Çështjet e pazgjidhura ose të zgjidhura me ngut në gadishullin ilirik - si kockat e thyera që janë vendosur me nxitim dhe shëruar gabimisht!

Opinione

Çështjet e pazgjidhura ose të zgjidhura me ngut në gadishullin ilirik - si kockat e thyera që janë vendosur me nxitim dhe shëruar gabimisht!

Nga: Afrim Fanda Më: 6 shtator 2019 Në ora: 09:07
Afrim Fanda

Kështu e përshkruajtën  situatën në pjesën perëndimore të Gadishullit Ilirik, ose më saktë në Bosnjë, Kosovë, Serbi, ish IRJM dhe Mal të Zi ekspertët Frank G. Wisner, ish përfaqësuesi special i SHBA në negociatat për statusin e Kosovës, Cameron Munter, ish ambasadori i SHBA në Serbi, dhe Marko Prelec, specialist per Evropen Juglindore. Por për fat të keq, edhe në këtë përshkrim metaforik kaq të qëlluar, u anashkalua fakti më i rëndësishëm – çështja e pazgjidhur shqiptare si emrues i përbashkët për krizën në të gjitha këto shtete!

Ekspertët, në shkrimin e tyre si bashkë-autorë “Koha për një qasje të re ndaj Gadishullit Ilirik” me të drejtë ngritën shqetësimin për, siç e quajtën “këtë kënd të papërfunduar të Europës së lire dhe në paqe” që tani njihet si “Ballkani perëndimor”, e më pare i njohur si Jugosllavi, para se të zhytej në luftë të përgjakshme, gjenocid dhe spastrim etnik. Gjendjen në këto vende ekspertët e quajtën “një qetësi mashtruese”, që shum lehtë mund të eskalojë në krizë, që mund të përfshijë dhe pjesën tjetër të Europës. Ndërkohë që zgjidhja vazhdon të kërkohet përmes dy rrugëve të gabuara: duke injoruar problemet e vërteta dhe duke u përpjekur për të bërë shumë, dhe shpejt. Udhëheqësit lokalë inkurajohen që të zhvendosin vëmendjen e tyre, nga problemet e rënda që i sollën ata në konflikte të hidhura me njëri-tjetrin, në punën teknike dhe apolitike të integrimit me Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, duke shpresuar se në këtë mënyrë konfliktet do të zbuten dhe do të bëhen të zgjidhshme. Sipas këtyre ekspertëve, tani më është e qartë se kjo qasje nuk do të funksionojë. Problemet nuk do zhduken gjatë rrugës së këtyre vendeve drejt anëtarësimit në BE. Por akoma me keq, kjo vazhdon  të krijojë hapsirë të bollshme për një korrupsion endemik në gjithë rajonin, shtete me kapacitet të dobëta shtetërore dhe qeverisje me anë të patronazhit dhe klientelizmit, në vend se me anë të ligjit.

Ndaj dhe në krye të qeverive të këtyre vendeve, nga njëra anë erdhën parsardhësit e atyre që bënë gjenocid dhe spastrime etnike, e nga ana tjetër, veçanërisht aty ku kanë pushtet shqiptarët, njerëz ordinerë, të paarsimuar, të paedukuar, ose fëmijë të ish nomenklaturës komuniste, me duart të lyera me gjak ... të cilët i’u përveshën qetë qetë plaçkitjes, korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar, ndërkohë që “punonin, dhe vazhdojnë të punojnë” për “integrime Euro-Atlantike”.

Por, për fat te keq, edhe kjo qasje e ekspertëve të njohur, sado kritike, dhe e qëlluar, shmangu  çështjen e pazgjidhur shqiptare si thelbin e krizës politike, dhe çelësin e zgjidhjes së krizës në këtë pjesë të Europës.  Për fat të keq, janë shpikur dhe akoma po shpiken kombësi dhe shtete, e ndërohen edhe emra shtetesh, vetëm e vetëm për të mbajtur shqiptarët të ndarë e të coptuar në 6 shtete dhe për të legjitimuar jo vetëm përvetësimin e terrritoreve nga fqinjët agresorë, por edhe asimilimin dhe tjetërsimin e popullsisë që akoma jeton si shumicë në këto territore. U shpikën kombësi “boshnjak” e bile edhe  “musliman” që nuk egziston as në vendet e origjinës së kësaj feje, për të tjetësuar qindra mija shqiptarë në Mal të zi, Serbi, Bosnje etj., të cilët e dhe sot e kësaj dite kanë frikë të deklarojnë kombësinë e tyre të vërtetë nën trysninë e terrorit dhe frigës për jetën. U bënë pazarllëqe mes pushtetarëve sllavë dhe atyre grek, për ndryshimin e emrit dhe kushtetutës së ish IRJM, duke shpërfillur gjatë gjithë kohës vullnetin politik të lirë të shqiptarëve, për të bërë më të pranueshëm një shtet dhe poopull me identitet të vjedhur, në funksion të përvetësimit të territoreve shqiptare. Ndërkohë, në Greqinë anëtare të BE, shkelen të gjitha standardet jo vetëm të BE por edhe OKB, duke heshtur për gjenocidin mbi shqiptarët të njohur si çamë, dhe duke mos pranuar fare, qoftë edhe si pakicë,  egzistencën e qindra mija shqiptarëve botërisht të njohur si arvanitas dhe çamë. 

Gjatë gjithë këasj kohe, në përpjekje për të shuar konfliktet, dhe për të siguruar paqe të brishtë dhe stabilitet të përkohshëm në këtë pjesë të Europëst,  faturën për koston e paguajnë gjiithmonë vetëm shqiptarët si viktimë, ndërkohqë që konflikti inicohet gjithmonë vetëm nga agresorët e tyre fqinj.

Për fat të keq, edhe pas kaq vitesh, duket qartë që nuk u nxor asnjë mësim nga modeli i Jugosllavisë i bashkëjetesës së këtyre popujve në një shtet, dhe lufta e përgjakshme gjatë shpërbërjes së saj! Shtet i cili me vite, me anë të terrrorit, dhunës, burgjeve, synoi të mbajë bashkë popujt sllovenë, kroatë dhe shqiptarët, kundër vullnetit të tyre të lirë, për interesa vetëm të serbëve. Gjë që përfundoi me masakra, gjenocid dhe spastrim etnik, plagë që janë akoma të freskëta dhe që nuk do të shërohen për një kohë të gjatë. 

E gjitha kjo, tregon se për fat të keq,  zgjidhja e konfliktit në këtë pjesë të Europës është akoma larg, ndërkohqë që ngelen shum pyetje pa përgjige:

Cfarë do të ndodhi me Bosnjën, ,ku bashkësia ndërkombëtare, për të ndaluar konfliktin, sajoi një shtet jofunksional që synon të mbajtë xhelatin me viktimën bashkë në një verzion akoma më të keq të Jugosllavisë së shpartalluar? Çfarë do të ndodhi në  Mal te Zi, Serbi dhe Bosnjë kur me kohë frika do të zbehet, e gjithnjë e më shumë”boshnjakë” e "muslimanë" (lexo: shqiptarë) do të vendosin të shfrytëzojnë të drejtën univerzale të deklarimit të përkatësisë etnike, të garantuar me  rezolutën  nr. 47/135 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB? A do të munden grekët përgjithmonë t’ua mohojnë këtë të drejtë qindra mijë arvanitasve, dhe të drejtën e kthimit dhe pronës qindra mijë Çamëve? Cfar do të ndodhi me ish IRJM-në, ku së fundmi, me iniciativën e bashkësisë ndërkombëtare, u bë një “arnim” për të zgjatur jetën  identitetit të vejdhur të kombit dhe shtetit “maqedonas” me modelin e Jugosllavisë së shpërbërë, por akoma në keq, në verzionin unitar, ku shqiptarët trajtohen si pakicë me akoma më pak të drejta se atëherë? Cfar do të ndodhë me këtë shtet pas  bashkimit të pahsmangshëm të Kosovës me Shqipërinë? Do të mund t’i rezistojnë shqiptarët e ish IRJM tundimit, të vënë para zgjedhjes që të jetojnë me ata që në gëzimet dhe hidhërimet e tyre  kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët, ndërsa vullneti i tyre politik parapërcaktohet në zyrat e sigurimit shtetëror!? Të nënshturar ekspeditave policore ndëshkuese të herëpashershme, gjyqësorit të njëanshëm, dhe të drejtave të dozuara të përdorimit të gjuhës, simboleve kombëtare ...  apo zot shpije në një shtet shqiptar me bashkëkombasit e tyre, nga të cilët i ndan vetëm një kufi i pakuptimtë që bën ish IRJM shtet të sllavëve? A do të vazhdojë të jetë ish IRJM “arritja më e madhe diplomatike e perëndimit në Ballkan pas Dejtonit”, ku shqitparët, sipas modelit të dështuar të Jugosllavisë, luajnë rolin e faktorit të stabiliteti duke ndihmuar të zgjidhen qeveri dhe presidentë me votat e pakicës sllave, të ndihmuar nga votat e pakicës së skllavëruar shqitpare, duke thelluar me kete, akoma më shumë armiqësinë me bashkeqytetarët sllavë? 

A do te zgjidhet kriza dhe armiqësia në këtë pjesë të Europës, duke mos ndarë qartë, kush ishte agresori dhe kush viktima, duke falur viktima xhelatin, pa kërkuar falje ky i fundit, dhe me negociata që barazojnë xhelatin me viktimën dhe kënaqin përsëri vetëm njërën palë – agresorin?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat