Pikrisht në mesnatë

Opinione

Pikrisht në mesnatë

Nga: Fadil Lepaja Më: 28 gusht 2019 Në ora: 13:52
Fadil Lepaja

Titulli i sotëm, parazgjedhorë, shumëkujt mund t’i duket dramatik. Sidomos gjeneratave të mesme dhe të vjetra do t’u kujtohet filmi i famshëm, “Pikërisht në mesditë”, me aktorin e famshëm Gary Cooper, ku, krimineli i rrezikshëm të cilin, ky (sherifi lokal) e kishte futur në burg më herët,  kthehet për t’u hakmarrë ndaj tij. Këtë e bënë pikërisht ditën kur ky po e linte detyrën dhe po martohej. Kjo është thurja dramatike e filmit të vjetër, dhe falë zotit, përpos titullit, të ngjashëm, nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin tonë, me politikën tonë, ku nuk ka kauboj, nuk ka kriminel, nuk ka as hakmarrje, as nuk ka një sherif lokal i cili të gjitha i zgjidh me një revolver, nga ata të famshmit me “mulli”.  Pastaj, nuk ka as kriminel, në burg. Sistemi i drejtësisë ka detyra të tjera. Ka ikur koha e sherifëve dhe kriminelëve.

Dikush edhe mund të mos pajtohet me mua, duke thënë se edhe në filmin tonë, ngjarja jonë dramatike, politike është e mbushur me kriminelë, përballje, hakmarrje, por sidoqoftë asgjë nuk mund të dëshmohet. Në fund të fundit askujt nuk i intereson. Mjafton që ka dramë. Adrenalina i jep kuptim jetës!

Falë zotit, në zgjedhjet tona, gjithnjë dramatike, edhe pse e dimë qysh përpara përfundimin, nuk ka revolver, e as kauboj, nëse nuk i llogarisim si kauboj, versionin lokal të tyre, që këtu njihen si komandant, por këta tashmë janë përshtatur dhe revolveri nuk është arma e tyre vrasëse. Është televizioni dhe portalet. Nuk është me rëndësi cilat, sepse pak a shumë të gjitha janë armë politike, dhe të financuara nga politika. Pra, kur duan me e likuidua dikë politikisht e thërrasin në emisionet e famshme, me emër dramatik, ku “i dënuari” përballet me gladiatorët e përzgjedhur, të cilët ...le tash, të cilët, mos më ngrehni për gjuhe qysh në fillim të rrëfimit, me ju fole se si gladiatorët e rrënojnë mysafirin derisa “Neroni” të mos e vendosë përfundimisht se çfarë do të bëhet me të, duke e ngritur apo kthyer poshtë gishtin e tij. Kur e ngritë lartë, rron! Kur e kthen poshtë, ja nxjerrin ndonjë aferë, ja formulojnë ndonjë akuzë dhe e zvarritin gjykatave me vite dhe në fund e lirojnë si të pafajshëm, të vrarë politikisht e moralisht. Mas kërkon fajtorë, aq i bënë për emrat.

Pse pra, pikërisht në mesnatë? Sepse vetëm atëherë do të dihet se kush me kë....! Po e dini për çka është fjala. Koalicioni i fundit PAN u pat “PAN-osë” vetëm disa minuta para mesnate duke i lënë me gisht në gojë gjithë të tjerët, edhe pse veç e veç, partitë që e krijuan këtë koalicion nuk dole as të parët, as të dytët. Nejse, fitores nuk i shikohen votat, qysh ka thënë i moçmi dhe në fund të fundit kujt i duhen votat? Të gjithëve u duhet emri i fituesve.

Pra, pikërisht në mesnatë vendoset për koalicionet. Kush arrin me formulua kombinimin fitues, e merr mandatin për qeverinë e re, të cilën pastaj nuk ka gjasë të e formojë askush tjetër, edhe nëse individualisht del partia e parë, e dytë apo e tretë, as nëse i mbledhë dy të tretat e votave. Nuk lejon norma kushtetuese që qeverinë me e formua shumica e thjeshtë, e cila mbledhë 50% të votave.  

Norma kushtetuese thotë, se koalicioni ose partia fituese e formon qeverinë, ndërkohë që interpretimi është se fitues mund të jesh nëse ke vetëm 10% të votave, mjafton të kesh një votë më shumë se i dyti. Garë e madhe zhvillohet sidomos kush do të e ketë në radhët e veta deputetin më të vjetër. Çmimi i të moshuarve, që zoti u ka dhënë ymër, dhe kanë arritur të kapin decenien e nëntë, ka hipur shumë në tregun politik,  gjatë procesit zgjedhorë. Është shumë me rëndësi që deputeti më i vjetër, kur të ulet fillimisht në karrigen e kryesuesit të parlamentit, nuk guxon të ngritët as për të urinuar, derisa të....! Por qytetarët e Kosovës e dinë këtë rrëfim.

Dy gjëra kanë mbetur të paqarta, dhe debati rreth tyre, në arenat ku gladiatorët vriten e vrasin politikisht e moralisht në media, do të mund të jepte idenë se cila do të jetë formula fituese. Çështja e parë ka të bëjë me arsyen përse bartësi i listës së Koalicionit PAN, nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij, për të propozuar mandatarin e ri të qeverisë,  dhe kështu të formulojë qeverinë e re, madje edhe teknike ( me “teknikët” e vet) deri në zgjedhjet e rregullta? Ka vetëm një arsye, logjikisht  të pranueshme, përpos nëse refuzojmë të e shohim atë si një kamikazë që bënë vetëvrasje politike, vetëm për të dëmtuar “Vetvendosjen”, e kjo është, se ai tashmë ka garanci për formulën fituese. Përndryshe, si mund të shpjegohet entuziazmi i tij për shpërndarjen e parlamentit kur të gjitha sondazhet, (jo)publike e nxjerrin partinë e tij dhe atë vet,  edhe më ultë se në zgjedhjet e kaluara.

Pikëpyetja e dytë, lindë nga vendimi i LDK për të emëruar kandidate për kryeministër, Vjosa Osmanin, e cila, nuk paraqet asnjërën nga vijat e interesit që e dominojnë këtë parti, ende të pa artikuluar, dhe pa rimëkëmbur pas vdekjes së presidentit Rugova, që ishte jo vetëm udhëheqësi i saj historik, por ishte edhe fryma e saj. Emërimi i një kandidateje, me simpati publike por me ndikim të vogël në parti, dërgon mesazhin se posti i kryeministrit mund të diskutohet, çka e bënë LDK-në partinë e cila do të vendosë fatin e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e kaluara, koalicioni PAN u ngrit pikërisht me këtë formulë.

A është ky vendimi i cili paragjykon koalicionin, e rrjedhimisht edhe qeverinë e ardhshme? Do të dihet, pikërisht në mesnatë ...! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat