Dua Lipa, koncerti në Gërmi dhe policët që falëshin! - Bota Sot
Dua Lipa, koncerti në Gërmi dhe policët që falëshin!

Opinione

Dua Lipa, koncerti në Gërmi dhe policët që falëshin!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 16 gusht 2019 Në ora: 19:41
Gani Mehmetaj

Kaloja rrugës malore të Gërmisë, fare pranë pistës ku po mbahej festivali i Dua Lipës "Sani Hill". Nga dhiarja malore dilnin policët e njësisë speciale që e krihnin malin, si parandalim të ndonjë situate të papritur. Megjithëse ua afrova shkopin tim alpin për ndihmë, ata të sigurt në vete zbritën më pajimet e rënda. Kishte edhe femra në këtë njësi. Me erdhi mirë kur e pashë sigurinë për festivalin e famshëm. U bëmë edhe në metropole evropiane në hartën e koncerteve të dorës së parë.

Në të kthyer nga ecja ime e përnatshme 7-8 kilometershe, diku në cep të malit, me kapi syri një grup prej 4-5 policësh të njësisë speciale me revole në brez se si faleshin, ndërsa kishin zbathur këpucët a çizmet ushtarake. Njëri policë para e bënte hoxhën, kurse 4 të tjerë faleshin prapa tij. I ngarkuar nga lajmet e televizioneve botërore e filmat për islamikët për një fraksion sekonde me kapërceu nëpër tru imazhi i britmës allahu- ekbër me krismat e revoleve dhe klithmat e viktimave. E tunda kokën ta hiqja imazhin ndjellakeq.

Eca tutje me hapin time të zakonshëm të marshimit malor. Më poshtë ishin shumë policë që rrinin në gjendje gatishmëri. Me erdhi shpirti në vend. Me këtë gatishmëri kot që do të përpiqej ndokush të dëmtonte të rinjtë e të prishte imazhin e shtetit tonë. Vazhdova tutje, ndërsa muzika buçiste brenda rrethojave të larta të festivalit. Mijëra të rinj kërcenin e dëgjonin muzikë, mijëra të tjera ende vinin nga qyteti këmbë, me autobusë e taksi. Vargani i të rinjve ishte mbi tri kilometra. Mu bë zemra mal, djem e vajza të shëndetshëm, të bukur e gazmorë shkëlqenin nga lumturia.

Dua Lipa me të atin, Dukagjinin, na kishin futur në gjeografinë e qytetërimit perëndimor. Falë tyre u bëmë njëra ndër qendrat më të mëdha të koncerteve të hapura në botë.

Po të varej nga të rinjtë e këngëtaret tona të famshme, në do të ishim pjesë e Evropës së integruar, s'do të na i kërkonte askush vizat që na denigrojnë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...