Kush duhet t’i fitoj zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ?!

Opinione

Kush duhet t’i fitoj zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ?!

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 2 shtator 2019 Në ora: 10:06
Nexhmedin Saqipi

Nga këndi i Luginës së Preshevës

Ka mbetur një muaj e një javë nga gjashtë tetori, kur do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, organit më të lartë legjislativ të Republikës së dytë të shqiptarëve në Ballkan.

shtetet me demokraci të përparuar, ky nivel i zgjedhjeve qendrore pritet me gëzim të madh, si një festë në të cilën vota e lirë, do të përcaktoj fatin e politikanëve, që do të rreshtohen në garën e kandidatëve të mundshëm të kuvendarit të ri në Parlament.

E qytetarët e Kosovës dhe krahut të saj lindor të Luginës së Preshevës, këto procese kaq të rëndësishme për shoqërinë shqiptare, si duket i presin me frikë, presione, shantazhe dhe me një kureshtje të tepruar se kush nga koalicionet zgjedhore, apo partitë do të rreshtohet e para në listën e fitores për kreun e legjislativit.

Kjo frikë e pasiguri vjen si rezultat i përvojave të hidhura gjatë zgjedhjeve paraprake, të cilat jo rrallë nuk kanë kaluar të qeta, demokratike dhe dinjitoze, por janë përfshirë në keqpërdorimin e votës, duke manipuluar me të për interesa të ngushta partiake, grupore e fisnore.

Demokracia

Në shqiptarët kudo që jemi, duhet të mësohemi njëherë e mirë se zgjedhjet e të gjitha niveleve, pra edhe këto të parakohshmet parlamentare në Kosovë, kanë nevojë që përmes votës demokratike të testojnë efikasitetin, stabilitetin dhe funksionalitetin e institucionit më të lart në vend.

Prandaj, zgjedhjet parlamentare shërbejnë si një instrument i demokracisë, që përmes votës së qytetarëve, të zgjidhen njerëzit meritorë, të mbështesin partitë politike me vizion praktik e pragmatik, të cilët në Parlament, do të shtrojnë e bien vendime me interes për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të saj.

Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se zgjedhjet në demokraci janë të shenjta dhe duhet të gëzohen se po u jepet shansi, që përmes votës së lirë, të vendosin për fatin e shtetit të tyre. Në këtë rrugë të testimit të demokracisë, ata duhet të heqin dorë nga inatet, përçarjet, shantazhet, fyerjet, sharjet, nënçmimet, që me devotshmëri të vihen në shërbim të një fushate zgjedhore, ashtu siç i ka hije vendeve me demokraci të zhvilluar.

Të gjitha subjektet politike dhe koalicionet, që po garojnë për të zënë karriget në Parlamentin e Kosovës, janë të njohura për qytetarët, për pozitat që kanë gëzuar më herët në pushtet. Qoftë pozita, qoftë opozita, nuk ka kaluar keq nga të mirat që sjell pushteti, duke u siguruar vetes privilegje, famë dhe kapitale.

Kujtoni seancat e Kuvendit të Kosovës, në mandatin që po e lëmë prapa, mos qofshin të harruara gjithë ato skena të trishtuara, që krijoheshin mes grupeve të deputetëve opozitarë, të cilët me gaz lotsjellës, vezë e ngjyra, kthenin në arenë përleshjesh, duke delvalvuar, përbuzur e përdhosur Institucioni, nga i cili pritej të merreshin vendime për të mirën e qytetarëve të saj.

Për të mos u përsëritur ato dukuri të dëmshme të veprimeve të çmendura të të zgjedhësve tanë, duket pasur kujdes të drejtimin e votës, pë rata, që vërtet e meritojnë të zënë vend në një Kuvend, për mes të cilit ruhet, avancohet dhe promovohet imazhi i Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Vizionet

Për çka shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare, qoftë edhe të parakohshme? Për t’i korrigjuar ato dukuri që i cekëm më lartë e çelësi i votës së lirë bënë mrekulli për tejkalimin e tyre.

6 tetori i këtij viti, do të jetë një ditë historike për Kosovën dhe qytetarët e saj, në të cilën datë do të fitojnë subjektet politike dhe kandidatët e tyre të preferuar për deputetë republikanë, që do të ofrojnë vizion të qartë se si do të dukej shteti i tyre pas këtyre zgjedhjeve.

Përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat urojmë të kalojnë të qeta, fer dhe demokratike, të ngjallen shpresat alternative të Kosovës, për t’ia kthyer asaj buzëqeshjen e humbur për shkak ngërçit politik, kolapsit ekonomik, papunësisë, mjerimit social, fenomenit të ikjes së gjeneratës së re jashtë vendit për kushte më të mira ekzistenciale.

Qëllimi i këtyre zgjedhjeve parlamentare, kuptohet se ka prioritet rikthimin e energjisë pozitive, duke krijuar sistemin e vlerave, në të cilat do të respektohet puna dhe suksesi, si dhe do të ngrihet imazhi i Kosovës brenda dhe jashtë saj.

Prandaj, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare shkohet, për të bërë ndryshime, e ndryshimet nuk vijnë pa udhëheqësi të suksesshme, pa një shoqëri suksesi e individë të suksesshëm, që do të zgjidhen përmes votës.

Nëse ia duam të mirën Kosovës, duhet të dalim sa më të organizuar në fushatë elektorale, duke ofruar programe dhe vizione të qarta për ta siguruar një Kuvend stabil, efikas dhe të përgjegjshëm.

Dekada e re

Zgjedhjet e lira dhe të drejta sjellin një frymë të re në qeverisjen e vendit. E kjo frymë e re, si e shohim ne nga këndi i shoqërisë civile të Luginës së Preshevës, do të vij me zgjedhje të ndershme dhe korrekte.

Ndoshta ne jemi të vegjël nga Lugina e Preshevës, për të dhënë vlerësime të larta për subjektet garuese politike në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, për shkak se jemi të privuar nga e drejta për të votuar në këtë proces të rëndësishëm shoqëror, por një pjesë e madhe e qytetarëve të kësaj Lugine, që jetojnë në Gjilan, Fushë Kosovë dhe Prishtinë, mund ta shprehin vullnetin e tyre politik par ata që e meritojnë të ngjiten shkallëve të Parlamentit..

Pa anashkaluar partitë e tjera garuese në Kosovë, për të cilat kam mendime të mira, do ta kisha veçuar Dekadën e re të Partisë Demokratike Kombëtare, e cila po reflekton pozitivistet për të ardhmen e ndritur të qytetarëve të saj, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Shembull kemi Luginën e Preshevës e cila pret shumë nga këto zgjedhje të parakohshme parlamentare të Kosovës, ngase me një Kosovë të fortë e të konsoliduar, ajo do të frymoj më lehtë, do të ndihet më e qetë dhe do t’i ringjallin shpresat për një të ardhme më të sigurt politike, duke mos harruar kurrë Referendumin e vitit 1992, për bashkëngjitje me Kosovën, pjesë integrale të së cilës kanë qenë gjithmonë gjatë historisë.

Edhe diçka për fund, presidenti i Republikë së Kosovës, shkëlqesia e tij Hashim Thaçi, që e ka origjinën politike të Partisë Demokratike të Kosovës, u shqua për opsionin e korrigjimit të kufijve, ide proamerikane, e cila e sensibilizoi çështjen e Luginës së Preshevës më shumë se kurrë, në prag të finalizimit të proceseve dialoguese Kosovë-Serbi.

Mbi të gjitha le të fitojnë ata, që e kanë dëshmuar veten me punë konkrete në shtetformimin e Kosovës dhe perspektivën e saj Euro-Atlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat