Vjosa Osmani apo Albin Kurti kryeministër?! Dy kandidatët më të mirë pas pavarësisë!

Opinione

Vjosa Osmani apo Albin Kurti kryeministër?! Dy kandidatët më të mirë pas pavarësisë!

Prof. dr. Enver Bytyçi Nga Prof. dr. Enver Bytyçi Më 3 shtator 2019 Në ora: 07:54
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Që në momentin kur u mbyll afati i krijimit dhe regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore diskutimi më i madh në opinion lidhet me atë se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës! Nëse nuk do të funksionojë konspiracioni alla shik-as i Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, i mbështetur nga Aleksandër Vuçiç, sondazhet nxjerrin si fituese Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pas saj Lëvizjen për Vetëvendosje të Kosovës. D.m.th normalisht do të duhet të ulet në zyrën e kreut të ekzekutivit Vjosa Osmani ose Albin Kurti. Por për këtë funksion lufton edhe Ramush Haradinaj, i cili me të drejtë shfaqet krenar për ndërprerjen e procesit të ndarjes së Kosovës dhe ruajtjen e integritetit territorial të saj.

Shumë prej analistëve, opinionistëve dhe komentuesve ndalen dhe shkruajnë për njërin ose për tjetrin, duke pohuar ose mohuar gjithçka për secilin. Disa mungesën e koalicionit parazgjedhor LDK-VV e konsiderojnë pengesë të ndryshimit. Të tjerë, përfshirë dhe veten time, jemi skeptikë për ndryshimin e madh dhe kthimin e shpresës, sepse as Vjosa, as Albini nuk kanë fuqi ta bëjnë këtë. Përfundimisht duket se po shkohet në shok politik Në fakt pastërti dhe perfeksion politik nuk und të ketë. Vetëm diçka e rëndësishme duhet theksuar – Kosova asnjëherë pas pavarësisë nuk ka pasur një e aq më pak dy kandidatë të formatit të Vjosës dhe Albinit!

Megjithatë në këtë rast lexuesi do të më lejojë të bëj një analizë krahasuese me avantazhet dhe dis-avantazhet e secilit prej këtyre dy pretendentëve realë.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk janë provuar në ushtrimin e pushtetit. Asnjëri prej tyre nuk ka pasur shansin të ekzekutojë vendime shtetërore, portë dy kanë qenë pjesë e vendimmarrjes politike. Të dy këta janë tipa që rezistojnë, kundërshtojnë, kanë guxim e kurajo dhe nuk i nënshtrohen presioneve dhe diktatit të shefave. Vjosa nuk i është nënshtruar as presionit të shefave të partisë dhe i ka sfiduar ata. Ka sfiduar gjithashtu shefat politikë në pushtet, si në rastin e mos-votimit për presidenti të Hashim Thaçit. Ajo kundërshtoi disa herë koalicionin e mandatit të parafundit me PDK-në. Koha i dha të drejtë.

Ndërsa, Albini është shquar në rezistencën kundër institucioneve të Kosovës, duke i bërë karshillëk më shumë shtetësisë, sesa bandave në pushtet. Por edhe është shquar në retorikën për luftën kundër korrupsionit, duke premtuar një qeverisje me duar të pastra. Por sa kohë e kishte pranë vetes kreun e komunës së Prishtinës nuk e kritikoi asnjëherë për korrupsion ose për lidhje me oligarkun e Devollëve të famshëm, miq të Thaçit e Baton Haxhiut. Vjosa ka folur më pak për luftën kundër korrupsionit, por kundërshton kapjen e shtetit.

Risi është se as Vjosa dhe as Albini nuk vijnë nga zona rivale për pushtet, si Dukagjini, Drenica, Llapi apo Anamorava. Mitrovica nuk duket e përfshirë në këtë lloj rivaliteti për sundim. Kjo do të thotë se të dy kanë mundësi dhe mendësi qeverisjeje me përfshirje. Ndërsa shumë qeveri të derisotme janë dëshmuar si përjashtuese. Krahas kriterit partiak ato kanë aplikuar edhe kritere krahinore. Në rastin e këtyre dy kandidatëve ka shans të mënjanohet psikologjia krahinariste.

Në rastin e Vjosës duhet besuar se edhe kriteri ideologjik partiak do të dobësohet në minimum. Por në rastin e Albinit do të jetë disi e vështirë të mënjanohen apetitet e militantëve të Vetëvendosjes për privilegje dhe poste publike.

Dallimi në rezistencën e tyre qëndron gjithashtu  te mjetet që ata kanë zgjedhur. Vjosa zgjodhi luftën dhe alternativën politike të tipit të Ibrahim Rugovës, pra shoqëruar me durimin si karakteristikë e saj. Albin Kurti nuk e ka të ngjizur këtë tipar, prandaj ka rezistuar shpesh herë me mjete të dhunshme, disa herë të panevojshme. D.m.th nuk ka durim për arritjen e qëllimeve të veta politike.

Vjosa Osmani  është e dëshmuar si aleate e padiskutueshme e Perëndimit, SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së. Jo pse është shkolluar në SHBA, por se historia e saj politike nuk shënon asnjë akt që të shkojë kundër aleatëve të natyrshëm të Kosovës. Kjo përparësi e Vjosës në raport me Albinin e bën figurën e saj më të kompletuar, më të pranueshme si për opinionin e brendshëm, edhe për atë të jashtëm. Megjithatë edhe Vjosa duhet ta sqarojë publikun sa i përket asaj se çfarë ka të bëjë me sektin e Georgo Soros-it! Ndërsa zoti Kurti duhet ta sqarojë publikun e Kosovës se pse mban një lidhje specifike me presidentin turk, Rexhep Tayp Erdogan?! Është një lidhje në kuadër të konceptit të ruajtjes së miqësisë tradicionale me Turqinë, apo ky afrim është i ndikuar nga afeksioni fetar mysliman?! Dhe më tej, ndoshta është një bashkëpunim i bazuar në interesa individuale, njëjtë siç janë lidhjet e Thaçit dhe Edi Ramës me presidentin turk?!

Ka shumë rëndësi që të dy kandidatët për kryeministër t’i flasin publikut hapur jo vetëm për programet politike, por edhe për pikëpamjet që ata kanë për shtetësinë e Kosovës, për territorin, bisedimet me Serbinë dhe aleancat me aktorët ndërkombëtarë! Ndërkaq janë qytetarët, votuesit ata që kanë mundësi të zgjedhin çfarë duan dhe kë duan!

Tiranë, më 02.09.2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat