Për ata që derdhën lotë, për dorëheqjen e Haradinajt

Opinione

Për ata që derdhën lotë, për dorëheqjen e Haradinajt

Mero Baze Nga Mero Baze Më 6 shtator 2019 Në ora: 23:22
Ramush Haradinaj

Pak më shumë se një muaj më pare, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës, pas një fletëthirrje nga Gjykata e Hagës. Në përpjekje për të marketizuar politikisht dorëheqjen e Haradinajt, Sali Berisha dhe Ilir Meta në Tiranë, dhe aleatë e tij në Kosovë, u përpoqën ta paraqesin dorëheqjen si një “akt burrërie” të një shtetari që nuk donte të “turpërohej” Kosova, duke u paraqitur si kryeministër në Hagë.

Madje Sali Berisha më pat sulmuar dhe mua, që e quajta dorëheqjen një truk elektoral, duke më bërë bashkëpunëtor më dajat e fëmijëve të tij në Serbi.

Tani situata është pak më shumë se qesharake.

Ramush Hardinaj është zyrtarisht kryeministër dhe zyrtarisht kandidat për kryeministër. Pra jo vetëm që nuk dha dorëheqje nga posti, jo vetëm që po merr vendime si kryeministër, por është dhe pretendent për kryeministër.

Çfarë ka ndodhur që ky nuk e turpëron më Kosovën në Hagë, se procesi sa ka nisur dhe nuk dihet si mbaron?

Ky që vrapoi të jepte dorëheqjen për 24 orë, se mos i prishte punë Kosovës, jo që nuk iku, por po tenton të jetë sërisht kandidat për kryeministër.

E gjitha çfarë ndodhi ishte taksa 100 për qind ndaj Serbisë, e cila më shumë se sa mekanizëm fiskal kundër Serbisë, ishte një përpjekje e tij për t’iu imponuar amerikanëve dhe europianëve, për të qenë edhe ai faktor në marrëveshjen me Serbinë, duke ua sabotuar procesin e nisur me Thaçin.

Nëse vërtet do të jepte dorëheqje për procesin që i ka rinisur në Hagë, ai nuk ka pse rikandidon për kryeministër, pasi së paku shqiptarët nuk e dinë se çfarë ka në dosjen e Hagës për të.

Nëse ai e di çfarë ka, meqë është marrë në pyetje, le ta thotë, se ndoshta nuk është ndonjë gjë e rëndë, por rikandidimi i tij për kryeministër, e bën qesharake gjithë euforinë patriotike kombëtare që shoqëroi dorëheqjen e tij, që nuk ndodhi kurrë. Akoma më banal e bën rikandidmin e tij.

Dhe një njeri që guxon të gënjejë për një diçka që verifikohet publikisht, merre me mend çfarë guximi ka të gënjejë për gjëra që mund të verifikohen pas katër vjetësh, kur të vijnë zgjedhjet e tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat