Bukoshi duhet të tregojë të vërtetën, se a ka paguar apo jo për të vrarë Presidentin Rugova

Opinione

Bukoshi duhet të tregojë të vërtetën, se a ka paguar apo jo për të vrarë Presidentin Rugova

Nga: Faton Mehmeti Më: 24 gusht 2019 Në ora: 08:32
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Aktualisht pa ndonjë pozitë të lartë, megjithatë emri i Bujar Bukoshit vazhdon të lakohet, kryesisht në javën që po lëmë pas. Fillimisht ishte kryetari i PEK, dhe ish deputeti Milaim Zeka, në një intervistë akuzoi drejtpërdrejt Bujar Bukoshin se kishte ofruar para për vrasjen e Rugovës, ndërsa paratë për ta kryer këtë veprim i janë ofruar Shaban Mujës, veprimtarit të ilegales dhe njëherit vëllait të ish deputetit Shaip Muja. Këto akuza shumë të forta u përforcuan edhe nga deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, në një intervistë të martën mbrëma, tha se Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi nuk kanë pasur raporte fort të mira në mes vete. Madje Selimi tha se Bukoshi kishte kërkuar nga UÇK-ja bashkëpunim kundër presidentit historik, Ibrahim Rugovës.

“Shumë më i keq ka qenë raporti në mes Bukoshit dhe Rugovës sesa i këtyre dyve me UÇK-në. Bukoshi ka kërkuar prej nesh njëfarë bashkëveprimi kundër Rugovës. Mënyra ka qenë jo fort etike”, ka thënë Selimi. Pas këtyre akuzave shumë të forta është dashur që ish kryeministri Bukoshi të fliste, por ende s’ka thënë asgjë. Bukoshi i ka borxh opinionit publik të tregoj nëse këto akuza qëndrojnë apo jo, dhe nëse po të tregoj përse ka paguar për të vrarë Rugovën, ndërsa nëse nuk janë të vërteta të ngreh padi ndaj dy ish deputetëve.

E kuptoj se në skenën tonë politikë flitet për lloj lloj akuza, që edhe nuk ia vlen të merret njeriu me to, megjithatë kur flitet për vrasje, dhe aq më tepër për Rugovën kjo merr konotacion tjetër dhe krejtësisht serioz. Bukoshi gjithashtu i ka borxh të gjithë shqiptarëve si brenda ashtu edhe jashtë vendit që kanë paguar 3 % të tregoj se me ato para të tyre ka dashur të paguaj për të vrarë Rugovën, me ato para që shqiptarët i jepnin për të luftuar Serbinë e jo Rugovën.

Megjithatë duhet kujtojmë se pas luftës Bukoshi ka flirtuar me eksponent të PDK-së. Duhet kujtuar se Bujar Bukoshi ka qenë kryeministër i Kosovës në Ekzil, derisa ka qenë udhëheqës i Fondit të 3-Përqindëshit. Pas luftës i kishte prishur raportet me Ibrahim Rugovën dhe pati themeluar Partinë e Re të Kosovës, me të cilën pati dështuar. Pastaj, në vitin 2009 bashkë me djalin e Rugovës pati themeluar Listën “Dr. Ibrahim Rugova”, me të cilën patën arritur koalicion me PDK-në. Në këtë koalicion Bukoshi ka shërbyer si zëvendëskryeministër i Hashim Thaçit. Në emër të Rugovës arriti të fuste veten në qeveri duke përfituar, dhe për më tepër pa dhënë asnjëherë përgjegjësi për paratë që i mori në emër të luftës.

Pastaj Bukoshi arriti të ishte edhe këshilltar i zëvendëskryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm që ishte Enver Hoxhaj, i cili paraprakisht një gjë të tillë  e kishte konfirmuar. Raportet e ngushta të Bukoshit me Thaçin vazhduan aq sa Thaçi sa ishte ministër i Jashtëm kishte nisur procedurat për ta rehatuar Bukoshin në diplomaci. E pati propozuar për Ambasador të Rangut të Lartë “Ambasador at large”. Megjithëse kjo procedurë ka dështuar në vitin 2015.

Të gjithë flirtimet e Bukoshit me njerëz të PDK-së, lënë shumë për të dëshiruar, aq sa japin përshtypjen se vërtetë ka bashkëpunuar më ta kundër Rugovës. Dihet se raportet e Rugovës me Bukoshin nuk ishin aq të mira, aq sa nuk janë takuar viteve të fundit fare. Por është krejtësisht e pabesueshme se si djali i Rugovës arrinte që të bashkëpunonte me njeriun që përflitet që ka paguar për t’i vrarë të atin. Apo Uka di gjëra që në nuk i dimë, megjithatë të gjitha këto janë në amulli që presin të sqarohen. Edhe nëse Bukoshi nuk i konsideron të denjët as Selimin dhe as Zekën për t’u përgjigjur në akuzat e tyre, për hir të emrit të Rugovës dhe populli të Kosovës duhet të del dhe të sqaroj të gjitha këto. Derisa me heshtjen e tij vetëm sa konfirmon një gjë që nuk do të donim të ishte e vërtetë, që një kryeministër paguan para për të vrarë presidentin e vendit të tij, sa e pabesueshme, aq edhe e turpshme për kombin tonë të lashtë dardan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat