Veting në biznesin milionësh

Opinione

Veting në biznesin milionësh

Nga: Alpin Ollogu Më: 7 shtator 2019 Në ora: 12:45
Alpin Ollogu

Me jetësimin e vetingut në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shpresën e vetingut në politikë dhe sistemin e drejtësisë, i konkretizuar në projektligjin e partisë shqiptare qeverisëse, është tejet i nevojshëm edhe vetingu i biznesit të madh, ose ndryshe, i kapitalit të miliona eurove. Pse është i nevojshëm vetingu në këtë sektor?! Ёshtë i nevojshëm për arsye se shteti i dobët juridik ku ne jetojmë, qeveritë e kriminalizuara në masë të konsiderueshme, sistemi i drejtësisë thuajse i humbur, e kanë përdorur dhe e përdorin biznesin si partner korrupsioni e financimi partiak. E realizuar në bashkëautorësi me krerët e bizneseve, të cilët, një pjesë jo e vogël, janë pasuruar në kurriz të taksapaguesve dhe një monopoli të padrejtë në treg.

Korrupsioni milionësh në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në masë të madhe filloi me privatizimin e kapitalit shoqëror, kalimit në shoqëri aksionare dhe shitjes së paketit udhëheqës të aksioneve në pronësi individuale. Pjesë e këtyre personave, jo vetëm që privatizuan kapitalin shoqëror në mënyrë kriminale, por korrupsionin e vazhdojnë edhe sot.

Skandali i lëndës “Reket”, në të cilën është protagonist biznesmeni Orce Kamçev, bizneset e tij qindra milionëshe, blerja e kapitalit shoqëror nga babai i tij, i përfolur në afera korruptive, veçanërisht në lidhje me qeverisjen e Gjeorgjevskit, ku u privatizua një pjesë e madhe e kapitalit shtetëror, pastaj lidhja e Kamçevit me politikanë të lartë kriminal të VMRO-së së Gruevskit; mënyrat dhe tentativat se si dakordohej të blejë drejtësinë, drejtpërdrejt apo tërthorazi nga Prokuroria Speciale, tregon nevojën e një kontrolli të hollësishëm të bartësve të biznesit milonësh, si në cilësinë e personave juridik apo fizik. Me vetingun e figurës dhe pasurisë se biznesmenëve, i jepet një goditje e merituar kësaj shtrese dëmsjellëse të sistemit shoqëror – shtetëror, të cilët vendin e mossundimit të ligjit, e kanë shndërruar në oazë kriminaliteti për pasurim të skajshëm e të pandershëm, gjithmonë në kurriz të shkatërrimit ekonomik të vendit, si rrjedhojë, varfërimin e skajshëm të popullatës.

Që nga formimi i shtetit, institucionet shtetërore përgjithsisht kanë qenë symbyllur karshi korrupsionit në biznes, për arsyet e lartshënuara dhe që rëndom dihen, fuqia e rryshfetit që transformon shpirtra të dobët zyrtarësh, në keqpërdorim të detyrës zyrtare për pasurim vetjak. Në këto rrethana, me vetingun e luftës së viruseve korruptive që kanë përfshirë organet e shtetit dhe atyre partiake, lind nevoja e arsyeshme e luftimit të viruseve në organizmin biznesor. Të kryhen hetime të strukturura se në ç`bazë ligjore janë filluar bizneset shumë-milionëshe?! Sa të hyra kanë deklaruar në shtet për vitet e aktivitetit dhe në raport me pasurinë e vendosur?!

Hetim lidhur me një çështje të ndjeshme në pasurimit e befasishëm shumë-milionësh. Revizion mbi mënyrën e privatizimit të kapitalit shoqëror. Mënyra se si janë blerë paketat shumicë të aksioneve?! Me çfarë bazë pasurore janë blerë aksionet?! Si janë marrë kreditë bankare?! Çfarë është lënë për hipotekë gjatë marrjes së kredive?! Si  janë shlyer kreditë, me çfarë parash janë blerë, e mos ndoshta me larje parash apo rrugë të paligjshme duke vjedhur buxhetin e shoqërisë aksionare për të shlyer kreditë personale të blerjes së paketës shumicë të aksioneve të shitura në berzë?! Cilat banka mund të kenë bërë korrupsion me hipoteka false në dhënien e kredive, për tu arritur shumën e parave të blerjes në berzë të kapitalit shoqëror nga persona të ndryshëm të lidhur me drejtues bankash, e të tjera me radhë.

Ky veting me qëllimin që ti kthehet buxhetit shtetëror, popullatës, ajo çka i është marrë dhe po i merret me pa të drejtë, në kohën e qeverisjeve kriminale të privatizimit, ashtu edhe në qeveritë e sotme ku zhvillohet kriminaliteti brenda të ashtuquajturve biznese, të cilat në të vërtetë janë çerdhe kriminaliteti. Edhe për të qenë shembull për gjitha ata “biznesmenë” të cilët mendojnë se mund të pasurohen apo të vazhdojne me pasurinë e vjedhur, në dëm të së mirës publike, në dëm të një prej vendeve më të varfra të Evropës, ku disa raporte ndërkombëtare, e nxjerrin Maqedonin e Veriut si vendin më të varfër ne kontinent.

Në rrethanat ku ende nuk kemi veting në drejtësi dhe politikë, për disa, ky lloj vetingu në biznes, mund të duket i tepërt, megjithatë është koha të shqyrtohet, dhe më pastaj me argumentime dhe nevojë të arsyeshme, me mbeshtetje unanime nga forcat politike, të aplikohet paralelisht me vetingun në Ministrinë e Punëve të Brendshme, bashkë me atë në politikë dhe sistemin e drejtësisë - i avancuar tashmë në projektligjin e lartshënuar, që shpresojmë të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa humbur kohë. Mjaft kemi humbur me eksperimente të reformave në drejtësi, të cilat fatkeqësisht kanë rezultuar të padobishme.

Gjithashtu shpresojmë që në një të ardhme të afërt, qeveria, partite politike brenda dhe jashtë qeverisë, të shqyrtojnë vetingun e biznesit, e në veçanti biznesin shumë-milionësh me pasoja të dëmshme korruptive. Ashtu si u përqafua vetingu në drejtësi, si rruga më e mirë e ngritjes së sistemit të drejtësisë, ashtu me vetingun e biznesit, nevoitet vendosja e drejtësise ligjore në treg, me konkurrencë të drejtë, pa monopol, ndikime politike dhe korruptive. Institucionet aktuale që kanë bërë apo bëjnë kontrollet e biznesit, janë dëshmuar se kanë qenë të paafta, ose të korruptuara. Nje treg i mbrojtur ligjor ju jep mundësinë të bëjnë biznes njerëzve meritorë, punëtorëve të sinqertë, të cilët edhe kontributet për shoqërinë i kanë ashtu siç kërkon ligji, kundrejt atyre që më mashtrime, jo vetëm që përfitojnë me pa të drejtë të ngrenë biznese milionëshe, por vesi i tyre, në vazhdimësi ju dëshmon karakterin e hajdutit.

Vetingu mund të jetë një strukturë e pasaçme kontrolli, ndryshe nga institucionet e rëndomta ekzistuese të kontrollit, atë që në një mënyrë nëpërmjet një projekti po e realizon R.Shqipërisë, projekt i cili është parashikur për disa vite rradhazi. Projekti në fjalë përfshin: Shërbimet e konsulencës - sistemi i evidentimit dhe ndjekjes së transaksioneve me para në dorë; Kontrolli tatimor i tatimpaguesve në sistemin e pagesave me para në dorë; Sistemi për menaxhimin e riskut për pagesa me para në dorë; Krijimi, regjistrimi dhe ndjekja e transaksioneve jo “cash”.; etj. Si dhe krijimin e Softuerit (programit) dhe infrastrukturës. Softueri ky që do të mundësojë: Krijimin e sistemit për evidentimin dhe ndjekjen e transaksioneve me para në dorë; Kontrolli tatimor i tatimpaguesve në sistemin e pagesave me para në dorë; Sistemi për menaxhimin e riskut për pagesa me para në dorë;. Krijimi, regjistrimi dhe ndjekja e transaksioneve jo “cash”, si dhe Pasuria e tatimpaguesve.

Modelet e nje vetingu të biznesit, mund të jenë të ndryshme dhe specifike në bazë të rrethanave shoqërore të secilit vend. Për këtë nevojiten konsultime dhe shqyrtime të përvojave nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtar, bashkarisht me personalitete vendas të drejtësisë dhe financave të cilët do ti nënshtrohen filtrave të vetingut, për të qenë të aftë dhe me figurë të pastër në ushtrimin e detyrës. Thelbësore, të mos lejohet të shpëtojnë nga kontrolli i vetingut, biznesmenët – bizneset e kriminalizuara, ashtu si nuk duhet të shpëtojnë gjykatësit, prokurorët, politikanët apo gjithë bartësit e funksioneve publike, të cilët kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, janë pasuruar pandershëm në kurriz të popullatës.

Ka ardhur koha që nëpërmjet vetingut, sistemi i drejtësisë, politika, institucionet shtetërore dhe biznesi, të shkunden njëherë e mirë nga elementet kriminale, për ta çliruar popullatën nga kthetrat e varfërisë. Për ata që pasurohen në kurrizin e të tjerëve, nuk duhet të ketë mëshirë, përkundrazi, mëshira për ta është paaftësi shtetërore, është dobësi qeverisëse. Pavarësisht se ne gjirin e politikës dhe qeverisë, ose te lidhur me to, mund të ketë biznesmenë të korruptuar të cilët nga shkaku i vetingut do ti vuajnë përgjegjësitë ligjore, megjithatë, serioziteti i një partie politike, serioziteti i një qeverie, mbisundon mbi interesat e ngushta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat