Roli i SHBA-ve në Kosovë

Opinione

Roli i SHBA-ve në Kosovë

Nga: Shpend Salihu Më: 8 shtator 2019 Në ora: 09:56
Shpend Salihu

Siç dihet, qysh në administradën e Woodrow Wilson, gjatë periudhës së konferencës së Ambasadorëve në Londër, dhe definimit dhe aprovimit të 13 pikave të Woodrow Wilson, që bënë ndarjen e botës në sferat e interesit e duke vazhduar më pas në administrat pasardhëse Amerikane të Rusveltit, Ajzenhaujerit, Niksonit, kur edhe erdhën trupat desante nga ilegaliteti që të përmbysnin regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, qysh atëherë e deri më tani Kosova dhe Shqipëtarët konsideroheshin aleatë të fuqishëm të SHBA-ve.

Misioni vëzhgues Amerikan, në ish- Jugosllavi, është qysh prej vitit 1974-tës kur u bënë reformat Kushtetuese në ish- Jugosllavi, dhe kur Kosova dhe Vojvodina u avancuan në subjekte të barabarta në ish- Jugosllavi me një autonomi të zgjeruar politike dhe me një kompromis politik që i lente pjesë të Serbisë, edhe pse parimisht subjektiviteti cenohej me lënjen pezull nën juridiksionin e Serbisë. Në vitin 1981, pas shpërthimit të demonstratave masovike në Kosovë, ku kërkoheshin ndryshime kushtetuese që Kosova nga autonomia e zgjeruar politike të avancohej në Republikë, me të drejta dhe ingerenca të barabarta me subjekte tjera dhe të i shmangej juridiksionit serb, administrata Amerikane solli një ekip vëzhgues të cilët monitoruan proceset politike dhe juridike në Kosovë.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës nga pala Serbe me 23 Mars 1989 ishte një paralajmërim për ndarjen e ish-Jugosllavisë. Pas luftërave në Slloveni, në Kroaci dhe Bosnje i erdhi radha edhe Kosovës. Atë botë kishte përçarje dhe thellime në kongresin Amerikan dhe në NATO që të intervenohej ushtarakisht në Kosovë, pasiqë kjo nënkuptonte shkeljen e parimit të kartës së OKB-së, përzierje në punët e brendshme të një shteti sovran. Por pas ndodhive në Kosovë pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit, Amerikanët dhe Anglezët arritën të bindin Ambasadorët e NATO-së për intervenimin ushtarak në Kosovë, dhe ndaljen e ekzodit të popullatës së pafajshme civile. Kjo ndodhi dhe pas 78 ditësh bombardimesh të trupave të NATO-së, trupat Serbe u tërhoqën nga Kosova dhe u vendos misioni i përkohshëm civil-ushtarak i OKB-së dhe NATO-së, normal nën mbikëqyrjen e OKB-së.

Pas përfundimit të luftës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, investuan në ndihma humanitare përmes USAID, përmes Odës Amerikane Ekonomike, përmes ABBA, CELL në aftësimin e juristave në Kosovë si dhe sollën armatim dhe ndihma ekonomike për rimbërkëmbjen e ekonomisë së Kosovës. Ekskluzivisht falë SHBA dhe Anglisë u deklarua pavarësia e Kosovës në vitin 2008, falë tyre u bënë njohje të shumta të Kosovës në rrafsh ndërkombëtar si dhe u dhanë ndihma dhe përkrahje financiare nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar-ndërkombëtar. Roli i SHBA dhe Anglisë ishte dhe është shumë krucial në zhvillimin e proceseve politiko-juridike si dhe socio-ekonomike në Kosovë.

Problemi i Kosovës ishte mos përmbajtja e marrëveshjeve ndërkombëtare siç janë marrëveshja e Demarkacionit, Asociacionit, CEFTA, si dhe prishja e kishave ortodokse Serbe në trazirat e Marsit 2004 në Kosovë e mbi të gjitha rritja e lëvizjeve ultranacionaliste që kërkonin një shtet Etnik si dhe rritja e ekstremizmit dhe radikalizmit Islamik në Kosovë, që cenojnë jo vetëm sigurinë e Kosovës por edhe sigurinë nacionale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA gjatë bisedimeve insistoi që Pala Kosovare me Palën Serbe të dakordoheshin për pozicionin e tyre politiko-juridik dhe për zgjidhjen e problemit Kosovar-Serb si dhe për bashkëpunimin në rrafshin e sigurisë mes këtyre shteteve dhe regjionit në tërësi.

Klithmat e rrymave ultranacionaliste për pastrim etnik në Kosovë, nuk kanë patur e as nuk kanë, e as nuk do të kenë mbështetjen e SHBA-së. Këto rryma kanë mbështetjen e grupeve të caktuara të interesit në SHBA dhe diasporë por asesi të administratës Amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin dhe janë kundër çfarë do forme të diskriminimit në baza etnike ose politike dhe për mbrojtjen dhe afirmimin e pakicave nacionale si dhe për trajtimin e tyre të dinjitetshëm. Andaj veprimet tona joracionale për ditë e më shumë janë duke e humbur përkrahjen e Administratës Amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat