Hedhja e shortit për parlament

Opinione

Hedhja e shortit për parlament

Nga: Fadil Lepaja Më: 21 gusht 2019 Në ora: 09:46
Fadil Lepaja

Kosova politike, ngjanë me një fshat të vogël, të izoluar, me norma krejtësisht liberale, ku secili ka shkuar me secilin, apo secilën, gjithnjë në kuptimin politik të fjalës, përfshi këtu edhe gjininë e njejtë.

Për llojin nuk po flasim, sepse ne jemi fshat aq i izoluar, sa nuk mund të thuhet se ka lloje, as ngjyra, pastaj edhe gjenet politike prej kalimit nga partia në parti, janë unifikuar tërësisht. Vështirë se mund të thuhet se ka parti të djathtë pa gjene të majta politike dhe anasjelltas. Ka edhe deputet të cilët shëtitën nga partia në parti, e të cilët do të jenë me shumë gjasë edhe në legjislacionin tjetër, siç ishin edhe në disa të kaluara, kryesisht për shkak të besnikërisë ndaj liderit. Këta e kanë kuptuar se aftësia për me marrë vëmendjen publike dhe për me e thye monotoninë kolektive, në ishullin e izoluar, ka vlerë në treg.

Tash, besnikërinë kuptojeni si rikthim në çerdhen e vet. Ka shumë gjasë që pasi të jetë rikthyer në parti, i/e njëjti/a nuk do lëvizë më nga aty. Kush e lëshon dy here të njëjtën parti, do të pajtoheni edhe ju se përfundimisht e humb besimin dhe hyn në kategorinë e atyre përfaqësuesve të popullit të cilët e kanë votën në shitje. Po pra, të gjitha kalimet mund të shpjegohen edhe arsyetohen madje me kureshtjen politike, se si është të “flesh” me armikun, kundërshtarin politik.

Ka edhe besnik të partisë, edhe pse shumë nga ata më besnikët, më të zhurmshmit, më të përbetuarit, plot ankim, për këtë apo atë arsye, me të njëjtën zhurmë ndërruan anë. Ka të atillë me të cilët identifikohet partia, dhe pa të cilin funksionon me vështirësi. Për shembull LDK-ja vështirë funksionon pa Rugovën. “ Edhe pas Rugovës, Rugova” ishte formulë e cila nuk funksionoi, përkundër përpjekjeve dhe dëshirës së elektoratit për me u zëvendësua me një “rugovist” më të çart se vet Rugova, apo me raste edhe me vetë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë, pasardhësit biologjik të tij.

Kur u bë përpjekje për të dëshmuar se kush është më rugovist se tjetri, hynë në punë edhe karriget. Kryetari i LDK, njeriu më i afërt, ndoshta i Rugovës”, u nxor nga kuvendi i përcjellë dhe mbrojtur, me kordon policie. Dyshimet publike se karriget nuk ishin të partisë, apo dora që i hodhi ishte e paguar, u zvarritën nëpër media tash më tepër se një dekadë, por Rugova ende nuk është rikthyer në parti.

Përpjekjet heroike të ish shefit të kabinetit, të Presidentit historik, që përmes librave me kujtime për presidentin e ndjerë, të e ri definojë “rugovizmin” për rrethana paqe, ende nuk po ngjizin, kryesisht për shkak të përzierjes së interesave dhe formësimit të grupeve të interesit brenda partisë. Në fakt, grupe interesi kishte edhe para lufte, por asokohe nuk kishte konkurrencë dhe për rrjedhojë edhe “martesa politike” të përziera.

Nuk funksionoi as formula “ Edhe pas Thaçit, Thaçi”, në PDK! Ideja fillestare se kryetari i partisë dhe kryeministri në dy mandate ( nëse nuk e llogarisim “të përkohshmen”), vetëm sa po bëhej President, dhe se asgjë nuk do të ndryshonte në partinë e tij, duket se ishte e pa menduar mirë. Gjasat që kryetari i tanishëm i PDK të tërhiqet vullnetarisht, për të mirëpritur Presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit, në pozitën e kryetarit të partisë, nuk duken realiste. Nuk duket se modeli malazez, mund të funksionoj te ne, kryesisht për shkak të çarjes së madhe, të interesave dhe sidomos “gjeopolitikës”.

Kryetari i PDK, pasi “fjeti”, gjithnjë në kuptimin politik të fjalës, me të gjitha partitë e mundshme, përpos “Vetëvendosjes”, sërish qëndron agresiv brenda baraspeshës së re, me ambicie të krijojë sërish qeverinë, pa pasur vija të kuqe për askënd. Për të mjafton që ai të njihet si bartës i listës e cila ja mundëson të shkruaj me dorën e tij, në një fletë të bardhë, emrin e mandatarit. Pra, gjasat që Thaçi të rikthehet në partinë e tij, si “Hashim”, janë më të vogla se ato të Rugovës të rikthehet në LDK. Kjo i shpjegon në masë të mirë edhe turbulencat brenda PDK, dhe brenda vetë institucioneve kosovare.

Për dallim, në krye të “Vetvendosjes” u rikthye Albini, lideri i saj historik, pasi partinë përkohësisht ja patën marrë. U desh të përçahej aq thellë dhe të humbas aq shumë “gjak” kjo parti, për të u rikthyer në fron lideri historik i saj, e bashkë me të edhe ideologjia e tij politike e cila, sërish po turbullohet me aderimet më të reja në këtë parti, ku e djathta dhe e majta shkojnë bashkë, ku nacionalistët me globalistët mbahen për dore, ku vetëm një gjë, tashmë, është e padiskutueshme për anëtarët e saj: “Albini e di çka bënë”!

FER-i i konvertuar në PSD, po ashtu ka mbetur me kryetarin historik të vet, edhe pse për nga fuqia numerike, nëse vështrohet, kanë krijuar realitete dhe turbulenca që i tejkalon shumëfish fuqitë reale të tyre. Tash, kush po e sjellë, këtë rrotëz, e cila gjatë mandatit të këtij legjislativi, ishte shpeshherë vendimtar, mbetet të shihet, edhe pse mbeti në kujtesën e qytetarëve fotografia, në të cilën kryeministri i vendit qëndronte në këmbë, prapa kryetarit të kryeqytetit, i cili po rrinte ulur, pranë Presidentit të vendit, dhe po e shijonin fuqinë e SHBA, për me vendosë rend në politikën kosovare.

Dikur kundër kandidati më serioz, në parti, i z. Thaçi, dhe kryetari aktual i ish-fraksionit të PDK, të shndërruar në partinë Nisma Socialdemokrate, Fatmiri, me fat jo aq të mirë si sugjeron emri i tij, kësaj radhe rrezikon të mbetet jashtë loje, edhe pse në mandatin e kaluar ishte përcaktues për formimin e qeverisë,.

Marrëveshja e AAK me PSD, e rrezikon rolin e saj, edhe pse duket se z. Limaj është po aq mbijetues, sa edhe z. Haradinaj, sa mund të befasoj sërish.

Kush ka mbetur pa “fjete” me kë, në skenën politike të Kosovës? A ka kombinim i cili i ndezë sërish ngjyrat, qoftë edhe ato të “ylberit” në skenën e hirtë politike të Kosovës? Qytetarët janë të dëshpëruar, e madje edhe të hutuar. Edhe skena politike. Asnjë vendim i madh nuk merret këtu, prandaj të gjithë po presin shortin! Athua kush me kë do të “flejë” kësaj radhe....?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat