, në rrugën e Durrësit. Për mungesë vendi po ju tregoj njërin prej tyre.

Ishte pranverë e vitit 1966. Profesori ynë Nonda Bulka hyri në klasë dhe nuk na kërkoi si zakonisht leje për të pirë një gjysëm cigare, por na tha : “ Sot letërsinë, nëse jeni dakord, do ta bëjmë jashtë në natyrë, afër kodrave të liqenit artificial ”. Nuk e di por ishte diçka e veçantë që do ta ruaj si kujtim gjithë jetën time, ashtu si edhe bashkëstudentët e vitit të dytë të degës së frëngjishtes. Chri-Chri, pseudonimi i tij letrar në vitet 30-të, na shpjegonte me aq dashuri dhe përsosmëri ecurinë e letërsisë frënge, sa ne shpesh kishim dëshirë të qëndronim akoma më gjatë me të, edhe pas rënies së ziles që tregonte mbarimin e orës së mësimit. Ai kishte qënë një nga nxënësit dhe profesorët më të mirë të Liceut francez në Korçë dhe kishte studjuar jashtë shtetit. Kishte udhëtuar dhe lexuar shumë dhe dukej që kishte një formim të përkryer që shprehej dhe në leksionet që na jepte, në shkrimet e tij realiste dhe tepër të forta në ide. Flisnim bashkë për letërsinë, i tregoja shkrimet e mija ku më bënte vërejtje të sakta, si fëmijës së tij, thjesht si një prind i vërtetë. Më tepër më qortonte im atë që kishte një jetë të tërë si gazetar dhe nuk donte qëllimisht që unë të futesha në rrugën e vështirë të shkrimit. Profesor Nonda ishte njeri i madh dhe na donte si fëmijët e tij, na qëndronte pranë, na këshillonte, sepse jeta e tij tërë dallgë, nuk i kishte falur një fëmijë të vetin. Pengu i jetës së tij që deri diku largohej në çastet që ai qëndronte midis nesh, si i njëjtë me ne, pa artifica e mëndjemadhësi.

Profesor Nonda na thërriste herë pas here në shtëpinë e tij në rrugën e Durrësit, ku diskutonim me pasion për letërsinë frënge dhe shqipe dhe ku na servirte edhe ndonjë raki nga Përmeti i tij. Ishte një apartament i vogël prej një dhome dhe një guzhinë. (Nuk kishte kërkuar më tepër, edhe pse njëherë i kishte shkuar për vizitë E.Hoxha, pasi kishin qënë bashkë në Liceun e Korçës). Nonda Bulka shprehej herë pas here me humor ; "Shtëpi e ngushtë, zemër e gjerë". Kështu ua priste me të qeshur, mjeshtri i prozave poetike e skicave humoristike, të gjithë atyre që vërenin jo pa keqardhje, dhomën ku jetonte së bashku me të shoqen. Në apartamentin e ri, Nonda Bulka jetoi dy muajt e fundit të jetës së tij. Pas marrjes së shtëpisë, e vetmja dëshirë që shkrimtari donte të realizonte, ishte që të sistemonte veprën e tij në një dhomë, gjë që i kishte munguar gjatë gjithë jetës. Por vdekja s'e priti. Kjo është edhe ëndrra e Qefserit, kthimi i një dhome në muze ku do të jenë të ekspozuara të gjitha veprat dhe objektet më të dashura të shkrimtarit.

E kujtonte me mall, shtëpinë e tij të fëmijërisë në Leusë të Përmetit, veçanërisht atë verandën e madhe ku gjente prehje, të cilën e gjeti të djegur. Si gjithmonë, Chri-Chri (pseudonimi me të cilin shkruante Nonda Bulka), çdo ngjarje, sado të trishtë, do e shoqëronte me humor. Edhe në rastet kur humorin s'e bënte ai, e bënte vetë ngjarja. Qefseri, ish-bashkëshortja e tij, kujton se kur arriti Nonda në Leusë për të parë shtëpinë e tij, e morën për diversant. "Shumë pak njerëz e njihnin se ishte larguar për studime, e vetëm pasi e verifikuan në polici e lanë të lirë", kujton ajo duke shtuar se Nonda të bënte të qeshje me lot kur e rrëfente historinë. Në këtë shtëpi, u dogj nga nazistët biblioteka e tij aq e madhe saqë iu kishte rënë në sy edhe ushtarëve, që kishin thënë se këtu paska jetuar një njeri shumë i rrezikshëm. Në vitin 1972, atij i dhanë një dhomë në rrugën e Durrësit, në Pallatin e Oficerave, pasi u transferua me punë në Shkollën e Partisë, ku jepte lëndën e gjuhës. "Meqe jemi te shkolla e Partisë, po kujtoj një humor që Nonda e tregonte shpesh", thotë Qefseri. "Nonda po bënte diktim një ditë, dhe kur po i korrigjonte fletoren një gjenerali i thotë përse fjalën "Partizan" e ke shkruar me të madhe dhe fjalën "hitler" me të vogël? - Po partizanët ishin heronj, ndërsa Hitleri ishte pushtues. -Po gramatika nuk e ka kështu- iu përgjigj Nonda. -Epo atëherë, ajo është gramatikë borgjeze- i thotë gjenerali"
Me të tillë humor profesori mblidhte në shtëpinë e vogël, shumë miq të tij.

Kur shkonim në apartamentin e tij, shihnim ndonjëherë televizorin, pasi në atë kohë ishin të rrallë. Kishte marrë në Rumani, një xham me ngjyrë për televizorin dhe shikimi ishte me një refleks disa ngjyrësh. Në Rumani kishte shkuar për t’u kuruar nga gryka, sëmundje që fatkeqësisht ja shkurtoi jetën. Dhe një ditë e përcollëm në banesën e fundit në vitin 1972, në moshën 66 vjeçare.

Profesor Nonda kishte një bibliotekë shumë të pasur, sidomos me autorë francezë, por edhe të vendeve të tjera ku kishte vajtur, si autorë rumunë dhe herë pas here na jepte libra për t’i lexuar. Njëherë një shok i fakultetit tonë  u bë gati të merrte një libër nga biblioteka. Profesori, pa u ngritur, por me zërin e tij impulsiv, pjesë e karakterit të tij, e ndërpreu në hovin e tij : “ Djalë, para se të marrësh atë libër, ki parasysh se duhet të kthesh tjetrin që ke marrë ”…Dhe shtoi: “Dua t’u le dhe brezave të tjerë të shfletojnë librat e mi”. Kujtimi, shoku ynë i klasës, që u largua shpejt nga kjo jetë, me atë të qeshurën karakteristike, na bëri edhe neve që të shpërthenim në gaz.

Ky ishte një mësim i bukur për çdonjerin nga ne. Qysh atëhere më ka mbetur pasion i veçantë t’i ruaj me kujdes librat, kudo që kam qënë, në banesën time në Tiranë dhe kudo që më kanë çuar rrugët e jetës. Në ato mijra botime mbaj si të ralla disa libra të profesorit tim Nonda Bulka, si dhe të profesor Vedat Kokonës.

Shkëmbi i Kavajes 12 gusht 2019

 

Disa nga veprat e Nonda Bulkës

Vepra 1 (1932-1942)
Vepra 2 (1943-1972)
Vepra 3 (fabula)
Vepra 4 (poezi dhe përkthime)
Vepra letrare (1980)
Vepra (Argeta-LMG-2007)
Vepra të zgjedhura « Proza e Nonda Bulkës para lufte » (Rilindja, Prishtinë, 1969)
Sketches and short stories (1984)
Maska të çjera (1969)
Thumba pa helm (1975)
“Nonda Bulka dhe Përmeti” (Neraida 2006)

Më poshtë po ju japim disa rrëfenja nga jeta e shkrimtarit Nonda Bulka

Vizita e Enverit dhe shtëpia e mirë.

Atëherë mund të bëhej me shtëpi. Ish-drejtuesi i regjimit diktatorial, si në shumë shkrimtarë të tjerë do të bënte një vizitë edhe në shtëpinë e Nonda Bulkës. Ishte një nga përvjetorët e Lidhjes së Shkrimtarëve. "Se mos bën gabim e kërkon shtëpi gjatë vizitës", e kishte porositur shkrimtari bashkëshorten. Zakonisht, në këto raste, ata që kishin probleme me shtëpinë, e zgjidhnin këtë problem. "Nexhmija, më pyeti se si i keni punët me shtëpinë. Unë i thashë se ishim shumë mirë, dhe shumë të kënaqur", tregon ish-bashkëshortja e shkrimtarit. Kështu të gjithë ata që mendonin se pas vizitës së Enverit, Nonda Bulka do të bëhej me shtëpi, e humbën bastin me veten. Me Enverin, ai kishte qenë në të njëjtën kohë për studime në Francë, por megjithatë ata vetëm e njihnin njëri-tjetrin dhe s'ishin miq. Qefseri tregon se Nonda s'ishte bërë kurrë anëtar partie. "Prozave poetike dhe fejtoneve që shkruante, që t'ia botonin i fuste nga një Parti në fund, dhe më thoshte mua që e kishte vënë në fund që kur të vinte koha ta heqja", tregon ish-bashkëshortja e tij.

4 qeshor 1971, Bukuresht

Të dashur shokë, Sterjo*, Zisa*, Fate
"L'inevitable, l'inexorable, l'ineluctable, l'irreparable ...erdhi. (E paevitueshmja, e papërthyeshmja, e paluftueshmja, e pariparueshmja..). Po hyj edhe unë në listën e kandidatëve të 50000-ve që i venë pikë librit të jetës, çdo ditë në turmën e miliardave frymorëve që mbërthen globi..". Këto mendime trazonin trutë e mija të thartuara, ndërsa aeroplani çante qiejt. Kur zbrita, ndryshova mendim. Janë ato grackat e pabesa të jetës që shpesh tallen me ne. Mora penën t'ju shkruaj shokë të dashur. Se s'kam ç'bëj këtu në spital. Doktorët më panë në fillim dhe janë optimistë. Na mbyti optimizmi... Këto ditë do të më shikojnë me nge. Spitali i mirë..po spital..Optimizmi dhe pesimizmi alternohen si dita pas natës, po më shumë natë se ditë, megjithëse verë.
Dokumentat e spitalit të atyshëm rreth sëmundjes time nuk kanë ardhur, as në ambasadë, as në spital. S'di pse. Unë paraqita xhamat e biopsisë që t'i ekzaminojnë ata. I kisha marrë me vete. S'di çdo të thotë shkenca, se ka raste kur shkenca i
ha m…sëmundjes. Siç e shihni edhe nga këto fjalë, shokë të dashur, humori i
një farë Nonda Bulka është dhj...fare. Ishallah t'i kthehet prapë, por si zorr e
kam. Tashti po e mbyll duke ju puthur të gjithëve familisht. Sot i shkrova
edhe Qefserit - po ndryshe.
Juaji me dashuri, Nonda
P.S: Në hyrje të spitalit me shkronja të padukshme, po që duken është shkruar
"Voi ch'entrate Lasciate ogi speranza"
(Ju që hyni, braktisni çdo shpresë).
Jo Dante, po K...(Kancer)

• Sterjo Spasse dhe Zisa Cikuli, shokët e tij më të afërt

Demoni që s'mundi dot

Nonda Bulka s'e hiqte cigaren nga goja. Çuditërisht, ajo e ndihmonte muzën e tij. Madje dhe një festë të vitit të ri, ku me firmë e me inçizim o zotua para shokëve të mos pinte më duhan që pa gdhirë e "shkeli" betimin. "E gjeta duke kërkuar në hi, paketën që kishte hedhur në darkë", kujton e shoqja me humor. Po ajo thotë se s'qe duhani që ia shkaktoi sëmundjen shkrimtarit, por mërzia nga vdekja e të vëllait të tij. "Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin që më ka kapur për gryke", tha shkrimtari kur mori Urdhrin "Naim Frashëri" i Klasit të Parë. Atëherë ai kishte filluar të bënte atë që s'e kishte bërë gjer më parë. Kishte bërë kërkesa të shumta për një shtëpi. "I kish dërguar një letër prekëse Manush Myftiut, pa dijeninë time dhe brenda pak kohe na dhanë shtëpi", tregon Qefseri. Chri Chri kishte shkruar dhimbshëm. Ata që kanë lexuar "Mëmë e Bir" e dinë se çdo të thotë kjo. Kishte ardhur koha që ai t'i vinte pikën librit të jetës. E në këtë libër pa trashëgimtarë, të shoqes donte t'i linte një strehëz. Dy muajt e fundit të jetës së tij, ai i ndau mes strehëzës dhe spitalit, ku mbylli dhe sytë. Më 14 nëntor në orën 20.10 të mbrëmjes, Nonda Bulka u nis drejt banesës së fundit.

Kur Duçja piqet me Hitlerin

NONDA BULKA

Dy diktatorët më të mëdhenj të Evropës u poqën në Venedik. Shtypi i botës u muar me këtë pjekje diplomatike. Se shpesh herë udhëtime të tilla vendosin fatin e mirë ose të keq të popujvet. Hitleri arriti në Venetik me aeroplan, se udha e qiellit është më e shkurtër dhe sidomos më e sigurtë. Porsa zbriti diktatori gjerman nga aeroplani, Duçja i dolli para dhe ngriti dorën. Hitleri, ngriti dorën edhe ai. Kjo është me pak fjalë "hyrja" e pjekjes. Ajo që ka rëndësi nuk është as ngritja e dorës, as bandat muzikale, as brohoritjet e popullit, as drekat e darkat, as komunikatat zyrtare, as kordialiteti i dukshëm midis dy burrave të shtetit. Këto s'janë veçse formalitete banale, të demoduara, pa shumë shijë. Ajo që preokupon sot shtypin dhe mendjen e turbullt të Evropës, është pyetja: Ç'u bisedua midis Hitlerit dhe Musolinit dy orë rresht, kur u mbyllën "vetëm" që të dy pa asnjë shahit? Se ka disa pika ku Hitleri dhe Musolini duhet të mos kenë ardhur në akord. Hitleri kërkon Austrinë! Musolini thotë "jo"! Hitleri është kundër çifutëvet, Musolini "jo"! Hitleri dhe Musolini vendosën shumë gjëra; por asnjeri nuk mund t'i dijë. Apo ndofta hëngrën e pinë, ngritën dollia, u puthën dhe u pushtuan, shkëmbyen buzëqeshje dhe pastaj, i lanë për më vonë problemet që tani për tani u dukeshin pak si të "koklavitura"? E ku ta dish! E ardhmja mund të na e tregojë. Se udhëtimet e diplomatëve janë si dardha: e kanë bishtin prapa....
Botuar më 1935

Vija e vdekjes

NONDA BULKA

Ofiqari i gjëndjes civile është zëvëndësi i Perëndisë në tokë. Me të marrë vesh se vdiq një njeri, i heq një vijë të kuqe emrit të tij dhe mbaroi puna; ai njeri shkoi e vajti: vdiq; as ushtar vete, as taksa paguan, as borxhet ia kërkon njeri, as vjehra e mërzit, as kalamanjtë i çajnë kokën. Jo! S'ka më për të, veçse errësirë, kështu ka vendosur legjislatori: një vijë e kuqe shënon vdekjen e një krijese.
Një ditë prej dite, vajta në komunë. Më duhej një çertifikatë për të provuar se jam plak, se kam punuar për Shqipëri dhe se jam njeri që meritoj hylefe nga qeveria; se, helbete, edhe unë kam punuar për Shqipërinë. Dhe ja me dy fjalë biografia ime: në kohën e Turqisë u mësova fëmijëve gjuhën turke, dhe kur harroja (kohë më kohë), u kujtoja se ka një Shqipëri, e cila mund të bëhet shtet ndonjë ditë; dhe mbaja festë të kuqe; dhe bërtisja tri herë ditën: rroftë Sulltani! por këtë e bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Kur iku Turqia, erdhi Greku; hoqa festen e kuqe dhe vura kapello dhe thirra tri herë: rroftë Venizellua! dhe Venizellua më dha para; dhe fytyra e Venizellos zbukuronte gjoksin tim; por këto i bëja nga dashuria që kisha për Shqipërinë. Pastaj u bë Shqipëria dhe unë isha nga të parët që bërtita: rroftë Shqipëria! përvëlova me benzinë festen e kuqe, surratin e Venizellos dhe vura në dritaren e shtëpisë tre flamurë kuq e zi. Dhe gjithë bota habiteshin me atdhetarizmën time. Kjo është shkurt biografia ime. Pra, i bazuar në këto fakte të pamohueshme të atdhetarizmës sime, vajta në zyrë civile. I dhashë zyrtarit emrin dhe mbiemrin. Hapi regjistrat nëpunësi i ndershëm, dhe mbeti si i shushatur kur pa emrin tim. Më pyeti:
- Nga vjen ti?
- Nga greminë e zezë! - iu përgjigja unë.
- Por ti ke vdekur, mor efendi! - se emri yt ka një vijë të kuqe.
E vështrova me sy të zgurdulluar emrin tim me një vijë të kuqe, dhe vura re se, gabimisht më kishin skuqur mua në vënd të gjyshit tim.
- Më varrostë për së gjalli, or paçi belanë! - i thashë mehmurit e dola jashtë duke menduar ç'të bëj.
- Të futem në varr dhe të nxjerr gjyshin prej varrit? Se kështu e do ligji!....Dhe atë që do ligji e do edhe Zoti…. Apo jo?

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...